Gjurmët e një qytetërimi të lashtë, janë zbuluar së fundmi në Peru. Murali i lashtë, që daton rreth 3 800 vjet më parë, sipas arkeologëve, i përket një qytetërimi të vjetër të quajtur Karal, në pjesën veriore të Perusë.
Relievi i zbukuar në veri të kryeqytetit Lima, përmban një bretkosë me fytyrë njeriu, me këmbët e përparme rreth kokës së tij. Sikur e shpjegoi Tatiana Abad, arkeologe, kjo skenë kishtë të bënte me paralajmërimin për ardhjen e shiut, duke dëshmuar sesa rëndësi kishte uji për banorët e asaj kohe, kur mbizoitëronte thatësira.
Sipas arkeologëve, në qytetërimet e lashta të Andeve, bretkosa simbolizonte ujin dhe fytyra poshtë saj përfaqësonte një njeri që priste shiun, për të vazhduar ciklin jetësor.
Gërmimet në lokacionin Wicham, filluan në vitin 2007. Atje zbulohen vazhdimisht fakte të reja rreth civilizimit antik, siç është plani dhe arkitektura e përparuar e qytetit.
Karal besohet të jetë civilizimi më i vjetër në Amerikën e Jugut dhe atë Veriore. Ky qytetërim daton që nga viti 3000 p.e.s. dhe u zhduk në mënyrë misterioze, rreth vitit 1600 p.e.s.