MENU

Jeta e autorit

Tmerri i luftës dhe dashuria për letërsinë e Remarkut

24.08.2019 - 12:15

ERIH MARIA REMARK (1898 – 1970) – Një vit pasi kishte filluar kolegjin për mësuesi, në nëntor 1916 shkoi në ushtri, ku plagoset nga një granatë në këmbën e majtë, në krahun e djathë dhe në qafë; mbas spitalit kalon përsëri në ushtri ku i jepet medalja “Ylli i Hekurt” Klasi i Parë…

Remarku në romanet e tij pikturon një botë reale, me njerëz të prekshëm pa çudira dhe pa teprime, mbetet gjithmonë tmerr i luftës. Ai nuk komenton pothuajse fare; nuk ekzagjeron; tregon vetëm ngjarjet dhe mendimet që i vijnë gjatë këtyre ngjarjeve, prandaj janë të magjishme. Këtu qëndron madhështia e tij.

 

Në çdo kohë ka breza të humbur, rini të djegura. Remarku e dinte mirë këtë, jo sepse ishte profet, por sepse përjetoi dy luftëra, ku i shuheshin një nga një shokët, motra, prej çmendurisë së nazizmit…“Gjithmonë besoja se çdo njeri ishte kundër luftës, derisa kuptova…”, – shkruan në veprën humane, prej të parit sukses “Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit” botuar në vitin 1929, për të cilin në vitin 1931 propozohet për çmimin “Nobel” për Paqe, një nga veprat antiluftë, që i morën vitet më të bukura të rinisë, por që do të bëhej shkas i përndjekjeve nga nazistët…

Në vitin 1933 ia dogjën librat në mënyrë publike, ia konfiskuan të gjitha veprat, e detyruan të largohet nga vendi, i hoqën nënshtetësinë, ndërsa propaganda e regjimit përhapi zëra se ai rridhte nga një familje hebrenjsh francezë dhe se mbiemri i tij ishte Kramer, pra mbiemri i tij i vërtetë i kthyer mbrapsht. Remarku jetoi në Zvicër nga viti 1931 deri ne 1939, vit në të cilin u transferua në SHBA. Më 1948, u kthye në Zvicër ku jetoi deri në fund të jetës. Disa nga veprat më të njohura të tij janë: “Tre shokët”, “Harku i triumfit”, “Kohë për të jetuar, kohë për të vdekur”, “Obelisku i zi”, “Duaje të afërmin tënd”, “Qielli nuk ka preference”…

“Romani “Asgjë të re nga fronti i perëndimit”, me kujtime autentike dhe tronditëse, i njohur në gjithë botën, – shkruan Ismail Kadare në hyrje të tij, – një libër i qetë dhe modest, por dhe një kambanë alarmi kundër histerisë së luftërave;…brenda një kohe të shkurtër ai u bë thesari i tërë njerëzimit… Thjeshtësia, në rrëfimet e atij ish-ushtari të frontit të Luftës së Parë Botërore, që rrëfente aq prekshëm historinë e vet dhe moshatarëve të vet, historinë e rinisë së vrarë nëpër llogore, të një lufte të çmendur e të kotë”… Shkrimtari më tepër se kushdo ngriti në majat më të larta urrejtjen ndaj luftës.

Remarku bën një përshkrim të jashtëzakonshëm të realitetit para, gjatë dhe mbas Luftës së Dytë Botërore. Personazhe fantastike në rrugën e vështirë të jetës dhe të dashurisë… dhe dënon ashpër regjimin nazist dhe luftën.

Me librat që shkroi u la një dëshmi të trishtueshme, por jashtëzakonisht bindëse dhe tronditëse të dukurive më të egra të shekullit XX.

Romani “Tre Shokët”, është kryevepra e Remarkut, nuk mbahet vetëm si një himn kushtuar miqësisë së sinqertë, fisnike e të painteresët midis shokësh, por konsiderohet si një nga historitë më të bukura e mallëngjyese të dashurisë. Stil mahnitës, tepër i ngjeshur dhe tej mase i kursyer, që komunikon aq bukur dhe natyrshëm me lexuesin. Një dramë dashurie dhe një miqësi shokësh që sakrifikohen për njëri-tjetrin. Një libër që të godet zemrën dhe mendjen…

Thënie të Remarkut:

 – Nuk ka asgjë që mbetet përgjithmonë.

– Të gjithë të dashurit kërkojnë të jenë të përjetshëm dhe pikërisht këtu e kanë burimin mundimi dhe vuajtjet e tyre pa fund.

– Dashuria është e mrekullueshme, vetëm ka një të keqe të prish karakterin.

– Mënyra më e lehtë për të humbur një grua është t’i tregosh asaj një mënyrë jetese, të cilën nuk je në gjendje t’ia sigurosh gjithmonë. Atëherë ajo do të përpiqet të gjejë dikë i cili mund t’ia sigurojë gjithmonë.

– Nuk është e tmerrshme të presësh diçka, e tmerrshme është kur nuk ke ç’të presësh.

– Harresa është sekret i rinisë së përjetshme. Njeriu mplaket vetëm nga kujtesa.

– Sëmundja më e keqe në botë është të menduarit, ajo s’ka shërim.

– Ëndërrojmë, sepse pa ëndrrat nuk do të mund të donim të vërtetën.

– Njeriu nuk gënjehet vetëm nga ëndrrat. Njeriu gënjehet edhe me të vërtetën. Kjo është një ëndërr akoma më e keqe.

– Ti mund të kthehesh në kriminel a shenjtor dhe asnjeri s’e vë re, por në të mungoftë ndonjë kopsë këtë e vërejnë të gjithë. Kjo është çudia dhe lezeti ynë.

– Për dashurinë do sakrifikoja pasurinë, për lirinë, pasurinë dhe dashurinë.

– Vetëm ai që nuk është i lumtur, e di ç’është lumturia. I lumturi, është një manekin i ndjenjës së jetës. Ai bën vetëm paradën e modës, por nuk e zotëron.

– Drita nuk shkëlqen në dritë, por në errësirë.

– Do të isha i lumtur nëse do të kishte vetëm paqe, të vërteta, liri, bukuri dhe dashuri. Por e vërteta është se këto nuk do të ekzistonin, ose do të ishin një formë tjetër nëse s’do të kishim antitezën e tyre.

– Lumturia nuk është asnjëherë e mrekullueshme në momentet kur ne e jetojmë, atë e bëjnë magjike vetëm kujtimet tona.

– Mëshira është malli më i pavlefshëm në botë. Është faqja e pasme e gëzimit të lig që ka njeriu për fatkeqësinë e tjetrit.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shpëtim Nazarko

Ku të çon kjo rimartesë?