MENU
klinika

Koalicionet partiake

Kosovë, tjetër skenar në prag të zgjedhjeve?

24.08.2019 - 09:32

Derisa gjithë matematikat e partive të tjera e dërgojnë PDK-në në opozitë, nënkryetari i kësaj partie Xhavit Haliti ka paralajmëruar një skenar të ri në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

I pyetur nëse do të lidhin koalicion me ndonjërën nga partitë, Haliti ka deklaruar se pritet të ketë befasi të këndshme, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Pikërisht në ditën kur u zyrtarizua koalicioni i dytë parazgjedhor më mes të dy subjekteve, AKR-së së Behxhet Pacollit dhe Nismës Socialdemokrate të Fatmir Limajt, përfaqësues të PDK-së, parti kjo e cila është në pushtet që nga paslufta, kanë paralajmëruar thyerjen e të gjitha matematikave të subjekteve politike.

Nënkryetari i kësaj partie Xhavit Haliti, i pyetur nëse PDK-ja do të shkojë e vetme ose në koalicion me ndonjë parti në zgjedhje, ka deklaruar për “Zërin” se në cilindo variant PDK-ja do t’i fitojë zgjedhjet.

Haliti duke mos dashur të japë më shumë detaje, tha shkurt se ditëve në vijim do të ketë befasi të këndshme nga ana e PDK-së.

“Në secilin variant qoftë në koalicion, qoftë e vetme PDK-ja do të dalë fituese e zgjedhjeve. Kjo është me rëndësi. Të tjerat janë çështje kohe, çështje e marrëveshjeve të mundshme, por edhe nëse shkojmë vetë ne do t’i fitojmë zgjedhjet. Nuk kemi biseduar akoma me partitë politike, por besoj se do të ketë befasi të këndshme”, ka thënë ai për “Zërin”.

Ndërkohë matematikat e të gjitha partive deri më tani e dërgojnë PDK-në në opozitë. Dy partitë që para disa ditësh lidhën koalicion, AAK-ja e PSD-ja, kanë përjashtuar çfarëdo mundësie të bashkëpunimit me PDK-në, njësoj siç kanë vepruar edhe dy partitë e tjera opozitare, LDK-ja dhe LVV-ja.

Ndërkohë të vetmit që deklarativisht nuk janë shprehur kundër një bashkëpunimi me PDK-në është koalicioni që u arrit dje, Nisma dhe AKR-ja.