MENU

Me 6 trofe të fituar

Rally humb një legjendë/ Tërhiqet piloti i njohur!

02.08.2019 - 16:50

Sebastien Ogier deklaron se viti i ardhshëm do të jetë i fundit në kampionatin botëror të Rally-t.

Gjithsej numëron plot 6 trofe në kompeticionin më të rëndësishëm të këtij sporti, madje bëhet fjalë për gjashtë tituj të fituar radhazi, sidoqoftë gjithçka e ka një kufi dhe piloti i mirënjohur francez lë të kuptohet se është në limitet e karrierës. Një karrierë e pasur e filluar 11 vjet më parë në Rally-n e Meksikës, falë të cilit Ogier ka fituar jashtëzakonisht shumë, aq shumë sa për t’u konsideruar edhe si piloti i dytë më i mirë i të gjitha kohërave në këtë sport, natyrisht pas të madhit Sebastien Loeb.

Që të dy francezë, madje dikur shokë skuadre pikërisht te marka e famshme vendase Citroen, megjithëse, për hir të së vërtetës, marrëdhëniet ndërmjet tyre u përkeqësuan shpejt, praktikisht sapo ish-gjimnasti nuhati talentin e kolegut të tij.

Nga viti 2013 e këtej Sebastien Ogier është dominuesi i padiskutueshëm i kampionatit botëror të Rally-t, por gjithsesi “Mbreti” vijon të mbetet bashkëkombësi i tij, Sebastian Loeb, që numëron plot 9 tituj gjithsej në këtë sport, për më tepër të koleksionuar radhazi, madje vitin e kaluar veterani nga Alsasa çuditi botën, teksa u rikthye pas një shkëputjeje 6-vjeçare për të fituar Rally-n e Spanjës me 44 pranvera mbi shpinë.

Ogier pati deklaruar edhe më herët se kontrata aktuale me ekipin e Citroenit do të ishte edhe e fundit për të në këtë sport, megjithatë kampioni në fuqi sapo e rikonfirmoi diçka të tillë edhe për prestigjiozen Autosport.

35-vjeçari premtoi se duke filluar nga viti 2021 do të përfshihet në “Extreme E Racing”, kompeticion i ri me gara off-road për makinat elektrike. Ogier theksoi se njerëzit vazhdojnë të mos ua vënë veshin fjalëve të tij, por gjithçka është e vërtetë në lidhje me tërheqjen e tij nga kampionati botëror i Rally-t pas vitit 2020, sepse edhe kontrata me Citroen-in u bë enkas 2-vjeçare. Roli i ri i kampionit në fuqi të botës, si ambasador i Klasit Extreme E, u konfirmua pikërisht muajin e kaluar. Nuk kuptohet shumë gjithsesi nëse Ogier do të marrë pjesë në gara, apo do të merret vetëm me testimin off-road të makinave elektrike të Kategorisë SUV.

Për momentin, kampionati botëror i Rally-t ka hyrë në gjysmën e dytë të sezonit. Pasi janë zhvilluar 8 nga 14 garat e këtij sezoni, Sebastien Ogier aktualisht pozicionohet në vendin e dytë, me vetëm 4 pikë më pak se sa piloti estonez Ott Tanak, që kryeson me Toyota, sidoqoftë vlen të përmendet fakti që në vitin 2019 kampioni në fuqi la Ford-in për t’u rikthyer pas plot 7 sezoneve te Citroen-i. Kurioz është fakti që piloti legjendar, Sebastien Loeb, i ka fituar që të 9 titujt e tij pikërisht me markën e famshme franceze, ndërsa Sebastien Ogier kërkon suksesin e parë me “makinën e shtëpisë”, teksa 4 trofe i ka koleksionuar me Volkswagen dhe 2 të fundit me Ford.

Tërheqja e pilotit transalpin do të jetë një humbje e madhe për këtë sport, duke patur parasysh se Ogier që do të festojë 36-vjetorin në fundin e këtij viti numëron 46 fitore gjithsej në karrierë në kampionatin botëror të Rally-t dhe renditet i dyti në këtë lloj klasifikimi, me 33 fitore më pak se sa piloti më i madh i të gjitha kohërave, Sebastien Loeb.