MENU

Raporti i KLSH-së

S’ka inventar për pyjet dhe asnjë gjobë të vënë!

13.08.2019 - 14:44

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar raportin e auditit për periudhën 2016 – 2018 mbi efektivitetin e menaxhimit dhe administrimit të fondit pyjor dhe kullosor duke dalë në përfundimin se strategjia për zhvillimin e sektorit në Shqipëri ka qenë tërësisht e pa përditësuar e rrjedhimisht jofunksionale, duke bërë që prej disa vitesh sektori i pyjeve të funksionojë pa objektiva dhe drejtime të qarta strategjike.

Në raport theksohet se numri i lartë i shkeljeve të konstatuara dhe mungesa e arkëtimit të sanksioneve administrative kanë cenuar zbatimin e moratoriumit për pyjet në Shqipëri.

Një tjetër problem lidhet me mungesën e inventarizimit të pyjeve, që sipas është KLSH-së për një periudhë prej më shumë se tre dekadash duke bërë që informacioni mbi fondin pyjor të jetë jo plotësisht i saktë dhe i pa përditësuar.

KLSH deklaron se ligji që aktualisht rregullon fondin pyjor në Shqipëri është miratuar që në vitin 2005 dhe ka ndryshuar 7 herë gjatë kësaj periudhe, ndërsa shton se abuzimet në pyje nuk vijnë vetëm nga persona individualë, por edhe nga kompani të organizuara sipas të gjitha dispozitave ligjore.

  • RAPORTI I PLOTE I KLSH-së

KLSH përfundoi auditimin e performancës me temë “Efektiviteti i menaxhimit dhe administrimit të fondit pyjor dhe kullosor” të ushtruar në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Inspektoriatin Shtetëror të Mjedisit , Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit si dhe Bashkitë Tiranë, Shkodër, Vlorë; auditim ky i miratuar nga Kryetari me Vendimin nr. 30 datë 30.07.2019.

Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se për periudhën e auditimit 2016 – 2018 problemet me kuadrin strategjik, rregullator dhe burimet njerëzore të reduktuara kanë cenuar realizimin me efektivitet dhe eficiencë të detyrave të MTM në sektorin e pyjeve. Strategjia për zhvillimin e sektorit të pyjeve dhe kullotave në Shqipëri ka qenë tërësisht e pa përditësuar e rrjedhimisht jofunksionale, duke bërë që prej disa vitesh sektori i pyjeve të funksionojë pa objektiva dhe drejtime të qarta strategjike.

Numri i lartë i shkeljeve të konstatuara dhe niveli shumë i ulët i arkëtimit të sanksioneve administrative kanë cenuar zbatimin e moratoriumit për pyjet në Shqipëri. Mungesa e strukturave profesionale në bashkitë, bashkëkomunikimi dhe bashkëpunimi pasiv me ministrinë, mosshfrytëzimi i burimeve dhe të ardhurave që fondi pyjor gjeneron, duke e çuar atë në degradim, tregon qartë për mungesë eficience dhe efektiviteti të bashkive në administrimin e pyjeve si pasuri kombëtare. Për më tepër, mungesa e inventarizimit të pyjeve për një periudhë prej më shumë se tre dekadash, ka bërë që informacioni mbi fondin pyjor të jetë jo plotësisht i saktë dhe i pa përditësuar.

– Gjatë periudhës objekt auditimi, por edhe përpara vitit 2016, në Shqipëri ka munguar një strategji e mirëfilltë dhe funksionale e sektorit, e bazuar në analiza të thelluara dhe të përditësuara të gjendjes së pyjeve. Dokumenti i fundit strategjik i fushës hartuar nga qeveria ishte “Strategjia për zhvillimin e sektorit të pyjeve dhe kullotave në Shqipëri”, e cila është miratuar që në prillin e vitit 2004. Nga auditimi rezultoi se objektivat e vendosura nga strategjia në fjalë ose janë të realizuara shumë vite më parë, ose janë tashmë të parealizueshme.

– Në dhjetor të vitit 2018, u miratua Dokumenti i politikave për pyjet në Shqipëri, i cili do të shërbejë si akt strategjik për sektorin në vitet 2019 – 2030. Megjithatë, vlen të theksohet se një dokument me afat 11-vjeçar në një sektor kaq dinamik si ai i pyjeve, rrezikon që të kthehet në jofunksional me kalimin e kohës, në rast se do të mungojnë përditësimet dhe përmirësimet nga institucioni politikëbërës.

– Baza ligjore e këtij sektori ka pësuar një sërë ndryshimesh përgjatë viteve. Ligji që aktualisht rregullon fondin pyjor në Shqipëri është miratuar që në vitin 2005 dhe ka ndryshuar 7 herë gjatë kësaj periudhe.

– Ndërhyrjet e paligjshme në pyje ngelen ende të shumta dhe shqetësuese, pavarësisht moratoriumit. Abuzimet në pyje nuk vijnë vetëm nga persona individualë, por edhe nga kompani të organizuara sipas të gjitha dispozitave ligjore dhe me kapacitete të plota, të cilat mund të shkelin përcaktimet e kontratave që aktualisht kanë me Bashkitë.

