MENU

Ekipi i NBA kthehet në superfuqi

Manjati i Alibaba-s blen Brooklyn Nets!

15.08.2019 - 19:40

Sa do të paguanit për tu bërë pronarët e një klubi sportiv? Joseph Tsai, bashkëthemeluesi i Alibaba, platformës gjigande të shitjeve online, është gati të vërë në pjatë një total prej 2.11 miliardë eurosh për t’u bërë pronari i ri i Brooklyn Nets.

Është shifra më e lartë e paguar ndonjëherë për një skuadër, në çfarëdo lloj sporti. Një vlerësim ky i arritur që në 2018-ën, kur manjati i lindur në Taiwan por që ka nënshtetësi kanadeze, hyri si aksioner në klub me Mikhail Prokorov, rusin që është pronar i Netsave që nga 2010-ta.

Tsai një vit më parë bleu 49% të aksioneve për 900 milionë euro, me klauzolën për të marrë edhe 51 përqindëshin e mbetur për 1 miliardë e 211 milionë euro brenda verës së 2021, dhe ka vendosur ta bëjë këtë lëvizje dy vjet para afatit përfundimtar.

Tsai që sipas revistës Forbes ka një pasuri personale prej 9.9 miliardë eurosh, e di që tani që investimi te Netsat do t’i kthehet mbrapsht bashkë me interesat.

Nëse kur hyri në klub si aksioner, Brooklyn ishte një ndër markat më të këqija të NBA, tani është kthyer në një nga premtueset me një rilindje të konfirmuar ndërsa yjet e mbërritur gjatë verës si Kevin Durant e Kyrie Irving premtojnë të rrisin arkëtimet nga shitja e biletave, marketingu e të tjera me të paktën 10 përqind.

Nuk ka vetëm motive sportive në investimin e TSai, Netsat janë faktikisht skuadra e dytë e Nju Jorkut, tregut më të mirë në Shtetetet e Bashkuara për basketbollin, një lëvizje e mirë ajo për t’u transferuar në Brooklyn në 2012-ën me Knicks skuadrën e parë të New York që mbetet skuadra që vlen më shumë në NBA, plot 3.59 miliardë euro sipas Forbes, pavarësisht se në shekullin e 21-të kanë fituar vetëm një herë një seri në play off. Veç të tjerash me transformimin e Brooklyn Nets nga një skuadër në ndërtim e sipër në një skuadër për titull, është siguruar se arkëtimet do të rriten duke filluar nga të drejtat televizive lokale.

Pastaj është dhe tregu ndërkombëtar, ai që me Tsain, Netsat premtojnë të kapin, një fakt që mund t’i japë Netsave statusin e një skuadre ereferimi të gjigandit aziatik, pikërisht Alibaba , pasi në kontinentin aziatik NBA ka më tepër se 300 milionë ndjekës në rrjetet sociale, ndërsa basketbolli është një sport që praktikohet nga më shumë se 400 milionë njerëz.

Investimi i Tsai te Netsat mund të rritet edhe më tepër, duke qenë se në akord nuk përfshihet pronësia e Barclays Center, arenës “xhevahir” të Brooklyn të inaguruar në vitin 2012.