MENU
klinika

Aksioni i policisë

“Plazh i lirë” në Velipojë e Shëngjin, 6 të proceduar

06.08.2019 - 09:43

Policia e Shtetit vijon operacionin “Plazh i lirë”, për zbatimin e detyrave të përcaktuara në planin e posaçëm të masave për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore. Policia e Shtetit liron dhe vë në dispozicion të pushuesve rreth 4500 m2 plazh, pronë publike, të zaptuar në mënyrë të kundërligjshme nga 6 subjekte.

Nga këto 3500 m2 në Shëngjin dhe 1000m2 në Velipojë. Sekuestrohen rreth 450 shezlongë dhe 250 çadra. Procedohen penalisht 6 shtetas, nga të cilët 4 në Shëngjin dhe 2 në Velipojë. Procedohet përsëri për “Shpërdorim detyre” shtetasi A. N., me funksion Drejtor në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Lezhë, për katër rastet e fundit të konstatuara në Shëngjin.

Specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Task – Forcën të ngritur nga Prefekti i Qarkut Lezhë, proceduan penalisht 4 persona për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, konkretisht:

-M. Gj., L. P., F. N. dhe GJ. GJ., pasi këta shtetas kishin zaptuar hapësirën publike (rërë) në Shëngjin, duke vendosur rreth 350 shezlongë dhe 150 çadra pa kontratë përdorimi (qira) me Bashkinë Lezhë.

kolana e librave

Në Velipojë, Policia e Shkodrës e mbështetur nga FNSH, ka liruar një hapësirë publike rreth 1000 m2 të zaptuar në mënyrë të kundërligjshme nga dy shtetas, pronarë të subjekteve që ushtronin veprimtari në zonën e plazhit në fshatin Pulaj – Plazh.

Gjatë operacionit, u sekuestruan rreth 100 çadra dhe 100 shezlongë, që shtetasit XH. B. e E. S., kishin vendosur në mënyrë të kundërligjshme para lokaleve në administrim, duke zënë hapësirën publike dhe duke mos paguar taksat për to. Në përfundim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, proceduan penalisht shtetasit XH. B. e E. S., për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”. Operacioni vijon në të gjithë zonën bregdetare, për të kthyer në dispozicion të qytetarëve çdo hapësirë publike të zënë në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim përfitimin.