MENU
klinika

Risto Siliqi

Poeti i ideve demokratike

22.08.2019 - 12:48

      Poeti dhe publicisti patriot e demokrat Risto Siliqi, i cili vinte nga radhët e vegjëlisë qytetare, lindi në Shkodër në 16 gusht 1882. Që në moshë të re u shqua nga atdhedashuria, duke u përfshirë që herët në lëvizjen patriotike, ishte anëtar i “Komitetit Shqiptar” për drejtimin e Kryengritjes së armatosur, së bashku me Luigj Gurakuqin dhe Hilë Mosin mori pjesë në kryengritjen e Malësisë së Madhe dhe bëhet këngëtari i saj. Ai shpenzoi gjithë pasurinë e familjes dhe vuri kokën në rrezik për shkak të veprimtarisë së tij patriotike, situatë e cila vazhdoi për gati 10 vjet. Gjatë kësaj periudhe, ai shkoi me misione në Rumani e Bullgari, ku u shqua për fjalimet e tij të zjarrta patriotike. Në këtë kohë nisi të botonte edhe poezitë e para, por shteti malazez nisi të dyshonte mbi veprimtarinë e tij, kështu që Ristoja për të humbur gjurmët hapi hotelin “Albania”, që në të vërtetë ishte një qendër bashkimi e patriotëve shqiptarë ku po përgatitej liria e Shqipërisë. Aty mblidheshin kohë pas kohe krerët e ndryshëm të asaj kohe, si Isa Boletini, Dedë Gjo Luli etj., që po përpiqeshin për një kryengritje, e cila do të fillonte në vitin 1910. Pas shpalljes së Pavarësisë, në vitet 1913-1914, bashkë me Hilë Mosin boton në Shkodër gazetën “Shqypnia e re”, në faqet e së cilës mbrojti me përkushtim interesat e lëvizjes kombëtare dhe demaskoi synimet e shovinistëve fqinj. Pas dështimit të Revolucionit të Qershorit 1924 u tërhoq nga jeta politike, duke punuar si nëpunës në Vlorë, Tiranë dhe si avokat në Shkodër./Konica.al

Risto Siliqi, gjithashtu u përpoq me të gjitha forcat për demokratizimin e pushtetit dhe për vendosjen e arsimit laik dhe falas në luftë me klerin reaksionar dhe të huajt. Më 1915, poeti luftoi për mbrojtjen e Shkodrës kundër synimeve malazeze.

 

 

 

 

Libri i vetëm që nxori në dritë Risto Siliqi është “Pasqyra e ditëve të përgjakshme” (1913) kushtuar Kryengritjes së Malësisë së Madhe, ku mori pjesë edhe vetë. Megjithëse Siliqi botoi vjersha në organe të ndryshme, la edhe dorëshkrime. Krijimtaria e tij poetike shquhet për idetë demokratike, për simpatinë ndaj luftëtarëve të thjeshtë malësorë, për dufin luftarak, thjeshtësinë, ndikimin e frytshëm nga poezia popullore. Megjithatë ka vjersha shprehëse si “Tradhtarëve të kombit” dhe “Mehmet Shpendi”, ku portreti i trimit që i dha emrin vjershës, jepet me forcë epike dhe ngjyra legjendare.

 

TRADHTORVE TË KOMBIT

Ç’asht kjo mynxyrë? Cilit komb jemi?

Vallë prinden tuej s’ keni njoftë?

Po çfarë gjaku ndër dej ju keni?

E ç’gjuhë flisni? – Turpi ju mbloftë!

 

S’doni agimin e ditëve t’bardha?

Jo, ku ktu s’paski fis as atdhe!

Ju s’jeni Shqyptar! Jeni bastarda,

T’pa shpirt, pa nderë – t’dehur me fe!

 

Veprimtarinë letrare Siliqi e zhvilloi kryesisht në vitet 1905-1915, në shtypin e kohës me një varg shkrimesh publicistike e krijimesh poetike. Në një varg krijimesh Risto Siliqi pasqyroi aspiratat shoqërore të shtresave popullore dhe zemërimin e tyre ndaj tradhtisë së krerëve feudalë. Poemthi lirik “Mrika në shkangull” (1915), mbetet një nga më të njohurat, ku dënohen normat e moralit patriarkal.

Është nga poetët e fazës së fundit të Rilindjes Kombëtare, që i kënduan me krenari atdheut dhe të kaluarës së popullit shqiptar, për të ngritur lart ndërgjegjen kombëtare të masës. Gati të gjitha poezitë e autorit janë të lidhura ngushtë me problemet aktuale të lëvizjes kombëtare për lirinë dhe sigurimin e pavarësisë.

