Për ta marrë veten pas pushimeve, për shumë njerëz do të thotë dietë drastike, edhe pse kjo nuk është mënyra më e mirë, madje shpeshherë është edhe më pak efiçente.
Pse nuk provon një mënyrë më të butë dhe të thjeshtë detox-i, së bashku me stilin e ri të jetës në sezonin e ri të vjeshtës? Më poshtë, janë 5 mënyra natyrale për ta nisur shëndetshëm vjeshtën dhe punën.
Uji
Nëse ka një mënyrë shumë të thjeshtë dhe natyrale për të pastruar trupin nga helmet është, pa dyshim, uji. Shumë mjekë, vazhdimisht theksojnë se sa më shumë ujë të konsumosh, aq më të shëndetshme do ta kesh lëkurën. Uji ndihmon në mirëfunksionimin e të gjitha organeve, për një metabolizëm efektiv dhe aparat tretës të rregullt. Po sa ujë duhet të pish çdo ditë? IOM rekomandon se në një ditë duhet të konsumosh 3.7 litra ujë (15 gota ujë) për të rriturit meshkuj dhe 2.7 litra (11 gota) për femrat.
Një dush me ujë të kripur
Një dush me ujë të kripur është një terapi tjetër natyrale, e rekomanduar për të detoksikuar trupin. Për shkak të sasisë së lartë të magnezit, i cili thithet menjëherë nga lëkura, kripa është stimuluese e sistemit limfatik dhe ndihmon në qarkullimin e gjakut, forcon sistemin imunitar duke mbrojtur kështu nga çdo lloj sëmundjeje. Një dush të tillë mund ta bësh 2-3 herë në javë.
Limon, xhinxher dhe kripë deti
Uji me limon ndihmon në detoksikimin e trupit dhe të lëkurës, por duke shtuar xhinxher dhe kripë, rezultati do jetë edhe më i mirë.
Dr. Kulreet Chaudhary (mjeke) këshillon një mënyrë shumë të shëndetshme dhe natyrale për detoksikimin. Për këtë të duhen tre përbërës: lëng natyral limoni, xhinxher dhe kripë deti. Ky kombinim është një zgjidhje ideale për të pastruar trupin nga helmet. Çdo mëngjes një përzierje me këta tre përbërës, do të t’i bëjë ditët e këtij viti më të shëndetshme.
Çaji jeshil
Përpiqu të zëvendësosh kafet e mëngjesit me çajin jeshil, i cili ka një përmbajtje të lartë antioksidantësh dhe është mënyra më e mirë natyrale për të shmangur viruset e stinës, si dhe ndihmon shumë sistemin tretës. Çaji jeshil është zgjidhja më e mirë për të nisur një ditë të shëndetshme dhe me energji.
Ushqimet e pasura me Omega 3
Mos harro që në këtë dietë detoksikuese të përfshish grupin e ushqimeve të pasura me Omega 3 (superfoods) dhe acide yndyrore, siç janë salmoni, avokado, vaji i ullirit, lloje të ndryshme farash etj. Po ashtu, edhe fruta si boronica, molla dhe frutat e thata ndihmojnë shumë për detoksikim.