MENU
klinika

Monumenti 630-vjeçar

Kisha e Ristozit në Principatën e Muzakajve

08.08.2019 - 12:44

Kisha e Ristozit në Mborje, i është shtuar listës së destinacioneve për t’u vizituar në Korçë, pas rikonstruksionit. Kjo kishë është ndër më të vjetrat në Ballkan.

Kisha e Ristozit është një nga monumentet e rëndësishëm të periudhës së vitit 1389, që i dedikohet Shën Mërisë. Afreskët e saj janë realizuar nga piktorë anonimë, në vitin 1390. Ajo njihet si vend i shenjtë që ndihmon njerëzit. Në ditën që Krishti mbush 40 ditë nga ringjallja, ky vend i shenjtë vizitohet nga mijëra besimtarë të fesë ortodokse.

 

 

 

 

Faza e tretë e ndërhyrjes konsistoi në çlirimin nga shtresa e betonit të armuar mbi kupolë, pastrami i trotuareve për të shmangur depërtimin e ujërave të reshjeve në themelet e ndërtesës, si dhe ripërdorimi i tjegullave origjinale në këtë objekt të trashëgimisë.

Gjatë zbulimit të objektit në fazën e parë të restaurimit (nëntor 2014), u gjetën modelet e tjegullave origjinale të periudhës bizantine, me të cilat ka qenë mbuluar fillimisht ky monument. Këto tjegulla kanë përmasa 55x33x3cm. Ripërdorimi i tjegullave të tilla, rivlerësoi imazhin e monumentit duke sjellë më të qartë arkitekturën dhe tipologjinë e tij.

 

 

 

 

 

Një element tepër i rëndësishëm që karakterizon përmbajtjen e objektit dhe në funksion të tij është kambanarja. Aktualisht ajo është e pozicionuar jashtë kishës, e vendosur në konstruksion druri te dëmtuar në vite dhe komplet i degraduar.

 

Kisha e Ristozit është një nga objektet e kultit që është ndërtuar më herët në Ballkan. Ka disa versione për kohën e ndërtimit të saj. Sipas njërit prej versioneve, kjo kishë është ngritur në vitin 896 nga Shën Klementi, ndërsa në një version tjetër flitet për gjysmën e shekullit të XIV-t. ]Kisha është ndërtuar në rrëzë të malit të Moravës, në juglindje të Korçës. Afreskët e saj janë realizuar nga piktorë anonimë në vitin 1390. Ajo njihet si vend i shenjtë që ndihmon njerëzit. Në ditën që Krishti mbush 40 ditë nga ringjallja, ky vend i shenjtë vizitohet nga mijëra besimtarë të fesë ortodokse

 

 

 

 

Territori ku është ndërtuar kjo kishë gjendej asokohe, në Principatën e Muzakajve. Klasa feudale drejtonte ekonominë dhe jetën politico-shoqërore të vendit. Në vitet 1389-1390, ai që dha të hollat për ndërtimin e saj ishte peshkopi Nimfoni. Kisha e Ristozit është një kapelë mjaft piktoreske nga trajtimi i jashtëm dhe proporcionet e goditura. Ajo bën pjesë në grupin e kishave me kryq të brendashkruar pa mbështetje të brendshme. Hapësira qendrore e saj është naosi, i cili ka një planimetri katërkëndëshe kënddrejtë, një nefshë, dhe me kupole. Ai komunikon me ambientin shtesë (hajatin) me anë të dy portave të hapura, njëra në murin jugor, e tjetra në atë perëndimor të naosit. Lartesia e pikës më të lartë është 7.5M.