MENU
klinika

Shpëtim Nazarko

Luli, ka një formulë të thjeshtë për të mundur Ramën!

09.08.2019 - 13:50

      Vërvitur andej-këndej në Shqipëri, e dëgjoj thuajse çdo ditë, Kryetarin e PD-së, duke akuzuar Ramën. Shprehja më e çuditshme për çdo njeri që ka lexuar në jetë ndonjë libër, është ajo që i thekson thuajse çdo ditë, në anabaset e tij ”Hajdut psiqik’. Një zot e di, ku e ka kopjuar këtë shprehje pa kuptim.

Në pamjen e parë, duket se kjo thirrje, është një tentativë e përkohshme për të mbajtur rreth vetes militantët e partisë.

Po nuk është kështu. Shkruar shpesh herë, shprehja “Ky është hajdut apo kapeni hajdutin” është përsëritur pa fund, këto tridhjetë vjetët e tranzicionit. Thënë nga të majtë e të djathtë, kur duan të mundin kundërshtarin.

Kjo përsëritje, kam frikë, se nuk të shpie më gjëkundi. Ashtu siç thonë filozofët, thirrja ka qenë tipike në Lindjen e Lashtë, për faktin se mungonte prona private.

Përkundër sharjeve ku shquan së fundi, ajo e përmendura më sipër, Basha tregon sesi do të rregullojë nivelin e taksave etj., etj., duke u zhytur gjithnjë e më shumë në botën e numrave, ku shpesh ngatërrohet edhe vetë, si një çunak që nuk di tabelën e shumëzimit.

Për t’i rënë shkurt, një strategji e tillë që vazhdon prej tridhjetë vjetësh, ku u rrit, u plak dhe po vdes klasa e vjetër politike, nuk vlen më. Ajo shërben vetëm për të ushqyer, por edhe këtu vetëm në formë, po jo në përmbajtje, militantët e thekur, apo “idiotët e dobishëm”, siç thoshte dikur për ta, një nga ish-shefat e komunizmit botëror, me emrin Lenin.

Nuk është ndonjë çudi e madhe, që taktika e ndjekur prej Bashës, apo atij që do ta kopjojë nesër atë, në këtë lloj forme, nuk të shpie asgjëkundi…

Po a ka formulë, për të mundur Ramën?

Është e thjeshtë besoj dhe vlen jo vetëm për të, por edhe për secilin që ka qejf të marrë frenat e qeverisjes në Shqipëri.

A e ka pyetur veten ndonjëherë, Basha, çfarë vendi do të qeverisë nesër, nëse vërtet zotat do t’ia bënin këtë dhuratë?

Çfarë është ky vend? A ka strategji kombëtare  që e kanë përpunuar të parët dhe që duhet ta zbatojmë ne që vijmë pas tyre, apo një gjë e tillë, as i ka vajtur mendja ta artikulojë si term?

Ka 120 vjet që Samiu i Madh, e ka artikuluar në librin e njohur të tij “Shqipëria çka qenë, çfarë është e çfarë do të jetë.” Ka humbur në pellgun e kujtesës megjithëse është i pari dhe i vetmi shkrim për këtë vend.

Edhe Samiu do të mjaftonte, po nëse libri i tij do të ishte detyrim në shkolla e në leksione, për ata që duan të qeverisn vendin me emrin Shqipëri.

(Besoja në parantezë se sivjet qeveria, opozita, apo Akademia e Shkencave do ta kujtonte në një formë a në një tjetër, këtë libër të një prej themeluesve realë të Kombit).

 

 

 

 

 

 

Nëse Basha do të tregonte se, vërtet do të qeveriste këtë vend nesër, duhet të na tregonte idetë themelore:

Çfarë është ky vend? Tranzit apo periferik, qëndror apo humbëtirë?

kolana e librave

Çfarë është ky vend, bujqësor e blegtoral, apo industrial?

E mbi bazën e këtyre të dhënave, që i përpunojnë a i artikulojnë ata që i rrinë afër partisë së tij, po që nuk janë zëdhënës-papagallë shtypi, tregohet se cilët janë ligjet më të rëndësishme që duhen dërguar në parlament.  E së fundmi, cila pjesë e arsimit i shërben këtyre qëllimeve që përbëjnë themelin e Strategjisë kombëtare.

Ai që do të bëjë kritikën e kësaj mënyre të menduari, më parë se të vërë re gabimin tim në arsyetim, duhet të kujtojë një gjë të thjeshtë: që pas përmbysjes së sistemit komunist, që ishte një kopjim i shëmtuar i ekonomisë sovjetike, vendi ka ngelur i hapërdarë, pa kokë e pa këmbë.

E megjithë këtë fatkeqësi kombëtare të komunizmit, sistemi i Hoxhës ishte më serioz, kur nëpërmjet planeve përcaktonte një zhvillim vendi, që sido që ta gjykosh, përmbante një qëllim të caktuar.

