1793 – Shpërthen Kryengritja e Lyonit, që kishte filluar në qershor. Lyoni ishte i vetmi qytet në Francë përveç Parisit me një popullsi mbi 100.000 banorë. Revolta ishte kundër Konventës Kombëtare, pra ishte një lëvizje kundër-revolucionit francez, dhe u shtyp në dhjetor të po atij viti.
1876 – Shpikësi Thomas Edison merr një patentë për shaptilografin të tij. -pajisja e re u përhap me shpejtësi – ajo kushtonte shumë pak në krahasim me të shtypurit tradicional dhe nuk kishte nevojë për punëtorë radhitës e të kualifikuar – pasardhësi i shaptilografit u bë makina e kopjimit që filloi të përdorej për herë të pare në vitet 1970.
1879 – Në një fshat të thellë të Meksikës lindi Emiliano Zapata Salazar – figurë e revolucionit meksikan, udhëheqësi kryesor i revolucionit fshatar në shtetin e Morelos, dhe themelues i lëvizjes agrare të quajtur Zapatismo. Emiliano Zapata vazhdon sot e kësaj dite, sidomos në jug të Meksikës, të jetë simbol i lirisë fshatare dhe dëshirës për një cope tokë, veçanërisht mes banorëve autoktonë. Historianë thonë se në periudhë afatgjatë, Zapata bëri më shumë për idealet e tij në vdekje sesa në jetë.
Si shumë idealistë, Zapata u bë martir, pas vrasjes së tij të pabesë. Edhe pse Meksika ende nuk ka zbatuar llojin e reformës së tokës që Zapata donte, ai kujtohet si vizionar a largpamës që luftoi për bashkatdhetarët e tij. Ka debate në lidhje me portretizimin e Emiliano Zapatës dhe pasuesve të tij; nëse ishin banditë apo revolucionarë. Por në kohët moderne, Zapata është një nga heronjtë më të nderuar të Meksikës. Shumë libra janë shkruar, këngë kënduar e filma realizuar për Zapatën; Filmi që shqiptarët mbajnë mend është Viva Zapata (prodhim amerikan,1952) me Marlon Brandon në rolin e Zapatës dhe Anthony Quinn në rolin mbështetës të Panço Vilës; drejtori i filmit, Elia Kazan; skenarist, shkrimtari i njohur John Steinbeck.
1885 – Më shumë se 1.5 milionë njerëz marrin pjesë në funeralin e Ulysses S. Grant (63 vjeç) në New York. Si Komandant i Përgjithshëm, Grant kishte udhëhequr ushtrinë e Bashkimit duke dalë fitues ndaj ushtrisë së Konfederatës në Luftën Civile Amerikane. Pas Luftës Civile, Grant shërbeu dy mandate si president dhe punoi për të stabilizuar vendin gjatë periudhës së trazuar së Rindërtimit të pas luftës. Më 14 prill 1865 Lincoln (56 vjeç) u qëllua për vdekje nga John Wilkes Booth në Teatrin Ford dhe vdiq të nesërmen në mëngjes.Vrasja ishte pjesë e një komploti që kishte në shënjestër një numër drejtuesish të qeverisë. Po atë ditë, gjeneral Grant mori pjesë në një takim të kabinetit, dhe Linkolni e ftoi atë dhe gruan e tij në teatër, por Grant i tha se kishte plane të tjera. Shumë njerëz, përfshirë edhe vetë Ulysses Grant, mendonin se Grant kishte qenë objektiv i komplotit. I pranishëm në funeralin e Linkolnit më 19 prill 1865, Ulysses Grant qëndroi i vetëm dhe qau haptas, duke thënë: “Linkolni, ishte pakontestueshëm njeriu më i madh që kam njohur ndonjëherë”.
1974 – Presidenti Richard Nixon, në një fjalim televiziv në mbarë vendin, njoftoi dorëheqjen duke filluar nga mesdita e ditës së nesërme – Nikson është presidenti i parë dhe i vetmi që ka dhënë dorëheqjen nga kreu i Shtëpisë së Bardhë.