Teksa mbahet në Prishtinë, Seminari për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, albanologu i shquar, akademik Rexhep Ismajli, ka mbajtur ligjëratën me titull “Ndarja dialektore e shqipes, e parë nga aspekti ballkanologjik”.
Akademiku Ismajli, para seminaristëve dhe albanologëve vendas e atyre ndërkombëtarë, ka treguar sesi një kohë të gjatë u diskutua për dialektet e shqipes, duke dhënë për këta interpretime të ndryshme.
“Kemi dhe një diasporë tjetër, e cila është përhapur më vone në Bullgari dhe pjesërisht në Turqi dhe sot diaspora tjetër në të gjithë botën. Vepra e parë serioze albanologjike kishte shtruar një diskutim lidhur me dialektet e gjuhës shqipe. Sipas Johan Gjinarit shqipja ka dy dialekte dhe folësit e këtyre dialekteve nuk mund të merren vesh deri në fund. Në zonat veriore të toskërishtes kishte më shumë afrim me gegërishten. Eqrem Çabej mendonte se, ndarja e dy dialekteve nuk është krijuar përnjëherë, por është krijuar gradualisht. Ivan Popovic dhe Selishevi, mendojnë se kur erdhën në Ballkan, ata nuk gjetën shqiptarë, por vetëm romakë”.
“Ata thoshin se, shqiptarët janë të ardhur këtej rreth shekujve 12-13 . Shaban Demiraj dhe Bahri Beci, kanë thënë se ndarja e dialekteve është krijuar para ardhjes së sllavëve dhe pas ardhjes së romakëve. Tiparet dalluese të dy dialekteve janë se gegërishtja i dallon zanoret, ndërsa toskërishtja jo”.
Sipas tij, studimet që kanë të bëjnë me gjuhën shqipe, thonë që prejardhja e shqipes lidhet me trakishten.
“Sa i përket të përbashkëtave të rumanishtes dhe shqipes, kemi 3 shtresa nga shqipja e lashtë dhe asaj të gjuhës rumanishte. Në disa pika, dialekti jugor i shqipes është më i afërt me dialektin veriperëndimor të rumanishtes. Risimet që çuan drejt ndryshimeve dialektore kanë nisur me strukturën e rrokjes”, – ka thënë në fjalën e tij, albanologu dhe akademiku, Rexhep Ismajli.