MENU
klinika

Kontrata shqiptaro-maqedonase

18 vite nga Marrëveshja e Ohrit, 10 pikat në kornizë

13.09.2019 - 12:09

Marrëveshja Kornizë e Ohrit që u nënshkrua para 18 vitesh është një kontratë shqiptaro-maqedonase për raportet e reja shoqëroro-politike dhe ndërtimin e mëtejshëm të Maqedonisë.

Kjo kontratë e të dy popujve u bë e mundshme pas luftës së armatosur që ndodhi në vitin 2001. Marrëveshja u realizua me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, e cila dha kontributin e vet për zgjidhje politike të krizës ndëretnike në Maqedoni.

Roli i bashkësisë ndërkombëtare për ndërprerjen e konfliktit dhe arritjen e marrëveshjes politike ishte i pazëvendësueshëm. Qysh gjatë zhvillimeve luftarake në ish-IRJM, Bashkimi Evropian dhe SHBA, dërguan përfaqësuesit e tyre: Francois Leotard dhe James Perdew, si ndërmjetësues për arritjen e paqes.

Pas negociatave të mundimshme me palët e konfrontuara, ata përgatitën dokumentin e ashtuquajtur “Versioni Draft i Dokumentit Kornizë”, të cilin më 7 korrik 2001 ua dorëzuan katër liderëve pjesëmarrës në Qeverinë e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe presidentit Trajkovski.

Gjatë zhvillimit të negociatave në Ohër, faktori politik shqiptar startoi me pozicione euro-perëndimore. Ai nuk doli me kërkesa për ndarje territoriale, por për barazi të plotë etnike, që ishte në harmoni me parimet europerëndimore.

Në fakt, kërkohej që karakteri multietnik i shoqërisë maqedonase të pasqyrohet në rregullimin shtetëror. Ndërkaq, pala maqedonase mbante pozicion ekskluziv duke refuzuar kërkesën që pasqyronte diversitetin objektiv të shoqërisë në konceptin e shtetit.

Ose me fjalë të tjera, përderisa pala maqedonase synonte të kontrollojë të drejtat kombëtare të shqiptarëve, pala shqiptare nuk ndërhynte në korpusin e të drejtave të maqedonasve.

Fundi i negociatave shqiptaro-maqedonase ishte Marrëveshja Kornizë e Ohrit. Në momentin kur pritej që negociatat e Ohrit të marrin fund, qarqe të caktuara nacionaliste, qeveritare dhe joqeveritare maqedonase filluan të japin deklarata të pamatura, të cilat shkaktuan reagime të ashpra të përfaqësuesve ndërkombëtarë.

kolana e librave

Këto deklarata përpiqeshin të minojnë procesin politik dhe projektin e marrëveshjes të hartuar nga ekspertët ndërkombëtarë.

Por, qendrat e vendosjes ndërkombëtare ia bënë me dije palës maqedonase, se: “Rrugëdalje më të mirë, pos pajtimit dhe nënshkrimit të këtij dokumenti nuk ka”.

Negociatat shqiptaro-maqedonase në Ohër zgjatën rreth dhjetë ditë dhe përfunduan më 13 gusht 2001. Nën trysninë ndërkombëtare, konflikti shqiptaro-maqedonas u mbyll me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit.

Ajo u nënshkrua në Shkup nga përfaqësuesit shqiptarë dhe maqedonas që merrnin pjesë në koalicionin e zgjeruar qeveritar: Lupço Georgievski, Arben Xhaferi, Branko Cërvenkovski dhe Imer Imeri.

Këtë marrëveshje e nënshkroi edhe kryetari i shtetit, Boris Trajkovski dhe ndërmjetësuesit evro-amerikanë, Leotard dhe Perdew.

Marrëveshja Kornizë e Ohrit përfshin dhjetë pika kyçe:

1. Parimet themelore;
2. Ndërprerja e armiqësive;
3. Zhvillimi i pushtetit të decentralizuar;
4. Mosdiskriminimi dhe përfaqësimi i drejtë;
5. Procedurat e posaçme kuvendore;
6. Arsimimi dhe përdorimi i gjuhëve;
7. Shprehja e identitetit;
8. Implementimi;
9. Anekset; dhe
10. Dispozitat përfundimtare.