MENU
klinika

Pse kjo lidhje e tij me shqiptarët?

Gerôme, piktori i dashuruar me arnautët e fustanellës

16.08.2019 - 12:12

        Në 30 tetor të këtij viti (2019), në Christi’s të Nju Jorkut do të nxirret në ankand një nga tablotë e piktorit francez të shekullit XIX, Jean-Léon Gérôme, e vlerësuar midis 2.800.000 dhe 3.800.000 dollarë. Eshtë tabloja që ai krijoi për Marko Boçarin, në studion e tij në Paris, në vitin 1874, pas udhëtimeve të tij në Egjipt dhe Greqi. Shqiptari i sotëm, menjëherë mund të pyesë se cili është ky piktor dhe pse kjo lidhje e tij me shqiptarët?

Në historinë e artit të pikturës është e rrallë që një piktor i njohur t’i jetë drejtuar me aq pasion dhe adhurim shqiptarëve. Leon Gerôme (Zherom), në pikturën franceze të gjysmës së dytë të shekullit XIX, njihet si një piktor akademik dhe realist, që ka bërë aq shumë nudo („nu“) të njohura në temën erotike franceze, si dhe temën biblike dhe greko-romake. Por, ajo që ka mbetur si një gjurmë dalluese dhe e pashlyeshme dhe që është arritja e tij më e mirë pikturale, janë personazhet e tij arnautë, shqiptarët që ai i pikëtakoi në udhëtimet e tij në Egjipt. Eshtë e çuditshme, se ky piktor mund të ishte mjaftuar me dhjetëra tablo që pikturoi gjatë apo pas udhëtimit të tij të parë në Egjiptin modern të Mehmet Ali Pashës, por ato portrete e personazhe, veshur me fustanella të bardha, të hedhura aty si nga një dorë qiellore, midis piramidave, mamlukëve, beduinëve dhe koptëve të vjetër, e kishin tërhequr me një fuqi të pashpjegueshme. Ndoshta ishte dhe vetë enigma se përse ata njerëz me fizionomi të skalitur dhe të prerë, që qëndronin natyrshëm në sfonde shkëmbore e malesh, gjendeshin tashmë në ato toka rrafshore, mes shkretëtirës dhe duhive të erës që sillnin vetëm rërë./Konica.al

 

 

 

 

Jean Léon Gerôme lindi në Vesoul të Francës, më 11 maj të vitit 1824, në një familje artizanësh, ku i jati vazhdonte traditën e argjendarit. Që në adoleshencë, Gerome pëlqente pikturën dhe studimet e para i bëri pranë atelierit të piktorit të njohur të asaj kohe në Paris, Paul Delaroche. Më pas shkoi në Itali për të njohur nga afër traditën e pasur të pikturës italiane, siç ndodhte shekuj me radhë kur piktorë francezë, anglezë, nordikë, flamandë apo gjermanikë, shkonin të shihnin Mikelanxhelon, Da Vinçin, Rafaelon, Ticianin, afresket e Sikstinës dhe piktorët e „Quatroçentos“, apo ata të mëvonshmit. Por pikëtakimi me Egjiptin do të ishte ai që, jo vetëm do të linte gjurmë në pikturën e tij, por do të përbënte një nga sukseset më të mëdha të pikturës së tij. Në mesin e shekullit XIX, Egjipti ishte kthyer në një vend pelegrinazhi artistik, apo vend i një itinerari ekzotik për të gjithë artistët francezë, për faktin edhe sepse dinastia e Mehmet Aliut i nderonte dhe i sajdiste këta udhëtarë të dijes e të kulturës. Madje, ata i prisnin në audienca të veçanta në pallatin e mbretit, i ruanin me arnautë trima dhe i shoqëronin deri në burimet e Nilit.