– Një problem që shoqëron pjesën më të madhe të sanksioneve të vendosura nga ISHMPUT është vjelja e gjobave. Asnjë nga gjobat e vendosura në kuadër të moratoriumit të pyjeve nuk është vjelë.

– Komunikimi dhe bashkëpunimi ndërmjet ministrisë dhe bashkive për sa i përket fondit pyjor lë shumë për të dëshiruar dhe vihet re një qasje shumë pasive e palëve në këtë drejtim.

– Transferimi i pronësisë nga Ministria në favor të njësive vendore është bërë pa një studim të mirëfilltë të mënyrës së organizimit, kapaciteteve institucionale dhe burimeve njerëzore të sektorit.

– Mos konsolidimi i strukturave sipas përcaktimeve ligjore në lidhje me administrimin e fondit pyjor, tregon qartë për mungesë eficience të bashkive në përmbushjen e detyrave funksionale dhe përgjegjësive, si dhe realizimin e tyre me profesionalizëm. Mungesa e shprehjes zyrtare të nevojave për personel nga vetë struktura përgjegjëse për pyjet si dhe mos inicimi i procedurave të rekrutimit të stafit, dëshmon qartë për struktura të dobëta për të zhvilluar dhe përmirësuar këtë sektor.

– Krijimi i një strukture “lidhëse” midis MTM dhe bashkive është i vonuar dhe një hallkë e tillë duhet të ishte parashikuar të funksiononte menjëherë pas transferimit të pronësisë. Kjo ka sjellë konfuzion dhe pasivitet në sektorin e pyjeve, veçanërisht që nga viti 2016 si e tillë, pavarësisht akteve ligjore për transferimin në pronësi të bashkive të fondit pyjor dhe kullosor, realisht bashkive iu transferuan shifra në letra, pa rakorduar fizikisht sipërfaqet takuese të secilës njësi ekonomie pyjore.

– Mos përdorimi nga bashkitë i fondit pyjor që zotërojnë sipas kornizave që legjislacioni për pyjet dhe shfrytëzimin e tyre lejon, me justifikimin e ruajtjes në vazhdimësi të kësaj pasurie, nuk është pretendim serioz për të bllokuar mundësinë e krijimit të të ardhurave që ky sektor ofron.

– Sipas legjislacionit në fuqi, inventarizimi i pyjeve kryhet për një periudhë jo më pak se 10 vjet. Megjithatë, inventari i fundit i plotë i pyjeve është kryer në vitin 1985, pra më shumë se tre dekada më parë. Mungesa e inventarizimit të pyjeve për një periudhë prej më shumë se tre dekadash, ka bërë që informacioni mbi fondin pyjor të mos jetë plotësisht i saktë dhe të jetë tërësisht i pa përditësuar.

– Në momentin e hartimit të raportit rezulton se gjithashtu ka përfunduar vlefshmëria e planeve të mbarështimit, të cilat janë dokumente bazë për mbarështimin e pyjeve, të hartuara për çdo ekonomi pyjore. Këto plane janë të vlefshme për një periudhë 10-vjeçare dhe tashmë është detyrë e secilës bashki të hartojë plane mbarështimi për fondin pyjor që disponon.

– Intensifikimi i inspektimeve nga ISHMPUT qendër me objekt shfrytëzimin e fondit pyjor nga subjektet e kontraktuara me afat 10-vjeçar, ka sjellë ndëshkimin e tyre sipas sanksioneve në fuqi, masa të cilat kanë rezultuar vetëm në frenim të përkohshëm të ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm dhe në kundërshtim me termat e kontratave respektive, por ende të ulëta në aftësinë paguese të vlerës së gjobës, si shkak i hapësirave ligjore në favor të subjekteve për apelime të njëpasnjëshme të vendimit përfundimtar të inspektimit.

– Rritja e raportit të eksporteve kundrejt importeve të drurit dhe artikujve të tjerë të tij për periudhën 2016-2018, si dhe mungesa e informacionit të MTM mbi origjinën e këtyre produkteve, tregon qartë për mos funksionim të moratoriumit në termat e ndalimit të përdorimit të fondit pyjor vendas për qëllim eksporti.

– Mos analizimi i këtyre të dhënave sensitive nga MTM, tregon për mungese eficience të saj në funksion të përdorimit të informacionit për rritje të performancës së fondit pyjor.

Në Vendimin e Kryetarit të KLSh-së për auditimin e performancës “Efektiviteti i menaxhimit dhe administrimit të fondit pyjor dhe kullosor” janë dhënë 25 rekomandime për organet e qeverisjes qendrore dhe vendore të cilat adresojnë eliminimin e mangësive dhe përmirësimin në të ardhmen të sistemit dhe proceseve mbi mirëmenaxhimin e fondit pyjor në vendin tonë.