Gjykata në Brazil ka mbyllur dosjen me akuza ndaj Neymar, që u hodh në gjyq nga modelja Najila Tirndade.
Sulmuesi i PSG-së u shpall i pafajshëm dhe provat e paraqitur u cilësuan si të pamjaftueshme për të vijuar më tej hetimin dhe gjykimin.
Në lidhje me këtë vendim, vetë 27-vjeçari ka reaguar me një mesazh të ndjerë në Instagram, ku shkroi:
“Ky do të jetë një kapitull që nuk do ta harroj në jetën time për shumë arsye, e para është për DËMIN e shkaktuar tek unë, tek familja ime dhe tek njerëzit që më njohin mua. Dua të jem i sinqertë, nuk mund të them se jam i lumtur, por jam i lehtësuar. Ky kujtim do të vijojë të më sjellë në mendje se sa shumë gjëra të mira mund të bëjë një njeri, por edhe sa gjëra të KËQIJA!
Po, bota ime u shemb dhe u përplasa përtokë… por, siç thotë një legjendë e jiu-jitsu (arte marciale), ‘për shumë njerëz toka është fundi i gjithçkaje, por për ne është vetëm fillimi’.
Le të jetë ky një fillim i ri, jo vetëm për mua, por për të gjithë ata që kanë vuajtur këtë akuzë të pavërtetë dhe KRYESISHT për çdo GRUA që është në REALITET viktimë e këtij akti. Uroj që ju të jeni të forta, të luftoni dhe të arrini atë që meritoni!
Faleminderit Zotit për ÇDO GJË, gjithmonë”, shkroi Neymar.