Udhëtimin e tij të parë, ai e ndërmori në vitin 1856 dhe në ekipin e tij kishte me vete dramaturgun Emil Augier, dy piktorët Leon Belly dhe Narcisse Berchère si dhe skulptorin August Bartholdi, autorin e statujës së mëvonshme të Lirisë, që do të ngrihej shumë kohë më vonë në New York. Ai do të ishte dhe fotografi i këtij ekipi. Ata qëndruan në Egjipt tetë muaj, ku katër muaj udhëtuan përgjatë Nilit, nëpër qytezat e ndryshme arkeologjike dhe katër muaj të tjerë qëndruan në Kajro, në shtëpinë e mikut të tyre, francezit Octave Sevès, i cili për besnikëri ndaj Mehmet Aliut ishte kthyer në musliman dhe tashmë quhej Sulejman Pasha. Pikerisht të kësaj periudhe janë dhe një sëri pikturash që Gerome i prezantoi në sallonin e pikturës së Parisit në vitin 1957. Oficeri arnaut me pushkën e gjatë në qafë do të lerë mbresa ndër kolegët e tij artistë si dhe amatorët e artit, ashtu si dhe tabloja tjetër Rekrutët egjiptianë në shkretëtirë (64×109 cm), ku shquhen shqiptarët me fustanellat e bardha dhe pushkët e gjata në krahë, duke u prirë rekrutëve të mbledhur nëpër shkretëtirë. Katalogët e veprave të Gerôme-i, shkruajnë dhe për një vepër tjetër të kësaj natyre, ku shquhet një kalorës shqiptar mbi kalë duke udhëhequr rekrutët, por kjo pikturë sot është zhdukur. Por akoma më impresionante është tabloja Lutja tek një prijës arnaut (66X95,25), që sot gjendet në një galeri londoneze. Personazhet e tij arnautë dhe skena nga jeta e Kajros, ai i paraqet edhe në sallonin e pikturës së Parisit të vitit 1859, i cili hapej çdo vit. Siç duket, ajo bën pjesë në vizatimet e shumta që ai kishte bërë në Kajro dhe buzë Nilit dhe që në atelierin e tij parizian kishte marrë ngjyrat e vërteta. Eshtë fjala për tablonë Arnautë që luajnë shah (43×29 cm), një tjetër tabllo e mrekullueshme e tij. Qyteti i Kajros në atë kohë vazhdonte të mbetej i rrethuar me porta guri, që ruheshin përgjithësisht nga arnautët e armatosur dhe garda besnike e dinastisë së Mehmet Aliut. Dhe padyshim, këta shqiptarë të habitshëm ai i ka fiksuar në portat e qytetit, siç është tabloja e njohur e tij Roje arnautë në Kajro (50×37,5 cm), apo tabloja tjetër që i paraqet arnautët e armatosur e me fustanellat e bardha në portën e famshme Bab-el-Nasar. Në peizazhin e larmishëm të kostumeve të popujve që përbënin Egjiptin në atë kohë, dy ishin kostumet më me ngjyra dhe variacion artistik: kostumi i shqiptarëve, me jelekët, xhamadanët dhe qostekët e tyre dhe ai i grekëve, të cilët ishin të paktë dhe mbanin dhe ata fustanellën e shqiptarëve. Në Kajro, arnautët ishin kudo, siç i gjejmë ata dhe në tablonë tjetër të Gerôme Një kafene në Kajro, ku mes kafenesë shquhen jo vetëm shqiptarët, por dhe dy shqiptarë me fustanella që hedhin valle shpatash.

 

 

 

 

 

