MENU
klinika

Trump pro, Macron kundër

G7 apo G8?/ Përplasje BE-SHBA për rikthimin e Rusisë

22.08.2019 - 17:02

Presidenti amerikan Donald Trump shprehu mbështetje të martën për kthimin e Rusisë në G7, duke thënë se do të ishte “shumë më e përshtatshme” që Moska të jetë në klubin e fuqive botërore.

“Unë me siguri mund ta mbështes këtë”, u tha ai gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, vetëm disa ditë para një samiti të G7, pa Rusinë, në Biarritz, Francë. “Duhet të jetë G8, sepse shumë nga gjërat për të cilat flasim kanë të bëjnë me Rusinë,” tha ai.

Rusia u nxorr nga formati i vjetër G8 pas pushtimit dhe aneksimit të vitit 2014 të Krimesë, në Ukrainë.

Putin është akuzuar gjithashtu për urdhërimin e vrasjeve të kundërshtarëve në Britani dhe në Evropë, si dhe përpjekjen për të manipuluar zgjedhjet e SHBA në vitin 2016, ku fitoi Trump papritur.

G7 përbëhet nga Britania, Kanada, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara. Në G7 në Quebec vitin e kaluar, Trump ‘shpërtheu’, nisi ofendime personale lidhur me tregtinë me kryeministrin kanadez Justin Trudeau dhe refuzoi të nënshkruante deklaratën përfundimtare kolektive. Francezët, që presin samitin këtë vit, shpresojnë se mund ta menaxhojnë më mirë Trump.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian është kundër çdo ftese të pakushtëzuar për Rusinë për ta lënë atë të ribashkohet në bisedimet midis udhëheqësve botërorë të G7.

Një zyrtar i  BE-së, duke folur në kushte anonimiteti përpara samitit të G7, tha se arsyet për përjashtimin e Moskës “mbeten të vlefshme” dhe se çdo ofertë e kthimit pa kushte do të ishte “kundërproduktive” dhe “një shenjë dobësie”.

Për këtë çështje ka folur edhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Ai tha se pa u zgjidhur një herë e mirë çështja dhe kriza e Ukrainës Rusia nuk mund të kthehej në G7.

“Një veprim i tillë do të ishte një gabim strategjik që do të konfirmonte epokën e mosndëshkimit, gjithashtu do të tregonte një dobësi të fuqive perëndimore”, tha Macron.