MENU
klinika

Shpëtim Nazarko

Ka një Shqipëri tjetër, që tallet me ne të gjithë

07.08.2019 - 17:21

       Bëhuni burra! Rrëmbeni kazmat! Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla. E mbi të gjitha heshtni! Jo fjalë, por kazmën. Jo mbledhje, por kazmën. Jo misione, por kazmën! Dhe parmendën, dhe draprin, dhe shoshën, dhe furrën. Mjaft lëvdime. E kam zemrën aq të mbushur me lot sa s’qaj dot.

(F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 214).

 

 

Për atë që e ka ndjekur skenën politike këto tridhjetë vjet, mund të krijohet një përshtypje që, në rastin më të mirë, jemi duke u shtriqur brenda kurioziteteve të telenovelave turke. Dhe po të duash, këtë lloj përshtypje e forcojmë a e shtyjmë edhe ca më shumë, në atë kuriozitetin për periudhën që e quajmë “Bllok”.

Të duket se ndjek deri në pafundësi, seritë e “Sulltaneshës Kosëm” e asgjë më tepër. Është ky tipar i shoqërisë sonë, thuajse orientale, që e mban fatin e saj, në një vijë të lidhur e të pandërprerë me atë të Turqisë. Ka shumë të ngjarë që po.

Po duket se ka dhe diçka tjetër, përveç këtij shikimi mistrec…

Vetë, vërej se më shumë klike dhe shikime ka në portalin “Konica”, që drejtoj, të mjeshtrit të madh me të njëjtin emër.

Njerëzisë po i bën shumë më pak përshtypje ajo që quajmë politikë ditore, qoftë kjo e majtë, apo e djathtë. E Bashës, apo e Ramës. E duket se i drejtohen gjithnjë e më shumë mjeshtrave të mëdhenj, që themeluan Kombin.

Duket se është përshtypje libreske dhe jo e vërtetë. Aq më tepër, kur kjo e vërtetë e thënë më lart, shihet në portal – një zhanër ky, më pak serioz se ata të tjerët, që përpiqen të komunikojnë me popullin.

Po më duket se, ka diçka të vërtetë në këtë që thashë më lart.

Profesor Selami Xhepa, shkruante ca ditë më parë, se Shqipëria e një viti më parë, kishte dërguar jashtë me studime, 24 mijë studentë. Shuma e shpenzuar prej tyre, sipas llogarive po të profesorit, ishte 250 milionë euro, apo gati më shumë se 1 000 euro për person. Për llogari të shkrimit, Profesor Xhepa bënte llogarinë se, bashkë me shumën e harxhuar nga shteti në arsim, ajo i kalonte 5 për qind të GDP-së tonë.

Një burokrat i shtetit, do të ishte i lumtur nga kjo shifër e mund edhe të na qesëndiste, duke thënë: E sheh, sa mirë! Populli po arsimohet dhe sipas mundësive, ca zgjedhin të rrinë këtu, ca të ikin jashtë. Kështu që nuk ka pse të bëhesh merak!

Përgjigja më e thjeshtë që të vjen nëpër mend, është: Ka një Shqipëri tjetër, që ekziston jashtë asaj politikës ditore që na mban në nivelin e telenovelave turke, duke e zvarritur zhvillimin e vendit deri në përjetësi.

Po ku vete e gjithë kjo masë studentësh?

Në një histori që i atribuohet Pjetrit të Madh, që krijoi Rusinë moderne, tregohet se ai i mblodhi gjithë pasanikët e vendit të tij dhe u tha: Dërgojini djemtë jashtë për t’u arsimuar dhe kur të kthehen, unë do tua rris titullin që keni, në “kont”, “dukë” etj., etj.

kolana e librave

Po a është e tillë, kjo lëvizje kolosale studentësh? A është porosi e udhëheqjes së lartë, apo diçka tjetër?

Në këto 30 vjet, “borgjezia e re” nën shembullin e asaj lindore ish-komuniste, dërgoi djemtë e vajzat e e saj, për arsimim jashtë. Mund të themi me fjalët e të vjetërve, se një pjesë e tyre “e panë shkollën dhe nuk i pa ajo”, por një pjesë edhe u arsimua realisht.

