MENU
klinika

E përjashtuar nga politika shqiptare!?

Përse nuk e thërrisni diasporën zoti Basha?

03.08.2019 - 21:47

*Nga Alban Daci

Nëse partitë politike duhet të kenë një lidhje të natyrshme, por edhe të detyrueshme me Diasporën, PD ka një arsye më shumë për ta bërë këtë, sepse Diaspora e vërtetë është prodhim i elitave politike historike të djathta.

Shumë elementë të rëndësishëm intelektualë, që në kohën e Zogut ishin diplomatë jashtë dhe me ardhjen e komunistëve më pushtet, nuk u kthyen më kurrë, vdiqën në harresë.

Ndërsa, shumë të djathtë të tjerë, me ardhjen e komunistëve në pushtet pas 45′ u larguan, duke formuar gjeneratën e dytë të Diasporës. Po ashtu, edhe pas viteve 90′, gjenerata e tretë e Diasporës ishin kryesisht fëmijët e familjeve të persekutuara, që u larguan për shkollime jashtë vendit ose për një ekonomi më të mirë dhe, përsëri, nuk u kthyen.

Pra, nëse ka të persekutuar e të përjashtuar nga vendimmarrja, këto janë pikërisht elementët e djathtë të Diasporës që mbeten të përjashtuar gjatë regjimit komunist dhe nuk u ftuan, nuk u mirëpriten seriozisht nga PD, që kur erdhi në pushtet, në vitin 1992.
Gjithkush duhet të dijë se Diaspora është mjaft aktive. Diaspora ka kapacitetet e duhura intelektuale dhe politike për t’u bërë pjesë e vendimmarrjes politike ose shtetërore.

Diaspora është shumë e interesuar për zhvillimet politike dhe ekonomike në Shqipëri, sepse këtu kanë familjet, këtu kanë rrethin familjarë, miqtë e shokët, po këtu kanë dhe pronat.

PD e pa sesi Diaspora e Amerikës protestoi energjikisht para Shtëpisë së Bardhë, për zhvillimet politike në Shqipëri.

Dhe kjo nuk i përket historisë së largët. Diaspora është e gatshme, kudo që ndodhet, të protestoi dhe të marrë masat e duhura për të kundërshtuar korrupsionin, kapjen e institucioneve dhe çdo formë diktature, sepse edukata dhe formimi i tyre është i krejtësisht i pastër demokratik perëndimor.


Kemi parë që, herë pas herë, vini e bëni takime me emigrantët dhe diasporën në vendet ku jetojnë shqiptaret në Europë. Këto takime, në shumicën e rasteve janë sporadike e nuk prodhojnë asnjë efekt as për PD e as për vetë Diasporën.

Ju lutemi, mos u ktheni edhe ju në versionin tallava, kur vini në takimet me Diasporën siç në fakt është kthyer vetë kjo e fundit, duke preferuar me shume një “tallava” se një angazhim serioz për vendin.

E dini pse ndodh kjo?

Kjo ndodh, sepse Diaspora ndjehet e zhgënjyer dhe e përjashtuar nga politika shqiptare. Kemi parë që, shumë anëtarë apo eksponentë të djathtë, e kanë kundërshtuar apo kritikuar Samitin e Diasporës, duke e konsideruar si një përvetësim të mazhorancës socialiste. Megjithatë, deri më sot nuk kam parë asnjë hap konkret nga PD per të përfshirë Diasporën në proceset demokratike dhe shtetformuese të vendit.

Nuk duhet të harrojmë faktin se edhe vetë ju jeni elementë i Diasporës, i kthyer apo i integruar në PD falë liderit Sali Berisha. Diaspora ka elementë të jashtëzakonshëm që mund ta pasurojnë PD me vlera intelektuale, energji të reja dhe me elementë të rëndësishëm profesional.

PD duhet të zgjedhë mes të shkolluarve në kohën e komunizmit apo në universitetet private dhe vlerave intelektuale të elementëve më të mirë të Diasporës shqiptare, me formim intelektual e profesional thellësisht europiane.

Ndofta për ju është e vështirë të bëni zgjedhjen e parë, sepse, për fat të keq, tashmë lundroni ne ujërat e dyta dhe jenin të rrethuar nga të dytët.

Megjithatë, nëse seriozisht doni të ndryshoni mendësinë e të bërit politikë dhe bashkë me të edhe ta bëni establishmentin eficent, ju duhet ta ftoni seriozisht Diasporën, por jo vetëm ta dëgjoni e pse jo ta përfshini politikisht në nisma të rëndësishme që kanë për qëllim demokratizimin e vendit, europianizimin e vendit e po ashtu ndërtimin e Shtetit të së Drejtës.

Sa më shpejt ta bëni, më mirë do të jetë për PD e po ashtu për të ardhmen Perëndimore dhe Europiane të Shqipërisë!