I hedhur poshtë me të drejtë, ai nuk mund të zëvëndësoshej me kioskëzimin e pafund, apo rrumpallën e krijuar. Të gjithë e prishin apo ëndërrojnë ta zëvëndësojnë shtëpinë me vile, po jo me kasolle.

E për ta theksuar këtë tmerr, duhet thënë po me zë të lartë, se asnjë që ka komanduar këtë vend për tridhjetë vjet, nuk ka shkruar asnjë rresht të vetëm e jo një artikull, se çfarë vendi kërkojnë të udhëheqin. Merrini me radhë e do të shikoni…

Një shembull i thjeshtë, mund ta ilustronte këtë sa më sipër. Shumë mund t’i mundonte ideja, si ka mundësi që Nano ekonomisti, humbi në 2005-ën kundër një Berishe, që për shkak jo vetëm të “piramidave”, po dhe të rrumpallhanës në urbanistikë, të prishjes së pyjeve, ujërave dhe tokës bujqësore, ndërtimeve pa plan etj., nuk duhet të rivinte kurrë në pushtet.

Ka një arsye të thjeshtë që populli e nuhat më mirë se kushdo, se kur duhet të të heqë nga atje ku ke hipur. E dallon dembelin dhe parazitin e njeriun pa plan…

Po për të bërë Strategjinë Kombëtare, duhen stafe jo militantësh, apo puthadorësh rrotull teje, por profesorë akademikë, a njerëz me përvojë të diplomuar këtu apo jashtë.

Basha nuk e kupton, se me këtë mënyrë në të cilën vërvitet lart e poshtë Shqipërisë, tani po dhe më parë, nuk e mund kurrë Ramën.

Thjesht, se ky edhe sikur t’i marrim të mirëqena akuzat e Bashës, apo të kundërshtarëve të tij, ai ka një dorë më të saktë dhe një shije më të hollë se paraardhësit, në atë që bën. Megjithëse dhe tek ai, vërej që i mungon ajo që e quaj Strategji kombëtare dhe shumica e atyre që i vijnë rrotull, janë si ata që mban po Basha, rrotull tij. Ka një dorë të hekurt në ato që bën.

Dhe kjo, pa dyshim, përbën diferencën e madhe, jo vetëm me Bashën, Berishën, Nanon apo Metën. Është arsyeja e vetme që shpesh kam shkruar me simpati për të, megjithëse ndaj ide fare të ndryshme prej tij, për zhvillimin e vendit.

Ka vetëm një rrugë, të mundësh Ramën. Është e thjeshtë. Dhe kjo këshillë vlen jo për Bashën, që duket e shkurtoi, apo po e shkurton karrierën e tij politike, pa e filluar ciklin e tij qeverisës.

Rama, nuk mundet duke bërtitur rrugëve të Shqipërisë “Kapeni hajdutin”. As me idenë që ai i ka kapur të tëra dhe nuk kemi përveç Revolucionit demokratik etj. etj.

As me idenë që me të hipur në karrige, do ta dërgosh në burg atë dhe njerëzit e tij.  Kjo mënyrë të shprehuri, në Shqipëri nuk ka më asnjë vlerë. Vendi, megjithë varfërinë e tij, e ka parë Perëndimin dhe qeverisjen e tij. Mënyrën si ndëshkohen hajdutët a të paudhët që e qeverisin.

Rama mundet me ide. Madje, duke u treguar  më parë njerëzve edhe që këtë dhe këtë, ai e ka bërë mirë, por unë do ta bëj më mirë. Do të sjell e zhvilloj ide që shpien përpara Shqipërinë. Dhe idetë nuk janë numra që i përsërit si papagall, duke i harruar a ngatërruar që të nesërmen.

Me këtë taktikë, vetëm të kujton Mark Tuenin e madh, që thoshte… “Gënjeshtra është gjëja që nuk mbahet dot mend asnjëherë”.

Rama mundet me ide dhe me asgjë tjetër.

E gjithë sorollatja rreth e përqark rrugëve të Shqipërisë, nuk do të shpjerë gjëkundi tjetër, po veçse në pakësimin e asaj turme militantësh besnikë, që shpresojnë se Skënderbeu i tyre, do t’i japë fund diktaturës së Ramës.

Formula është e thjeshtë. Në vend të ulërish kundër Ramës, është më mirë të mbledhësh rrotull teje, ata që kanë ide sesi zhvillohet ky vend, jo me numra gagaçësh…

Shkrimi, megjithëse mban kritikën për Bashën, i drejtohet gjithë atyre që ëndërrojnë për veten e vendin. Basha, pavarësisht se çfarë mendoj thellë-thellë për të, është zgjedhur si emër nga që ai ka zënë vendin e kryeopozitarit…