Arnautët e kësaj periudhe ishin mjaft tërheqës për udhëtarët e huaj që shkelnin Egjiptin. Udhëtari anglez Georg Schweinfurth, një natyralist i njohur dhe që i njihte gjuhët e afrikanëve, në kohën e sundimit të Ismail Pashës kishte udhëtuar drejt Kartumit dhe Nilit të Bardhë dhe pastaj ishte kthyer drejt liqenit të Çadit, mespërmes kanibalëve të Kongos. Siç shkruan ai, për udhëtimet e tij (1868-1875)[1], mes të tjerash, ai kishte takuar atje „pigmetë“ dhe mbretin e tribusë Mambutos, „i cili ndiqej pas nga një rresht vajzash që ishin gratë e tij si dhe shoqëruesi Abd-es-Samate“. Ky i fundit, siç e përshkruan Schweinfurth, „mbante uniformën e bukur të një prijësi të trupave shqiptare“…Imagjinoni për një çast se deri ku kishin depërtuar shqiptarët në Afrikë, të cilët, dhe në vëndet e kanibalëve mbaheshin atëhere si luftëtarë të rreptë por trima. Lidhur me shqiptarët, shkrimtari i njohur aglez Wiliam Thackery, gjatë udhëtimit të tij në Kajro më 1844 (Notes of a Journey from Cornhill to Grand Cairo), na lë mbresat e një skene të jashtëzakonëshme, e cila tregon për natyrën kryeneçe dhe herë herë të mbrapshtë të disa shqiptarëve që pikaseshin atë kohë në gjithë Egjiptin. Madje Mehmet Aliu ndaj bashkëpatriotëve të vet kishte vendosur ligje të forta për t’i disiplinuar ata. Ja çfarë shkruan ndër të tjera ai: «Një ditë më parë një nga anëtarët e ekipit tonë e kishte parë shqiptarin e vrarë në cepin e hotelit, në kohën kur po e sillnin një tufë ushtarësh të cilët e kishin arrestuar. Gjithë lecka të grisura e me këmbët e lidhura, ai përpiqej të çlirohej. Trupi i tij i xhveshur që përdridhej, i ngjante një modeli mjaft tërheqës. Ky njeri, pak kohë më parë, duke shëtitur nëpër rrugët e qytetit kishte pikasur një grua të bukur dhe e kishte ndjekur atë. Duke ja mbathur vrapit, ajo ishte futur në një kazermë policësh që fatmirësisht ishte aty pranë. Por pa u trëmbur, shqiptari e ndoqi atë deri tek policët. Njëri nga ta u ngrit dhe donte ta ndalonte, por ai nxorri pistoletën dhe e vrau atë. Ai vrau kështu nja tri-katër prej tyre, deri sa më në fund kishin munduar ta mbërthenin. Arnauti e dinte se e priste vdekja, se nuk do ta shtinte kurrë në dorë atë grua dhe se nuk mund ti rezistonte një gjysëm regjimenti policësh. Por ndjenja e fortë dhe instikti i vrasjes ishin më të forta te ai. Në mëngjesin e ditës tjetër, ai e la veten qetësisht që ti prisnin kokën, i rrethuar nga shokët e tij që kishin ardhur aty për të qënë të pranishëm. Ai as që shqetësohej nga vdekja, madje u gjunjëzua dhe gjakftohtë i la ata ti prisnin kokën, sikur të shihte ceremoninë mortore të një tjetri. Sapo koka ra dhe gjaku vërshoi në tokë, një grua doli nga turma dhe filloi të përlyente trupin me gjakun e shqiptarit. Lyerja me gjakun e një vrasësi konsiderohej si një mjet shërimi për gratë që nuk lindnin. Por njëri nga shqiptarët që ishte ngjitur me të, i u drejtua asaj: «Pra, ti e dashke gjakun? Pa të shohim sesi do të mpikset gjaku tënd me gjakun e shokut tim». Dhe duke nxjerrë pistoletën ai e qëlloi në vend mes gjithë atyre policëve që ishin të pranishëm. Sigurisht ata e kapën dhe të nesërmen edhe atij do t’i pritej koka. Do të ishte interesant të shkruhej një kapitull «Vdekja e arnautit»…

 

 

 

 

 

Ngjarje rrënqethëse e skena të pabesueshme sot për epokën tonë. Prerja e një koke përballohej atëhere në mënyrë sfiduese dhe Gerôme e ka paraqitur një skenë të tillë, por jo me një kokë shqiptari. Një pjesë e trupës së shqiptarëve ishte vërtet e ashpër në një mjedis të tillë të panjohur për ta dhe në një gjëndje të përherëshme lufte me mamlukët, të cilët do të shfaroseshin gjithnjë e më shumë gjersa më në fund ata pranuan nënshtrimin. Ishte një ekzistencë për jetë a vdekje. Sigurisht, në fillim askush nga shqiptarët nuk mendonte të qëndronte përjetësisht në Egjipt, e akoma më shumë në viset e largëta të Nilit gjer në Nubi, Asuan e kufijtë e Sudanit. Siç thoshte populli, ata kishin ikur « nizam » në Misir apo shkretëtirat e Arabisë. Dekadat shkonin dhe pinjollët e gjeneratave të shumta prisnin kthimin e atyre që s’do të ktheheshin më kurrë.

