MENU
klinika

Shoqata e turoperatorëve zbulon gjithçka

Një milion turistë shqiptarë në Greqi?

12.08.2019 - 17:17

Shifrat e dhëna nga mediat greke se në Greqi kanë qenë me pushime mbi 1 mln persona nuk është e saktë.

Përfaqësues të shoqatës së turoperatorëve sqarojnë se pavarësisht se Greqia mbetet një destinacion i preferuar kjo e dhënë është e pamundur pasi një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk janë pushues. Ndërkohë që Turqia mbetet destinacioni i preferuar i shqiptarëve edhe pse çmimet u rritën me rreth 20%. Një milion shqiptarë që kanë hyrë në Greqi gjatë 2018 nuk janë të gjithë pushues.

Shoqata e turoperatorëve thekson se kjo e dhënë është regjistruar në kufi dhe është e pamundur që të jetë e saktë.

Ata ngrenë pikëpyetje për mënyrën se si realizohen statistikat në lidhje me këtë çështje. Në këto të dhëna, operatorët turistikë pretendojnë se pjesa më e madhe e shqiptarëve nuk shkojnë me pushime por për vizita tek të afërmit ose për të punuar me sezon.

“Janë të përhershme në hyrje në kufi dhe i analizojmë si pushues. Është e pamundur që nga Shqipëria të kenë shkuar për pushime 1 mln shqiptarë. Mund të llogaritet si turist edhe kur shkon babai tek fëmijët e tij që jetojnë në Greqi, apo lëvizjet tek të afërmit, por nuk është ajo që raportohet dhe komentohet”, shprehet Besnik Vathi, Shoqata e Turoperatorëve

Ndërkohë Turqia mbetet destincioni më i preferuar i shqiptarëve edhe pse çmimet kanë pësuar rritje me rreth 20%

Antalia në Turqi është destinacioni numër 1 që tërheq më shumë shqiptarë edhe përsa i përket numrit, por kryesisht për vlerën në të cilën pushimet paguhen në Antalia. Si destinacion 2 është Greqia, që tërheq një numër të madh, por kuptohet në vlera më të vogla, pasi edhe numri i netëve apo vendet e pushimit që kërkohen janë të lira.”, shton Vathi.

Pavarësisht krizës politike që përfshiu vendin numri i turistëve që kanë hyrë në Shqipëri ka pasur rritje.