Pjetri  i Madh, me ta kërkoi të ndërtonte Rusinë që kishte në mendje dhe e financoi sa mundi një lëvizje të tillë, po a është e njëjtë kjo, tek ne? Unë nuk e besoj! Ai që shikon arsimin e lartë, po dhe atë profesional të këtyre tridhjetë vjetëve, e kupton se midis asaj që u tha më lart dhe shakasë tonë, nuk ka asnjë lidhje.

Për kohë të tëra, qeveritë lejuan në emër të liberalizimit, gjithfarë kioskash e rraqesh të tjera, që i quanin arsim të lartë. Krijuan diploma dhe vende pune që jo vetëm nuk ndihmuan vendin, po as veten e tyre. Në më të shumtën e rasteve, vetëm se penguan atë masë që Profesor Xhpepa, llogarit në artikullin e tij.

Ku po vemë?

Profesor Xhepa, flet për ngritjen e një sitemi të ri arsimor që t’i shërbejë vendit. Sa mundet kjo ide, të arrihet në praktikë? Në vazhdën e telenovelave turke, besoj që pak e kanë lexuar Profesor Xhepën. Ndoshta një pjesë edhe nën zë, mund ta kenë akuazuar se, tani që është diku i punësuar në një universitet privat, kërkon me studimin e tij, të ndihmojë a të subvencionojë pikërisht këtë universitet.

Ajo që duket drejpërdrejt është se shifrës dhe përfundimeve të tij, iu dha pak jehonë, për të mos thënë fare. Të gjithë po vazhdojnë të shikojnë telenovelën turke, tridhjetëvjeçare. Po në qoftë se këtë akuzë, mund të thotë dikush, mund t’ia bësh qeverisë, se ajo ka pjesën e luanit në këtë faj, çfarë mund t’u thuash të tjerëve.

Duke qenë dëshmimtar dhe pjesëtar i shtypit për tridhjetë vjetët e tranzicionit, them pa m’u dridhur dora, se shikues telenovelash nuk janë vetëm ata që qeverisin, por dhe akademikë dhe profesorë, gazetarë dhe kategori gjithfarësh që shkruajnë pa fund e mbushin gazeta dhe portale, studio televizonesh, përditë.

Asnjë nuk flet. Mund të jenë me gishtat e dorës, artikujt që merren me ekonominë reale a me idetë e shkollave të larta, apo profesionale.

Si e shoh vetë, shifrën e Profesor Xhepës?

Kohë më parë dhe këtë e kam përmendur në një shkrim tjetër, duke analizuar ngjarjet në Bullgari, me tonet dhe mënyrën tonë të të analizuarit, përkundrejt pesimizmit të sallës, një poet tha:

Shikoni, Bullgaria do të rrojë. Në fund, fshatari do t’i thotë të birit “Ngrehu e rrëmbe kazmën të punojmë, se këta janë të gjithë të çmendur”.

Besoj se Shqipëria, nuk e ka arritur këtë fazë të ndritshme. Po ndërkaq, ajo shifra me 24 mijë studentë që shkoi për studime jashtë, më bind gjithnjë e më shumë, për diçka tjetër. Poshtë apo anash nesh, ka një Shqipëri tjetër, që tallet me të gjithë ne. Sheh me mundime, si t’i shpëtojë lakut të qeverisjeve banale që e kanë vënë poshtë Shqipërinë dhe po i marrin frymën. E me instiktin e të parëve të tyre themelues, përpiqet të bëjë një Shqipëri tjetër.

E ca më shumë besoj, se, sado që ta pengojnë, nuk do të jetë e largët koha, kur do t’i vërvisë në humnerë regjisorët dhe aktorët e telenovelës turke, që mishërohen aq shumë te “Sulltanesha Kosëm”.

Mund ta kem dhe gabim, po ca më mirë është të besoj dhe të besojmë, se kështu do të ndodhë…