MENU
klinika

Investimet e qeverisë

Lumi i Vlorës, ‘thesari i fshehur’ hapet për turistët!

05.08.2019 - 11:28

Pas përfundimit të lotit të parë në Lumin e Vlorës, kanë nisur punimet në Lotin e dytë.

Lajmi bëhet i ditur nga kryeministri Edi Rama , i cili e cilëson “një thesar të fshehur të natyrës së mrekullueshme shqiptare”.

“Mirëmëngjes  dhe me këtë natyrë të qetë nga zona e Lumit të Vlorës, ku përfundoi Loti i Parë dhe ka nisur puna për të Dytin, e ku po hapet për turistët e për ekonominë e zonës, një thesar i fshehur i natyrës së mrekullueshme shqiptare, ju uroj një javë të bukur”, shprehet Rama.

Rruga e Lumit të Vlorës, investim i qeverisë shqiptare, krijon lidhjen jo thjesht mes fshatrave të Vlorës, por edhe mes Vlorës dhe Himarës duke i krijuar mundësi edhe banorëve të Tepelenës apo edhe turistëve që vijnë nga ana tjetër e Shqipërisë, nga Gjirokastra dhe Tepelena për të pasur akses më të shpejtë në bregdet.

Bëhet fjalë për më shumë se 90 km rrugë, një lidhje tjetër paralele me bregdetin e Shqipërisë, krejtësisht e re që do i jap Vlorës një hapësirë të re në funksion të turizmit e gjithashtu edhe një impakt të qëndrueshëm e jetëgjatë në sektorët e bujqësisë dhe blegtorisë duke mundësuar dalje direkte dhe të shpejtë të produkteve në tregun vendas, por edhe atë të huaj për eksport.

Loti i dytë Ura e Gjormit-Brataj-Ura e Laskos ka një gjatësi prej 27,1 km projekt i cili parashikon edhe punime civile, vepra arti, elementët e sigurisë rrugore, sistemi i ndriçimit, vendkalime për këmbësorët.

Në kuadër të këtij investimi, qendrat e fshatrave do të të trajtohen si zona urbane duke përfshirë ndërtimin e trotuareve, sistemit të ndriçimit dhe gjelbërimin. E konsideruar si zemra e Labërisë, krahina ka 50 000 banorë në 100 fshatra.

Peizazhi piktoresk, uljet dhe ngritjet e relievit, historia dhe traditat përbëjnë një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim ekonomik dhe turistik.