MENU
klinika

Mbeten edhe 900 mijë të tjera

Kartat e pasaportat e skaduara, deri në qershor 500 mijë aplikime

09.08.2019 - 21:21

2019-ta është viti në të cilin pasaportat dhe kartat e identitetit të lëshuara në 2009-ën humbin vlefshmërinë.

Në total, janë 1 milion e 400 mijë shqiptarë të cilët do të duhet të aplikojnë sërish për pasaportë ose kartë identiteti. Por, sa është numri i atyre që ende nuk kanë aplikuar?

Zv. Ministrja e Brendshme, Rovena Voda, në një prononcim për mediat nga zyra e aplikimit në Vlorë u shpreh se deri në korrik ka pasur 500 mijë aplikues për pasaportë biometrike ose kartë identiteti, ndërkohë që 900 mijë shqiptarë, ende nuk kanë aplikuar.

Veçanërisht, Ministria përmendi qytetarët të cilët kanë qënë të parët që ju kanë skaduar pasaportat dhe kartat e identitetit.

“U bëj thirrje atyre sepse ata duhet të jenë të parët që duhet të vijnë dhe të aplikojnë, sepse shumë shpejt Ministria e Brendshme, ne do të krijojmë dhe një plan pune, ku do t’i ndajmë me fasha, pra sipas periudhave të aplikimit dhe sigurisht që do të jenë të kufizuar në aplikime.

Kështu që unë do t’iu lutesha atyre që tashmë ju ka skaduar kohë më përpara të vijnë sa më parë dhe të aplikojnë” theksoi Ministria Voda.

Së fundmi, zyrat e aplikimeve në pika të ndryshme të Shqipërisë kanë ndjerë fluks të madh, kjo edhe për shkak të emigrantëve.

Megjithatë, gjatë vizitës në zyrën e aplikimit në Vlorë, Ministria e Brendshme tha se për të evituar fluksin, zyra do të qëndrojë e hapur edhe në fundjavë.

“Ne do të mundësojmë që edhe në fundjavë, pra edhe ditën e shtunë, zyra patjetër që të jetë hapur, por kujtoj qytetarët që mund të vijnë të aplikojnë edhe ditën e hënë, që është ditë pushimi, pra është ditë feste zyrtare.

Por për të gjithë këta punonjës që ju shikoni këtu, nuk do të jetë një ditë pushimi, pra zyra do të jetë e hapur ditën e hënë, qytetarët mund të vijnë dhe të aplikojnë” shtoi Voda.

Gjatë fjalës së saj, Ministria e Brendshme tha se në muajin gusht është ndjerë bum-i më i madh i aplikimeve, megjithatë do të duhet të presim deri në përfundim të tij për statistikat.