MENU

"Nëse harxhoja 20 mln euro në fushatë..."

A duhet të hetohet edhe Rama? Flet Tahiri

10.09.2019 - 17:32

Gjykata e Krimeve të Rënda ka shtyrë për në datën 19 shator seancën e radhës për ish-ministrin Saimir Tahiri dhe Jaeld Çelën, ku pritet të lexohet mbrojtja për ish drejtorin e Policisë Vlorë dhe më pas të jepet vendimi.

Në një deklaratë për mediat, Tahiri u shpreh se e pret me padurim seancën e radhës, pasi beson se te drejtësia.

I pyetur në lidhje me deklaratën e tij të bërë në gjykatë, ku ka thënë se nëse përgjimi ku flitej se ai në kohën që ishte ministër kishte marrë 20 milion euro në fushatë merret si i vërtetë, atëherë duhej të hetoheshin të gjithë, dhe se a i referohej Edi Ramës konkretisht, Tahiri deklaroi se nëse gjykata beson atë përgjim, atëherë duhet të hetojë që të gjithë.

“Nëse Prokuroria ka një përgjim ku ministri i Brendshëm harxhon 20 milionë euro në fushatë, që është shifër e lartë, unë kisha vetëm 1 muaj në detyrë ndërkohë, dhe dy trafikantë bisedonin jo ai merr 5 milionë euro, jo ai harxhon 20 milionë euro në fushatë elektorale. Unë kisha 29 ditë në detyrë.

Tani nëse Prokuroria e merr seriozisht këtë përgjim, që është fare banal dhe ordiner, Prokuroria duhet të bënte hatanë, nuk duhet të kursente njeri pa hetuar.

Duhet të kishte hapur hetim pas hetimi, ç’është ky njeri, kjo parti, po të duash edhe këta njerëz që harxhonkan 20 milionë euro në një fushatë. Nuk duhet të kursente askënd. Por edhe Prokuroria vetë e di se ai përgjim është ordiner, është thashethemi i dy njerëzve që i vënë në gojën e Prokurorisë merr tjetër vlerë.

Ai përgjim është kaq ordiner dhe banal sa shkon poshtë logjikës mesatare të 2 qytetarëve normal në këtë vend, jo më prokurorëve të Krimeve të Rënda. Nuk kam asnjë kontakt me personat e akuzuar.”, tha Tahiri.