MENU
klinika

Foto

HEC-et në Kelmend, eksperti i mjedisit ngre alarmin

31.08.2019 - 10:24

Ndërtimi i 4 HEC-eve në Malësinë e Madhe ka revoltuar banorët e zonës, por pavarësisht kundërshtimit të tyre prej disa muajsh, puna nuk është pezulluar.

Për këtë ka reaguar edhe eksperti i çështjeve të mjedisit Abdulla Diku, i cili deklaron se lumi Cem po dënohet me burgim të përjetshëm.

Ai deklaron se tashmë banorët e kanë humbur “luftën”, ndërsa pretendon se numri i konçensioneve në lumenjtë tanë ka kapur shifrën 714.

Reagimi i plotë i Abdulla Dikut:

Lumi Cem dënohet me burgim të përjetshëm!

Ishte një ndër lumenjtë më të bukur që kishim, por që nuk do ta kemi më.

Banorët që e kan mbrojtur me gjak nga pushtuesit, nuk e mbrojtën dot nga pushtetarët e panginjun.

Lumi do të futet nëpër tuba çeliku dhe atraksioni kryesor në zonën e Kelmendit nuk do të jetë më.

Cemi i bukur e ndalon këtu udhëtimin e tijë miliona vjeçarë, prej dorës barbare të njerëzve që i ushqeu, ju dha emër e lavdi.

Kështu pra vdes turizmi dhe çdo lloj tjetër mundësie për të zhvilluar zonën, vetëm e vetëm për të majmur financiarisht oligarkët të cilët sa më shumë vjedhin nga pasuria jonë aq më të pangopur bëhen.

Duhet të kenë qenë njerëz me gozhdë në kokë firmosësit e marrinave të tilla, sepse nuk ka asnjë logjikë a arsye tjetër….!

Numri i konçensioneve shkatërruese në lumenjtë tanë ka kapur shifrën 714. Sipas PORTAVENDORE.AL, rreth 60% e konçensioneve janë dhënë në vitin 2017 (https://portavendore.al).

Kemi thyer rekordin botëror për marrëzi!

Sado të shkruash a flasësh, nuk vlen më tani….vendimi është marrë, Cemi përjetësisht në burg!

Sa per informacion (i pavlefshëm tashmë);

Lumi Cem ka dy degë kryesore; Cemi i Vuklit i gjatë 17.9 km dhe Cemi i Selcës me gjatësi prej 22.5 km, që bashkohen te ura e Tamarës. Në pjesën e Malit të zi lumi bashkohet me Moraçën në afërsi të Pdgoricës dhe derdhet në liqenin e Shkodrës në Ponari (Mali i zi).