Pas shpalljes së pavarësisë një hare e papërmbajtur shpërthen nga zemra e poetit dhe motivi i tij patriotik ngrihet si himn për jetën e këndshme në Shqipërinë e çliruar, të cilën natyra e tërë e ledhaton. Tomorri, simbol i lirisë tek Naimi, Çajupi e gjithë Rilindasit e tjerë, merr një pamje madhështore e krenare:

Plasi agimi, nkuqi qielli, 

Krah-hapun Shqypnija me gaz qëndroi 

Mbi mal t’Tomorrit; po qe dielli! 

U shtri zefiri e kundërrmoj. 

Këngë lirije Zana këndon, 

Dyngjyrti flamur në qiell valon!

 

Tek poezitë e Siliqit motivi patriotik trajtohet paralelisht me motivin shoqëror, pasi poeti pasqyronte aspiratat e masave të shfrytëzuara të qytetit e të fshatit, që e shikonin çlirimin e atdheut si kusht të domosdoshëm për krijimin e kushteve më të mira të jetesës, për çlirimin e vendit nga barra e rëndë e shfrytëzimit. Edhe motivi i dashurisë tek poezia e Siliqit është trajtuar së bashku me motivin shoqëror e patriotik. Tek poemthi “Mrika në shkangull”, duke kënduar për dashurinë poeti ngre një problem shoqëror. Kjo poemë është një nga krijimet poetike më të bukura të tij. Subjekti është i thjeshtë: Mrika, një vashë e vobektë e malësisë, shumë e bukur, dashurohet me një djalë dhe mbetet shtatzanë. Duke e parë të pamundur jetesën nën presionin e moralit të shoqërisë që e dënonte një akt të tillë më shumë se një krim, u detyrua të mbytet në ujë. Këtë subjekt të ngritur nga realiteti i jetës sonë patriarkale në fshat, poeti e ka trajtuar në art nëpërmjet një bote romantike në mes të natyrës, ku vetëm për pak kohë zotëron jeta e gëzueshme dhe pastaj vetmia me një notë keqardhje e pikëllimi. Përshkrimi i gjallë, tablotë e bukura të natyrës etj., dëshmojnë për karakteristikën e veçantë të poetit./Konica.al

 

 

 

 

Sa i përket fushës së publicistikës, në gazetën e tij një vend të gjerë zenë artikujt që merren me çështjen e kufijve dhe me qëndrimin e Fuqive të Mëdha e të vendeve fqinje mbi Shqipërinë. Sikurse të gjithë patriotët e asaj kohe, edhe Risto Siliqi kërkonte të siguronte mbështetjen e një fuqie të madhe për çështjen shqiptare, duke përfituar nga kontraditat midis tyre. Në artikujt e parë duket qartë qëndrimi i tij shumë i përzemërt veçanërisht me Austrinë, por mbas Kongresit të Triestes, mars 1913, kur u kuptuan qëllimet grabitqare të Austrisë dhe Italisë kundrejt Shqipërisë, ai u bashkua me Nikollë Ivananë për të demaskuar qëllimet e vërteta të kësaj politike. Përveç artikujve dhe poezive të shkurta që botoi në gazetë dhe në shtypin e kohës, Risto Siliqi përgatiti materialin për dy libra: “Shkëndijat e zemrës së shqyptarit” dhe “Rreze agimi”, të cilat nuk mundi t’i botojë.

Vdiq më 1936. Profesor Ernest Koliqi, me një oratori të veçantë theksoi vlerat e vërteta në Shqipëri e mërgim të Risto Siliqit, pjesëmarrjen e tij në kryengritjet kombëtare të veriut, duke e krahasuar me vjershëtorin shkodran Vaso Pashën dhe me Naim Frashërin. E cilësoi Riston si një poet me ndjenjë të hollë e gazetar me kurajo dhe, në fund, theksoi zotësinë dhe ndershmërinë e tij si avokat.

Libri i tij “Pasqyra e ditëve të përgjakshme” ruhet në Muzeun Kombëtar dhe përbën një vepër dokumentare-letrare, ku detajohen Kryengritja e Kosovës e vitit 1910 dhe ajo e Malësisë së Mbishkodrës në 1911, paraqiten të dhëna për udhëheqësit e luftës, si Isa Boletini, Idriz Seferi, Dedë Gjo Luli etj./Konica.al

 

I paharruar në historinë e njerëzimit

Jul Cezari dhe shtatë parimet e lidershipit

Historia e saj, motiv për të shndërruar dhimbjen në forcë

Frida Kahlo, ikonë e kohës tonë moderne

New York Times shkruan pēr sopranon shqiptare

“Ermonela Jaho, këndon melodinë e shpirtit”

‘Gjithë njerztë faje kanë, për ne si pasqyrë janë’

Poezi e Çajupit me mezazh tejet të fuqishëm