MENU
klinika

Botohet në Itali "Prilli i thyer"

Kanuni, gjakmarrja, besa shqiptare ‘bredhin botën’

07.08.2019 - 18:37

       Ky libër është publikuar në dhjetëra gjuhë, sikurse edhe ekranizuar disa herë. Një prej librave më të mirë të letërisë shqipe, “Prilli i thyer” i shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, sheh dritën e botimit tashmë edhe në Itali.

Libri vjen nga botimet “La nave di Teseo”, themeluar më 2015-ën, nga botuesja Elisabetta Sgarbi dhe shkrimtari Umberto Eco, të cilët u larguan nga Shtëpia Botuese “Bompiani”, kur këtë të fundit e bleu vajza e Berlusconit.

 

 

 

“Prilli i thyer” është roman që mjeshtërisht e kthen në fakt artistik, aktin më të lartë dhe më të lashtë juridik të shqiptarëve. Ky libër, që për temë ka besën, gjakmarrjen dhe kanunin në krahinat malore të Shqipërisë Veriore, është përkthyer dhe botuar në dhjetëra gjuhë, po ashtu është bërë film disa herë.

 

 

 

 

***

Personazhi kryesor, Gjorgu, detyrohet të hakmerret për shkak se këtë e kërkon Kanuni, që është përdorur me shekuj në vendin ku ai jeton.

Ky roman fillon me personazhin kryesor Gjorgun që ka zënë pritë dhe pret hasmin të shfaqet për t’ia marrë gjakun vëllait. Pas marrjes së gjakut jeta e tij hyn në një periudhë të re kur ai është i shënjuar për tu vrarë nga famijla me të cilën ishin në gjak. Romani i kushtohet bredhjeve të personazhit kryesor nëpër bjeshkë për t’i kryer detyrimet dhe për t’i gëzuar ditët e mbetura të lirisë para se të mbyllej sipas traditës në kullën e ngujimit.

Paralel me këtë linjë, jepet linja tjetër, e ardhjes së një çifti të porsamartuar nga kryeqyteti për ta kaluar muajin e mjaltit në Rrafsh./Konica.al