MENU
klinika

Protestat në Hong Kong

Kina është gati të ndërhyjë me forcë

16.08.2019 - 16:38

Kina paralajmëron se nëse Hongkongu nuk do arrijë vetë të rikthejë rendin publik dhe protestat e dhunshme do të përshkallëzohen, mund të ndërhyjë forcërisht në vend.

Tensionet mes rajonit gjysmautonom dhe Pekinit po shqetësojnë edhe Uashingtonin, i cili fton Presidentin kinez ta zgjidhë konfliktin me negociata.

Kina po sheh mundësinë e ndërhyrjes me forcë për të shuar valën e protestave që kanë mbërthyer prej muajsh rajonin e saj gjysmautonom të Hongkongut.

“Pekini deri tani ka vendosur të mos ndërhyjë forcërisht kundër manifestimeve të dhunshme, por opsioni është në dispozicionin tonë,” informoi gazeta zyrtare e partisë në pushtet.

“Mijëra policët e armatosur dhe automjetet e blinduara të parkuara në kufi me qytetin janë një paralajmërim i qartë për dhunuesit. Nëse nuk sigurohet rendi publik dhe protestat do të intensifikohen, qeveria qendrore do të duhet të veprojë,” shtoi mediumi i Partisë Komuniste.

Zyrtarët kinezë thanë të premten se aktet e dhunshme po përshkallëzohen me kalimin e javëve, duke kaluar nga sulmi ndaj forcave të policisë, te bllokimi i trafikut aeroportual, kërcënimi i qytetarëve apo përdhosja e flamurit dhe stemës shtetërore.

Tensionet e ditëve të fundit kanë shqetësuar edhe administratën amerikane.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të enjten se do të flasë në telefon me homologun kinez, Shi Xhinping, për t’i kërkuar që të ulet dhe të negociojë për kërkesat e protestuesve.

Tre demonstrata të tjera pritet të mbahen ditën e shtunë në qendrën e Hongkongut.

Protestat, dhe një manifestim më masiv ditën e diel, sipas organizatorëve kanë për qëllim të tregojnë mbështetjen që ende gëzojnë kauzat e tyre për reforma demokratike dhe anulimin total të ligjit të ekstradimeve.