MENU
klinika

Kapitalizimi i bankave

Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit arrin në 18.5%

11.08.2019 - 21:03

Kapitalizimi i sektorit bankar ka arritur nivelin rekord prej 18.5% në mesin e këtij viti.

Sipas Bankës së Shqipërisë, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit është rritur me 0.6 pikë përqindjeje krahasuar me fundin e vitit të kaluar dhe është 6.5 pikë përqindje më i lartë se minimum i detyrueshëm rregullator.

Përmirësimi në treguesin e mjaftueshmërisë së kapitalit ka ardhur kryesisht nga rënia e vlerës së aseteve të peshuara me koeficientë rreziku. Një ndikim ka pasur edhe ndarja e degës së BKT-së në Kosovë nga banka mëmë në Shqipëri.

Ky zhvillim solli një rritje të mëtejshme të treguesit të mjaftueshmërisë së kapitalit, që mat kapitalin rregullator të bankave në raport me vlerën totale të aktiveve, të ponderuara me koeficientë rreziku.

Mjaftueshmëria e kapitalit është treguesi më i rëndësishëm në këndvështrimin rregullator, sepse mat aftësinë e bankave për të mbuluar me kapitalet e veta rreziqet e investimeve.

Megjithëse rritja e nivelit të mjaftueshmërisë së kapitalit është një zhvillim pozitiv në këndvështrimin rregullator, ai vë në dukje edhe sfidën për një rritje të kreditimit. Një kapitalizimi tepër i lartë do të nënkuptonte edhe një eficiencë në rënie të investimit dhe të fitimeve në të ardhmen.

Sidoqoftë, statistikat e këtij viti paraqiten inkurajuese.

Në fund të muajit qershor, portofoli i kredisë së sistemit bankar rezultonte në rritje me 4.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./ ScanTv