MENU
klinika

Dom Ndoc Nikaj

Romancieri, publicisti dhe historiani

14.08.2019 - 15:30

Meshtari shkodran Dom Ndoc Nikaj, është cilësuar si figurë poliedrike. Meshtari në shërbim të Zotit e të popullit shqiptar, duke mbështetur idenë kombëtare. Lindi në Shkodër më 15 qershor 1865, ndërsa ndërroi jetë në burgun e Shkodrës më 16 janar 1951. Veprimtarinë letrare e filloi kur ishte ende nxënës në seminarin Papnor në Shkodër, ku po përgatitej për meshtari. Pas epitetit si romancieri i parë nga studiuesit e historisë, letërsisë e të gjuhës, është veçuar si personalitet që nëpërmjet veprimtarive dhe shkrimeve të tij ia ka kushtuar jetën çështjes kombëtare shqiptare. U shqua në botimet historike, si dhe letrare (romane me sfond historik). Nën mbishkrimin “Libërtore historike” dhe me inicialet NDN (për t’i shpëtua ndjekjeve të pushtuesit) ai botoi në gjuhën shqipe në Bruksel, me ndihmën e shoqërisë atdhetare “Përlindja e Shqiptarëve” një histori të Shqipërisë me titullin “Historia e Shqypnisë që në fillesë e deri në kohë kur ra në dorë të turkut”. Vepra u botua më 1902. Siç shihet, kjo ishte pjesa e parë e Historisë së Shqipërisë. Pjesën e dytë deri në shekullin e 20-të e pati gati, po nuk mundi ta botojë, veçse më 1917 të plotë në Shkodër (pjesa I dhe II).

 

 

 

 

 

Por, me gjithë të metat metodologjike e kufizimet, veprat historike të Dom Ndoc Nikajt ndikuan në njohjen e historisë dhe në ngjalljen e krenarisë sonë kombëtare. Këtij qëllimi i shërbyen edhe romanet e tij me sfond historik.

Akademiku Rexhep Qosja shprehet, se nga historiografia shqiptare Dom Ndoc Nikaj nuk është trajtuar aq sa e ka merituar.

Në vitet 1910-1921, ai nxori njëra pas tjetrës gazetat “Bashkimi” dhe “Besa Shqyptare”. Sidomos bëri emër si prozator, si një ndër nismëtarët e llojit të romanit në letërsinë shqiptare. Megjithëse jetoi gjatë, si shkrimtar i përket dhjetëvjeçarit të dytë të shekullit të 20-të. Që nga viti 1913 e deri më 1920 shkroi dhe botoi romanet “Shkodra e rrethueme” (pjesa I, 1913, pjesa II, 1914), “Fejesa n’djep” ose “Ulqini i marrun” (1913), “Bukurusha” (1918), “Burbuqja” (1920), “Lulet në thes” (1920), një pjesë e të cilave ishin romane historike dhe dramën “Motra për vëllan” (1924)./Konica.al

 

 

 

Në romanet e tij vend të rëndësishëm zë tema patriotike që ndërthuret me histori dashurie. Në “Shkodra e rrethueme” Ndoc Nikaj pasqyroi luftën e masave popullore më 1912 kundër pushtuesve osmanë dhe shovinistëve malazezë për mbrojtjen e qytetit të Shkodrës. Edhe romanet “Bukurusha” dhe “Fejesa n’djep” flasin për luftën, për mbrojtjen e atdheut dhe të tërësisë tokësore të tij. Tipare të këtyre romaneve, si dhe të romanit “Lulet në thes” janë fryma sentimentale, peripecitë e ndryshme dhe të papriturat. Autori u del zot të drejtave të individit përballë moralit të ashpër patriarkal apo veprimeve të padrejta të të fuqishmëve. Rrëfimi i thjeshtë dhe herë-herë naiv, gjuha dialektore dhe e papërpunuar sa duhet, ndërtimi jo gjithnjë i goditur i veprave, formojnë veçoritë e stilit të Ndoc Nikajt.

 

 

 

 

E gjithë veprimtaria letrare, historike e publicistike e Nikajt dëshmon përkushtimin që gjuha shqipe të bëhet gjuhë e kulturës shqiptare përmes lëvrimit e pasurimit të saj. Autori ka lënë pas 400 shkrime, 30 vepra e disa romane. Tërë jetën e vet e shkriu në shërbim të ngritjes shpirtërore dhe kulturore të popullit të vet shqiptar./Konica.al

 

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit