MENU
klinika

E zëvendëson me një grua...

Flamur Golemi ‘pastron’ drejtorët e LSI

28.08.2019 - 17:49

Flamur Golemi vijon ndryshimet në Bashkinë Gjirokastër. Një tjetër drejtues nga radhët e njerëzve të besuar të ish-kryebashkiakes, Zamira Rami është shkarkuar nga detyra.

Bëhet fjalë për Armand Mamanin, drejtorin e Agjencisë së Mirëqënies dhe Kujdesit Social. Në vend të tij është emëruar një grua. Ajo është Irena Karagjozi. Me origjinë nga Tepelena, por e martuar në Gjirokastër, ajo ka një përvojë të gjatë në konsulencë dhe projekte.

Shkarkimi i Armand Mamanit vjen pas një raporti auditi të brendshëm, ku mësohet se janë konstatuar shkelje të rënda në detyrë. Natyrisht që në këtë lëvizje nuk përjashtohet as sfondi politik, duke qenë se Mamani ishte një prej njerëzve të rëndësishëm në radhët e LSI-së në Gjirokastër.

Disa ditë më parë Flamur Golemi kishte vendosur pezullimin e Armand Mamanit deri në përfundimin e auditimit. Mamani nisi punë në bashki pas shkarkimit si drejtues i spitalit rajonal ‘Omer Nishani’.

Një raport auditi i kryer nga Ministria e Shëndetësisë në atë kohë konstatoi se ai kishte abuzuar me fondet publike të spitalit.