MENU

Perimet e duhura

Luftoni 8 lloje të ndryshme qelizash njerëzore kancerogjene

18.08.2019 - 15:01

Sipas një raporti historik të Institutit Amerikan të Kërkimeve për Kancerin, çdo efekt i dietës me bazë bimore, i detyrohet jo vetëm përjashtimit të mishit, por edhe përfshirjes së një game të gjerë ushqimesh bimore, të cilat përmbajnë një shumëllojshmëri substancash që parandalojnë kancerin.

Me fjalë të tjera, vetëm heqja e mishit nga dieta nuk është e mjaftueshme; është e nevojshme që të hani sa më shumë ushqime bimore, të papërpunuara, e të shëndetshme që të mundeni. Të hënat pa mish janë fantastike, por janë edhe më fantastike kur ndiqen nga të martat me domate, të mërkurat me lakërishte, e kështu me radhë.

Perime të ndryshme mund të luftojnë lloje të ndryshme kanceri, madje ndonjëherë edhe kur bëhet fjalë për të njëjtin organ. Për shembull, lakra, lulelakra, brokoli dhe lakra e Brukselit, lidhen me uljen e rrezikut të shfaqjes së kancerit të zorrës së trashë, në mes dhe në anën e djathtë të trupit, ndërsa rreziku i shfaqjes së tij në anën e poshtme dhe të majtë të trupit, ulet më shumë nga karotat, kungujt dhe mollët.

Një studim i jashtëzakonshëm i botuar në revistën “Kimia e ushqimit” përballi 34 perime me 8 lloje të ndryshme qelizash njerëzore kancerogjene: ato të kancerit të gjirit, të trurit, të veshkave, të mushkërive, të trurit fëmijëror, pankreasit, të prostatës dhe stomakut.

Marrim si shembull kancerin e gjirit. Shtatë perime (patëllxhani, lakra kineze, karota, domatja, radhiqet, zhardhoku i finokut dhe marulja romane) ishin të padobishme dhe treguan se nuk e frenonin rritjen e kancerit të gjirit, kurse gjashtë perime të tjera (speci portokalli, kastraveci anglez, lakra e kuqe, speci djegës, patatja dhe panxhari) pothuajse e përgjysmuan rritjen e kancerit, por pesë perime (lulelakra, lakra e Brukselit, qepa e njomë, preshi dhe hudhra) shfuqizuan tërësisht rritjen e kancerit, duke ndaluar totalisht shtimin e qelizave kancerogjene të gjirit.

Nga ky studim mbresëlënës mund të marrim dy mesazhe të rëndësishme.

I pari është se duhet që të konsumoni shumë perime. Rrepat, për shembull, ishin tërësisht të paafta për të ndaluar rritjen e qelizave kancerogjene të pankreasit. Megjithatë, ishin 100 për qind efikase në ndalimin e rritjes së qelizave kancerogjene të stomakut.

Specat ngjyrë portokalli ishin të padobishëm ndaj kancerit të stomakut, por ishin në gjendje të frenonin më shumë se 75 për qind rritjen e qelizave kancerogjene të prostatës.

Sipas fjalëve të studiuesve, një dietë e larmishme, që përmban disa klasa të dallueshme perimesh (për rrjedhojë edhe fitokimikatesh) është thelbësore për parandalimin efektiv të kancerit.