MENU
klinika

Normat më të ulëta të interesit

Kredia për individë shënon rritje

15.08.2019 - 19:52

Kredia për individë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) vlerësohet në rreth 12.2%, në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit.

Ky raport është luhatur në të njëjtat nivele në tre vitet e fundit, duke konfirmuar ecuri relativisht të qëndrueshme të këtij portofoli në raport me rritjen e aktivitetit ekonomik në vend.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, zgjerimi i kredisë për individë mbështetet gjerësisht nga ecuria pozitive e kredisë hipotekare, e cila ka përshpejtuar normat e rritjes, veçanërisht në dy vitet e fundit.

Ky përmirësim rezulton në linjë me rigjallërimin e aktivitetit të tregut të banesave dhe përmirësimet në tregun e punës, gjatë kësaj periudhe. Nga ana e ofertës, ai reflekton lehtësimin e vazhdueshëm të kushteve të kreditimit për këtë segment nga sistemi bankar.

Kredia për individë/ Normat më të ulëta të interesit

Interesat e kredisë për individë ngelen pranë niveleve më të ulëta historike. Sipas Bankës së Shqipërisë, interesi mesatar për kreditë në lekë në tremujorin e dytë të vitit ishte 6.6%, i njëjtë me tremujorin paraardhës. Por, interesat rezultojnë më të ulëta se gjysma e dytë dhe mesatarja e vitit të kaluar, duke konfirmuar kështu prirjen e lehtë rënëse.

Sipas qëllimit të përdorimit, në tremujorin e dytë të vitit vijoi ulja e normave të interesit për kreditë konsumatorë, ndërsa interesat për kreditë hipotekare regjistruan një rritje të lehtë. Nga analiza e interesave sipas madhësisë së institucioneve bankare, rezulton grupi i bankave të mëdha aplikon marzhe mesatarisht më të ulëta se grupi i bankave të vogla. Gjithsesi, interesat e bankave të vogla për kredi hipotekare në këto tre muajt e fundit, kanë shfaqur ecuri rënëse, duke iu afruar atyre të bankave të mëdha.

Kredia për individë në mesin e këtij viti kishte vlerën e 190 miliardë lekëve ose në rreth 12.2% të Prodhimit të brendshëm Bruto. Ky raport është stabilizuar afërsisht në të njëjtat nivele gjatë tre viteve të fundit, duke konfirmuar ecuri relativisht të qëndrueshme të portofolit në raport me rritjen e aktivitetit ekonomik në vend.