MENU
klinika

Porti i Durrësit

Qeni antidrogë ‘fundos’ shoferin, zbulon 55 kg drogë

18.08.2019 - 10:01

Policia Kufitare parandalon dhe godet një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike në portin e Durrësit. Uniformat blu kanë sekuestruar 55.5 kilogramë kanabis, ndërsa kanë vënë në pranga një shtetas dhe shpllur në kërkim një tjetër.

“Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë në pikën e kontrollit të kamionëve, në mjetin tip Scania, me drejtues shtetasin M.P., shërbimet e Policisë Kufitare duke përdorur edhe qenin antidrogë konstatuan dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 14 pako me lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa me peshë 55.5 kilogramë e fshehur në vende të ndryshme”.


Policia bëri arrestimin në flagrancë të drejtuesit të mjetit, M.P., 35 vjeç, banues në Tiranë.

Po në lidhje me këtë rast, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve kanë shpallur në kërkim policor shtetasin R.H., 52 vjeç, banues në Vlorë.

Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës në bashkëpunim me Prokurorinë po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të këtij rasti, evidentimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.