Një tjetër skenë interesante përshkruan Chateaubriand gjatë udhëtimit të tij të parë me anije nëpër Nil. Më 1806, ai është veçse 38 vjeçar dhe shoqërohej në anije nga një grup luftëtarësh shqiptarë. « Me zhurmën më të vogël, shqiptarët merrnin pushkët dhe shkonin në bordurat e anijes. Ata ngjanin sikur luftonin me armiq imagjinarë. Gjysma e atyre shqiptarëve ishin muslimanë dhe gjysma tjetër të krishterë. Të gjithë thërrisnin « Muhamet » apo « Shën Mëri». Ata hidhnin gllënka vere duke klithur në frëngjisht ca fjalë të rënda dhe duke qëlluar në ajër…»

Në vitin 1861, në sallonin e pikturës së Parisit ai ekspozon tablonë e madhe I burgosuri (45×78 cm), ku duket një varkë e gjatë që shket mbi Nil e drejtuar nga shqiptarë që mbartin një të burgosur turk. Kjo tablo është cilësuar nga kritika e kohës si kryevepra e periudhës egjptiane të Gerôme, dhe sot ajo gjëndet në Muzeun e Arteve të Bukura të Nantes, në veri të Francës. Në vitin 1862, Gerôme ndërmori dhe një udhëtim tjetër drejt Egjiptit por për një kohë të shkurtër. Në kthim ai u fejua me vajzën e një tregëtari të njohur pikturash, Adolph Goupil, i cili do të tregëtojë më vonë pikturën e tij në galeritë e Amerikës, Anglisë, Austrisë, Italisë, etj. Kjo martesë për pak do të prishej si pasojë e një flirti tjetër të Gerôme në prag të martesës. Atëherë Gerôme kërkoi një duel dhe madje u plagos, por kjo nuk e pengoi të martohej me të fejuarën e tij. Ekspedita e tij e tretë do të fillojë në vitin 1868. Kësaj rradhe udhëtimi do të jetë më i gjatë dhe më i vështirë, një „safari“’ i vërtetë. Bashkë me miqtë e tij Albert Goupil, Leon Bonnat, Ernest Journault, Jean-Richard Goubie dhe Paul-Marie Lenoir, ata lanë Marsejën dhe në 9 janar të atij viti u nisën drejt Aleksandrisë, qytetit hijerëndë të perandorit të famshëm Aleksandrit të Madh. Më pas shkojnë në Kajro ku i pret vetë kedivi, mbreti i Egjiptit, Ismaili, i cili kishte studjuar në Paris, djali i Ibrahimit dhe nipi i Mehmet Ali Pashës. Arnautët jane kudo : në gardën e afërt të pallatit mbretëror, në portat e qytetit, në kazermat, në portet dhe rrugët kryesore. Pasi vizitojnë xhamitë e mëdha të qytetit, ata nisen në Gizeh për të parë nga afër piramidat dhe pasi kthehen andej marrin udhën drejt Suezit, kalojnë në shkretëtirë, shkojnë drejt Jaffa-s buzë Mesdheut dhe pastaj në Jeruzalem, nga ku më vonë do të kthehen drejt Marsejës. Gerôme kthehet në Paris me shumë piktura, por dhe me qindra vizatime që ka bërë gjatë udhëtimit në Egjipt. Madje dhe në Siri, ai nuk ka munguar të pikturojë shqiptarët që ka gjendur atje, si në tablonë ….

 

 

 

 

 

