MENU
klinika

Video

“Titaniku” – pamjet e para, në thellësinë 3 810 metra

25.08.2019 - 15:57

     Një video e realizuar 3 810 metra në thellësi të Oqeanit Atlantik, tregon degradimin e anijes madhështore, mbytur 107 vite më parë, në atë që ishte udhëtimi i saj i parë, nga Anglia për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në incidentin tragjik, humbën jetën 1 517 persona, nga 2 223 që ishin në bord.

 

 

 

 

Çfarë anije ishte “Titaniku” dhe pse u fundos?

Sipas Majkëll Mekkonit, ish-kujdestar i muzeut “Ulster Folk and Transport Museum”, Titaniku është «anija më e famshme në histori». Por, Titaniku nuk ishte unik. Ishte e dyta nga tri anijet më të mëdha të ndërtuara në kantieret e Harlandit dhe të Uolfit në Belfast.* Ishte një nga anijet më të mëdha të atyre kohëve, 269 metra i gjatë dhe 28 metra i gjerë.

Linja e anijeve White Star i prodhoi këto anije për të mbizotëruar rrugët detare fitimprurëse të Atlantikut Verior. Kjo linjë nuk mund të konkurronte për nga shpejtësia me rivalen e saj, linjën Cunard. Prandaj synoi të ndërtonte anije më të mëdha dhe më luksoze për të tërhequr njerëzit e pasur dhe të famshëm.

Por Titaniku kishte potencial të përdorej edhe për një qëllim tjetër. «Afro 900.000 emigrantë hynin në Shtetet e Bashkuara çdo vit, që nga 1900-a e deri më 1914-ën»,—thotë Uilliam Bleri, drejtor i Muzeut Kombëtar të Irlandës së Veriut. Transportimi i tyre nga Evropa në Shtetet e Bashkuara, ishte burimi më i madh i të ardhurave për kompanitë transatlantike dhe Titaniku do të përdorej për këtë qëllim.

 

Tragjedia

Kapiteni i Titanikut, E. Xh. Smithi, i njihte rreziqet e akullit në Atlantikun Verior. Ai e kishte bërë shpesh atë rrugë me Olimpikun. Anijet e tjera i dërguan Titanikut disa paralajmërime për ajsbergë, por disa i shpërfillën dhe disa ndoshta nuk arritën t’i merrnin.

Papritur, vrojtuesit e Titanikut lajmëruan se kishin një ajsberg përpara, por ishte tepër vonë. Oficeri në detyrë arriti të shmangte përplasjen ballë për ballë me ajsbergun, por nuk e shmangu dot cepin e tij që u fërkua anash saj. Kjo e dëmtoi anijen dhe uji vërshoi në disa ndarje të pjesës së përparme. Kapiteni Smith shpejt kuptoi se anija s’kishte shpëtim. Dërgoi mesazhe SOS e dha urdhër që të uleshin varkat e shpëtimit.

Titaniku kishte 16 varka shpëtimi dhe katër varka portative. Ato kishin kapacitet të mbanin rreth 1.170 njerëz. Por kishte 2.200 pasagjerë dhe punonjës ekuipazhi në anije. Sikur të mos mjaftonte, shumë varka u shkëputën nga anija pa u mbushur mirë. Dhe shumë prej tyre nuk u përpoqën të kërkonin të mbijetuarit që ishin hedhur në det. Në fund, vetëm 705 veta shpëtuan.

 

Pas tragjedisë

Pas katastrofës së Titanikut, autoritetet detare nxorën rregulla që rritën sigurinë në det. Një prej këtyre rregullave ishte që në të ardhmen të kishte varka shpëtimi të mjaftueshme për të gjithë në bord.

Për vite të tëra njerëzit mendonin se Titaniku u fundos aq shpejt sepse pësoi një plasaritje të madhe në momentin e përplasjes fatale. Por, në vitin 1985, pas zbulimit të Titanikut në fund të oqeanit, hetuesit arritën në një përfundim tjetër: ujërat e akullta dëmtuan çelikun e anijes dhe prandaj ai u dobësua e u thye kollaj. Më pak se tri orë pas përplasjes, anija u nda më dysh dhe u fundos, duke u renditur kështu ndër katastrofat më të mëdha në historinë detare.*

 

 

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe