MENU
klinika

Anti-informaliteti

Porto Romano, 233 ton karburant pa akcizë, gjobë subjektit

11.08.2019 - 17:02

Aksioni anti-informalitet ka goditur një tjetër shkelje për sa i përket hidrokarbureve.

Bëhet fjalë për një depozitë me një sasi prej 233 mijë litra benzinë të pa deklaruar. Benzina e pa deklaruar është kapur në Porto Romano në magazinat fiskale gjatë një inspektimi ku në terren ishin Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe Drejtori i Përgjithshëm të Doganave, Arlind Gjokuta, mbi një subjekt, ndër më kryesorët në tregun vendas.

Ndaj subjektit që kishte bërë shkeljen është vendosur një gjobë e majme prej 350 mijë eurove dhe nëse kjo shkelje do të përsëritet gjoba do të jetë deri në 5 fish dhe më pas mbyllja e të gjithë aktivitetit.

Ky zbulim evazioni ka ardhur në saj të aksionit që po ndërmerret në të gjithë vendin tonë për të goditur informalitetin, duke filluar nga plazhet dhe lirimi i zonave publike e deri tek hotelet e komplekset me të famshme të vendit.

Strukturat e Administratës Doganore në kontrollet e tyre janë fokusuar tek sektori i hidrokarbureve dhe produktet e akcizës.

porto romano-konica.al

Për këtë shkelej ka reaguar edhe kryeministri Rama duke thënë se operacioni i kthimit në ligjshmëri do të prekë çdo magazinë doganore; jo vetëm për karburantin, por edhe për produktet e tjera të akcizës, për t’u përballur me Zero Tolerancë ndaj abuzuesve.

Nga ana tjetër gjatë inspektimit Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Arlind Gjokuta tha se kjo është shkelje për herë të parë dhe për këtë arsye penaliteti që aplikohet është 1-fish mbi vlerën e detyrimit. Në rast përsëritje do të jetë 3-fish dhe për herë të tretë shkon deri në 5-fish të detyrimit dhe revokim të autorizimit për ushtrimin e veprimtarisë.

“Kjo është një nga pjesët e procesit që ne po kryejmë në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera, me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Inspektoriatin Shtetëror Teknik dhe Industrial. Ajo që po mundohemi të bëjmë është inventarizimi fizik i të gjithë gjendjes në magazinat fiskale.

konica ekonomiakonica ekonomia mobile

Krahasimi i gjendjes me sistemin, me deklarimet që kemi në sistem dhe më pas kryqëzimi i informacionit me të gjitha faturat e shitjes dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, për të kuptuar që nga momenti i importit dhe deri në pikën fundore gjithë informacioni është i përcjellë saktë dhe gjithë produkti është i fiskalizuar dhe i pasqyruar drejt kundrejt detyrimeve doganore fiskale ndaj shtetit”, tha Gjokuta.

Në muajin gusht fokusi i kontrolleve do të jetë sektori i produkteve të akcizës, duke filluar nga karburanti, pijet alkoolike, kafeja,etj.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj theksoi se po bëhet një analizë e plotë me qëllim evidentimin e çdo shkeljeje.

“Ne do të monitorojmë çdo veprimtari ekonomike, në mënyrë që të kuptojmë deri në fund masën e evazionit dhe arritjen e objektivave për ta luftuar atë. Në Porto Romano jemi duke analizuar të gjitha pikat e magazinave doganore për të gjitha subjektet që kanë vendndodhje të depozitave. Gjithashtu do të zhvendosemi edhe në Fier, si dhe në çdo pikë ku ka magazinë doganore. Kjo jo vetëm për karburantin, por edhe për produktet e tjera të akcizës”.

Në fund ministrja Denaj i bëri apel bizneseve të vlerësojnë dhe të deklarojnë në mënyrë të plotë produktet që tregtojnë. Qëllimi i administratës fiskale nuk është ndëshkimi, por ndërgjegjësimi i subjekteve për të zbatuar me korrektësi legjislacionin fiskal në fuqi.

Kujtojmë se ‘lufta anti informalitet’ ka goditur edhe më parë shkelësit në Porto Romano.

Në fillim të gushtit në kuadër të luftës kundër informalitetit dhe kalimit në sitë të gjitha pikave të karburanteve ishte zv/kryeministri Erjon Braçe i shoqëruar nga drejtoresha e Tatimeve inspektuan depozitat në Porto Romano, ku janë magazinat doganore dhe ku çdo pompë duhet të punojë vetëm nën regjim elektronik.

Dy persona kanë përfunduar në pranga në Elbasan nën akuzën e mashtrimit dhe evazionit fiskal me mallrat e akcizës, ndërkohë që hetimet janë shtrirë në mbi dhjetëra persona të tjerë. Ndërsa është goditur edhe pika të tjera të karburanteve si Gega Oil që u mbyllë një pikë , por jo vetëm pasi edhe pika të tjera karburantesh janë mbyllur për problemet me pompat.