Neymar pret Barcelonën deri në 20 gusht duke i vënë një afat blaugranave.
Nga Spanja është ky lajmi i fundit në lidhje me yllin brazilian të PSG, që ka prishur raportet me klubin e tij dhe dëshiron kthimin në Katalunjë edhe pse marrëdhënia e komplikuar mes Barçës e Al Khelaifit nuk e bëjnë aspak të lehtë tratativën. Barcelona mbetet zgjedhja e parë e Neymar, por që gjithsesi e mban një sy nga Bernabeu.
Tani për tani, sulmuesi mbetet në pritje të një lëvizjeje nga ish klubi i tij, duke parë se si do të evoluojë situata te PSG.
Edhe pse do të preferonte të mësonte të ardhmen e tij para nisjes së kampionatit francez, me PSG që të dielën në mbrëmje do të përballet me Reims në Parc des Princes, Neymar nuk përjashton asnjë opsion, duke nisur që nga Reali i Madridit.
Florentino Perez prej kohësh është një tifoz i tij, që para se se Neymar të firmoste me blaugranat në 2013-ën, kur presidenti i Realit bëri gjithçka për ta marrë në Madrid.
Ndërkohë i ati i futbollistit, duke folur për të përditëshmen As deklaroi , “Im bir do të jetë sërish i lumtur kur të argëtohet me lojën e tij” duke u përpjekur të amortizojë faktin që Neymar nuk u prezantua fillimisht në grumbullimin me skuadrën me justifikimin se Neymar kishte kërkuar leje nga klubi, dhe i duhet edhe pak kohë për t’u rikthyer në fushë pas dëmtimit që e mbajti jashtë që nga qershori i kaluar.