Në Paris, në sallonet e pikturës së atyre viteve, arnautët shfaqen vazhdimisht me hiret e tyre. Kuptohet menjëherë se Gerôme është i impresionuar nga tiparet dhe fizionomia e tyre: fytyra të mprehta dhe hijerënda, here-herë të vrazhda, por të urtë dhe tepër miqësorë kur të pranojnë si mikun e tyre. Në Paris, ai prezanton tablonë Arnaut me fustanellë, ku duket një arnaut shtatlartë me fustanellën e bardhë ulur në minder, i cili çuditërisht ka një kapuç jeshil në kokë. Tabloja tjetër që ai paraqet është Skenë rruge në Kajro (23,33×36,5 cm) e vitit 1870, ku para një hani shquhen shqiptarët me fustanella. Në vitin 1874, Leon Gerôme ndërmerr fillimin e një tabloje që s’ka lidhje me shqiptarët e Egjiptit. Kësaj radhe bëhet fjalë për Marko Boçarin, heroin e Revolucionit grek të rënë në Mesallongj, i cili kishte frymëzuar për disa tablo dhe piktorin e famshëm Eugène Delacroix, ashtu siç kishte frymëzuar për poemat dhe elegjitë e tyre lord Byron (Bajron) dhe Victor Hugo-në. Në tablonë Markos Botsaris e vitit 1874 (27,56×21,26 cm), që sot ndodhet në Amerikë në një koleksion privat (e blerë në Londër), shquhet figura e Boçarit ulur në një poltron hijerëndë dhe me shpatën ngjeshur. Një tablo e panjohur nga ne shqiptarët e sotëm e cila padyshim na intrigon se në çfarë imazhi është mbështetur Gerôme për të krijuar portretin e tij. Në vitin 1869, Gerôme do të marrë përsëri udhën drejt Egjiptit, por kësaj rradhe është qeveria franceze që e dërgon bashkë me disa artistë të tjerë për inagurimin e Kanalit të Suezit. Në këtë periudhë, piktura e Gerôme është bërë mjaft e njohur, aq sa kritiku Hamerton thoshte për të se „Pikturat e Gerôme janë për artin e pikturës siç janë romanet e Flobert për letërsinë“. Katalogu i veprave të Gerôme na tregon dhe për dy vepra të tjera që sot quhen të humbura. Eshtë tabloja Vallja e shpatave në një kafene dhe Vallja e shpatave tek një pasha. Nuk dihet gjithashtu dhe për tablonë tjetër Shqiptari dhe qeni i tij, e vitit 1883 apo Vallja pirike e vitit 1878 (81x65cm), e cila u prezantua po atë vit në Ekspozitën Universale të Parisit. Dhe kuptohet që Franca të prezantohej me një tablo të tillë, ajo duhej të ishte tepër e veçantë. Ndërkohë Gerôme vazhdon të punojë me ngulm për temën shqiptare, siç e shohim në tablonë simpatike Arnauti që i hedh qenit tymin e duhanit  (jo rrallë e gjejmë dhe me titullin Qeni që nuk i pëlqen duhani) apo Valle me shkop, ku duket një valltare, që atëhere quheshin « almé », shpesh kirkize, e cila hidhte vallen për të dëfryer një grup shqiptarësh. Më 1881 ai ekspozon në Paris tablonë Prijës arnaut (25,4×20 cm), ku pranë një arnauti ulur në minder është dhe qeni i tij. Një tjetër tablo është dhe Arnaut me dy qen whippets, e vitit 1870-1871, e cila sot është një koleksion privat në Beverly-Hills të Kalifornisë. Ka ende shumë vepra të Gerôme që sot nuk dihet ku janë apo konsiderohen si të humbura, siç është edhe tabloja Arnauti që luan me një qen e vitit 1890, ose Arnauti në hyrje të një dyqani (40,6×31,7cm) e shitur në Sotheby’s të Londrës në vitin 1975.

 

 

 

 

 

Pasuria pikturale e temës shqiptare të Gerome dhe të shumë piktorëve të tjerë të huaj që kanë piktakuar shqiptarët në Shqipëri apo gjetkë, na ngre sot një problem kulturor për administratën shqiptare që merrret me promovimin e trashëgimisë kulturore. Këto vepra shiten në ankandet e artit apo në galeritë e mëdha përmes katalogësh të caktuar dhe shumat e tyre nuk janë aq të mëdha, aq sa mund të përballohen normalisht nga një buxhet i Ministrisë së Kulturës, dhe njohës dhe ekspertë të kësaj fushe ka, siç mund të ishte Ferit Hudhri që e ka qëmtuar këtë fushë. Kjo do të sillte që Shqipëria të grumbullonte në Galerinë Kombëtare apo në një muze të posaçëm për „Veprat e autorëve të huaj me temë shqiptare“, veprat e këtyre artistëve të shpërndara sot në të gjithë botën. Ky mund të ishte dhe një vektor i veçantë brënda strategjisë së zhvillimit të turizmit kulturor, për ta bërë Shqipërinë tërheqëse për vizitorin e huaj edhe përmes trashëgimisë artistike./Konica.al

 

 

Luan Rama

 

 

 

 

 

[1] Voyages de découvertes en Afrique, Alain Ricard, Anthologie, Edition Robert Lafont, 2000, Paris.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Shqiptarët, një racë e rrallë; miq e armiq të turqve!”

‘Shqiptarët më 1904-ën’, si i përshkruante gazeta amerikane

Çmimi Kombëtar ‘’Lumo Skëndo’’

‘’Tregime të moçme shqiptare’’ nderohet me titull