MENU
klinika

Humanisti që komunistët e përndoqën

Zbulohet shpella ku dom Gazulli jetoi deri ditët e mbrame

22.08.2019 - 15:01

      Është zbuluar shpella ku albanologu i madh, dom Nikollë Gazulli, ka jetuar i fshehur për rreth një vit. Shpella u zbulua pas shumë vitesh kërkimi, në Vrith të Shkodrës. Aty, Gazulli iu vodh komunistëve që e përndoqën egërsisht personalitetin e kulturës, gjuhës e besimit. Lajmi u bë i ditur nga Artan Shkreli, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.

“Dje Artur Jaku dhe Niko Sheldia na bënë me dije se, pas vitesh kërkimi, u zbulua shpella ku jetoi një vit, deri ne ditën e mbrame, albanologu i madh dom Nikolle Gazulli. U pat vrarë aty, gjatë represionit të marsit të 1946-ës. Mjafton zbulimi i kësaj shpelle, a vrime në shkëmbin gëlqeror, për të kuptuar sesi dhuna dhe egërsia komuniste, të barazueshme vetëm me antinjerëzinë naziste, goditi Malësinë e Madhe, klerin e angazhuar (për shpëtimin e gjendjes së vet) dhe mendimin më të lartë humanist të kohës. Në këtë çarje të thellë të tokës në Vrith (tregoheshin shumë legjenda e askush nuk e dinte më ku ndodhej) u gjetën tepricat e kalbura të shtratit të tij të improvizuar, shkalla e shembur dhe mjete elementare për mbijetesë; një kovë uji e ndonjë enë e vogël”, – shkruan Shkreli.

 

 

 

 

 

Për Dom Artur Jakun, kjo gjetje e gjurmëve të një prej meshtarëve më të ditur, është gati-gati e pabesueshme, por edhe një shenjë e fortë se një njeri që është i dashuruar prej së vërteti me Zotin, mund të kalojë në kufijtë e të pabesueshmes.

Nikollë Gàzulli lindi në Dajç të Zadrimës, më 15 qershor 1895; u vra nga forcat ndjekëse të regjimit komunist (ose nga strehuesi i tij, Nikollë Prekushi) në Vrith të Malcís së Madhe. Intelektual, studiues e specialist në albanologji, si etnograf, historian, leksikograf e gjuhëtar, zotëronte gjermanishten, italishten, latinishten dhe sllavishten, ndërsa kishte njohuri edhe në frëngjisht e turqisht.

 

 

 

 

 

Biblioteka françeskane ishte ndalesa kryesore e Gazullit në Shkodër, sikur shërbente në famullinë e Rrjollit, ashtu edhe kur mbulonte famullinë e Shkrelit (pas vitit 1940). Ndonëse bashkëpunonte me Mjedën e Fishtën, në atë bibliotekë gjendej kryesisht në shoqërinë e Atë Benedikt Demës. Punimet e tij të vlerësuara maksimalisht nga Norbert Jokli (të cilit mbledhjet që i dërgonte me postë Gazulli i shërbenin për të hartuar Fjalorin Etimologjik të shqipes), u kërkuan edhe nga drejtuesit e gjerdanit “Visarët e Kombit”.

Për shumë vite punoi në zonën e Malësisë së Madhe (në famullinë e Shkrelit). Duke gjurmuar në fshatrat e kësaj famullie e gjetkë, si: Kelmend, Hot, Pukë, Dajç i Bregut të Bunës, Ulqin etj., mblodhi dhe analizoi me seriozitet shkencor për vite me radhë me mijëra fjalë të rralla, shprehje frazeologjike, materiale onomastike (si emra vendesh, lumenjsh, fisesh etj.), gojëdhëna, fakte historike, mitologjike etj., të cilat i përmblodhi në dy veprat e tij madhore: “Fjalorth i ri” (fjalë të rralla të përdoruna në Veri të Shqipnisë), Tiranë, 1941, përfshirë në vargun “Visaret e kombit”, XI, (524 faqe me 4819 fjalë), dhe “Fjalori Onomastik”, botuar pjesë-pjesë në revistën “Hylli i Dritës” nga nr. 2, fruer 1939, vjeti XV, f. 120-129 e gjer në nr. 9-12, 1943, f. 391-406 (shkronjat A-K), gjithsej 21 numra të revistës në 173 faqe (i papërfunduar).

 

 

 

 

 

“Fjalorthi i ri” i Gazullit, së bashku me “Fjalorthin e ri, fjalë të rralla të përdoruna në jug të Shqipnís”, Tiranë, 1941 (“Visaret e Kombit”, vëllim XII) të Pano Tases, janë të parët fjalorë krahinorë tek ne, ndërsa “Fjalori onomastik” si i pari i kësaj natyre në shqipe tregon se ai është themeluesi edhe i kësaj dege leksikografike. Konsiderohej një fenomen nga e gjithë elita kulturore shqiptare aq sa punimet e tij priteshin me padurim nga organet më në zë të kohës, qoftë në Republikën e re shqiptare, qoftë dhe në periodiket e monarkisë. Pas dështimit të Revoltës së Dukagjinit më 1926, vëllai i tij u dënua me vdekje, ndërsa Nikolla u burgos në vitet 1924-1930 në burgun e Gjirokastrës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Mendime Kritike Kulturore

Çfarë shkruante Koliqi për Migjenin?

Nismëtar i letërsisë

Barleti epos i shpirtit shqiptar


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit