MENU

FRONTEX në Kapshticë

Lleshaj: Shqipëria po përfiton eksperiencë!

31.08.2019 - 10:29

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, takuan në Pikën e Kalimit të Kapshticës, oficerët e FRONTEX që operojnë në bashkëpunim me Policinë Kufitare për sigurinë dhe menaxhimin e kufirit.

Ministri Lleshaj theksoi se bashkëpunimi me FRONTEX është i rëndësishëm për Policinë shqiptare, jo vetëm në menaxhimin flukseve migratore e luftën kundër trafiqeve, por edhe në përcjelljen e përvojës personale të kësaj force.

Me kënaqësi të veçantë vizitova sot Pikën Kufitare të Kapshticës, ku së bashku me oficerët dhe punonjësit e tjerë të Policisë Shqiptare kryejnë shërbim edhe oficerë policie të FRONTEX nga shumë vende europiane. Bisedova me ta dhe kontatova me kënaqësi se niveli i bashkëpunimit është shumë i lartë, efektiviteti i punës së tyre është i lavdërueshëm. Prej këtij bashkëpunimi Shqipëria po përfiton shumë. Po përfiton në radhë të parë eksperiencë të jashtëzakonshme nga përvoja e Policive të ndryshme europiane, të cilat janë aktive në këtë operacion, por po ashtu Shqipëria po përfiton mbështetje të madhe në menaxhimin e kufijve të saj. Ky operacion, i pari që FRONTEX zhvillon në një vend jashtë BE-së, është një shans i mirë për të treguar nivelin e përgatitjes së Policisë shqiptare, pjekurinë e saj për të bashkëpunuar në nivel europian. Kjo e gjitha është në funksion të përpjekjeve të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian”, tha ministri i Brendshëm.

Oficerët e FRONTEX konfirmuan se bashkëpunimi me kolegët shqiptarë është shumë i mirë, që nga nisja e misionit në maj 2019. Shqipëria është vendi i parë në rajon, me të cilin FRONTEX ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi dhe operon jashtë BE-së, në menaxhimin e integruar të kufijve.