MENU
klinika

"Streha mes reve"

Filmi i vlerësuar nga kritika edhe në “Za Fest”

08.08.2019 - 14:17

      Filmi “Streha mes reve” u shfaq edhe në festivalin “Za Fest” në Theth. Filmi më skenar dhe regji nga Robert Budina, ishte pjesë e këtij festivali, që solli për të pranishmit dhe aktivitete të tjera.

Me skenar dhe regji nga Robert Budina, “Streha mes reve” deri tani është shfaqur në disa festivale filmi, ku është vlerësuar me çmime, si dhe është mirëpritur nga kritika. Pak ditë më parë “Streha mes reve” fitoi çmimin filmi më i mirë, aktorja Irene Cahani dhe aktori Arben Bajraktaraj, aktorët më të mirë në “PriFest”.

 

 

Në këtë film, ka një kast të përzgjedhur aktorësh: Arben Bajraktaraj (i njohur për “Taken”, “Harry Potter” dhe “Deathly Hallows”) vjen në rolin kryesor, atë të Besnikut, për të vijuar dhe me Esela Pysqyli, Irena Cahani, Bruno Shllaku, Osman Ahmeti, etj.

 

 

 

 

I shfaqur më parë premierë botërore në “Tallinn Black Nights Film Festival” në Estoni, një tjetër kritikë për “Streha mes reve” ishte më parë dhe nga revista e kinemasë “Film Is A Fine Affair”. “Humanizmi dhe problemet familjare, ndeshen në filmin shqiptar të Robert Budinës, “Streha mes reve”. Ka më shumë se sa një mënyrë për të treguar se bashkëjetesa fetare është ende një proces i brishtë dhe ekziston një mënyrë e vetme (që përsëritet në shumë mënyra) në “Streha mes reve”, për të treguar se komunizmi me praktikat e tij autoritare i bëri bashkë të gjitha problemet. Epoka e demokracisë dhe globalizimit, ka sjellë mënyra të reja, por që jo domosdoshmërisht janë më të mirat për pjesëtarët më të ndjeshëm të shoqërisë”,- thuhet për filmin.

 

 

 

 

“Film Is A Fine Affair” cilëson më tej, se pikat më të forta të filmit “Streha mes reve” vijnë nga dinamika e skenave familjare, si dhe nga enigma e performancës së Arben Bajraktaraj. Në film, Besniku është një bari i vetmuar dhe mysliman i devotshëm, i pafat në dashuri. Ai jeton në Alpet e Shqipërisë së Veriut, biri i një nëne katolike dhe i një babai ish-komunist. Atje lart, katolikët dhe myslimanët jetojnë në paqe mes tyre, madje edhe pas zbulimit të Besnikut, që xhamia e vjetër e fshatit ka qenë dikur kishë dhe është ndarë mes dy feve, në të kaluarën e largët. Vdekja e babait ish-komunist sjell ndryshime të mëdha që vënë në rrezik ekuilibrin në familjen me besime të ndryshme fetare të Besnikut, ndaj, ai detyrohet të marrë një vendim të rëndësishëm për jetën e tij.