MENU
klinika

Profil

Admiral Togo, samurai i detit

05.09.2019 - 15:26

Në prag të Luftës Ruso-Japoneze, perandori Meizhi pyeti ministrin e tij detar “A është i përshtatshëm Admirali Togo për të drejtuar forcat tona detare në këtë luftë?”, ministri u përgjigj energjikisht: “Po. Sepse ai është një burrë me shumë personalitet dhe njihet si një tip me shumë fat.” Perandori u kënaq me përgjigjen.

Lufta mbaroi dhe askush nuk e kishte menduar në atë kohë se një shtet i prapambetur si Japonia, post-feudale mund të mposhte kombin më të madh evropian. Admirali Togo arkitetkti i kësaj fitoreje , jo vetëm që prishi magjinë e pathyshmërisë evropiane në Azi, por edhe mblodhi farat e statusit të ri për Japoninë si superfuqia më e re e globit.

Karriera e Togo Heihaçiros u shtri në dy epoka. Ai mori pjesë në luftën e fundit feudale të Japonisë së Vjetër, luftoi kundër bakufëve (sundimtarët e mëdhenj që qeverisnin nën shogunatin e Tokugavës), si dhe luftoi dhe fitoi betejën e parë vendimtare detare të shek. XX.

Togo lindi në 1848 në provincën e Satsumës, pesë vjet përpara se anijet e komodor Methju Perit të thyenin izolimin shekullor japonez. Ai kishte lindur samurai në një vend feudal, ku popullsia ishte ndarë në shtresa hirarkike që të kujtojnë strukturën piramidale shoqërore të Egjiptit antik.

Në moshën 17 vjeçare, luftëtari i ri pa betejën e parë: kur ndihmoi në mbrojtjen e Kagoshimës, qytetit të tij të lindjes ndaj një bombardimi anglez. Anglezi Riçardson ishte vrarë në provincën e Satsumës pasi nuk kishte nderuar siç duhet një fisnik japonez, dhe pasi sundimtari i Satsumës nuk kishte pranuar të paguante dëmshpërblimin, fillon “Lufta Anglo-Satsume”. Në vetëm dy ditë lufta mbaroi dhe daimjoja (sundimtari) i Satsumës mori mësimin se kishte nevojë për një flotë detare.

Që 20 vjeç Togoja hyri në marinë dhe u bë oficer në luftanijen Kasuga ku luftoi në shumë beteja në Luftën Boshine (konflikti ku konsevatorët samurai ndalonin modernizimin e vendit të nxitur nga perandori).

Pas fitores perandorake, Japonia filloi një industrializim të shpejtë jo vetëm në shoqërinë e saj të prapambetur por edhe në flotë. Duke seleksionuar oficerë detarë, shteti i dërgoi të studionin në shkollat më të mira detare të botës, në Britani, mes tyre ishte dhe Togo.

Ai shkoi në Angli që të studionte shkencat detare dhe udhëtoi përreth botës me anijen stërvitore HMS Hampshire.

Në këtë kohë Japonia porositi tri luftanije në kantieret detare të Anglisë. Togo pati rastin të zbatonte njohurite e tij, duke vëzhguar ndërtimin e njërës prej tyre.

Togo u kthye në Japoni në 1878. Ai vazhdoi të bënte përparime marramendëse në marinë. Pati rastin të vëzhgonte si luftimet detare ashtu edhe ato tokësore gjatë luftës mes Francës dhe Kinës (1884-1885).

Fundi i shek. XIX solli disa përplasje mes Kinës dhe Japonisë. Që të dyja ishin të interesuara për kontrollin e Koresë. Këto acarime për të dyja palët sollën shpërthimin e Luftës së Parë Sino- Japoneze (1894-1895).

Në 1894, Togo ishte kapiten i kryqëzorit Naniua, kur u ndesh me një anije angleze transporti që çonte ushtarë kinezë në Kore; ai e mbyti anijen.

Edhe pse shpëtoi marinarët anglezë, veprimi i tij nga ligjet ndërkombëtare u cilësua i ligjshëm. Kryqëzori i tij vazhdoi të hapte zjarr edhe tek barkat e shpëtimit. Gjatë luftës, të cilën e fitoi Japonia, Togo mori pjesë në betejën e Jalut dhe u gradua kundër-admiral, në vitin 1895.

Ai shërbeu në poste gjithnjë e më të rëndësishme në marinë; kur kërcënoi lufta me Rusinë, e caktuan Komandant të Flotës së Kombinuar (formacioni më i madh detar japonez, ishte i pranishëm edhe në Luftën e Dytë Botërore). Në luftën ruse, ai e sulmoi Flotën Ushtarake Ruse në Lindje e Largët, para se qeveria e tij të shpallte luftën.

E ardhmja e luftës me Japoninnë shkaktoi mjaft humor në pallatin e Shën Petërsburgut. Rusia ishte një fuqi e madhe detare. Përmasat e flotës së saj i kalonte vetëm flota angleze dhe ajo franceze.

Rusia kishte flota në Baltik, Detin e Zi, tek kjo e fundit nuk mund ta lëvizte si pasojë e traktave dhe në Lindjen e Largët. Ushtria ruse kishte 4 500 000 ushtarë ndërkohë që ushtria japoneze 283 000. Por sigurisht që në këtë zonë si në forcat detare dhe tokësore ruse ishin të pakta pasi ajo nuk shikonte rreziqe kërcënuese në rajon (ajo kishte vetëm 138 000 trupa në Bajkal).

Togo sulmon Portin Artur (domin i Rusisë) e rrethon atë dhe asgjëson flotën ruse atje. Një kontigjent i mbetur i anijeve ruse u përpoq të arratisej por pësoi të njëjtin fat si luftanijet e tjera ruse në Portin Artur, ata u mposhtën nga anijet e Togos në Betejën e Detit të Verdhë me 10 gusht 1904.

Në tetor të atij viti car Nikolla II, dërgon një flotë ruse nga deti Baltik për të shpëtuar nga poshtërimi i plotë. Flota i afrohet Detit të Verdhë pas 7 muajsh.

Duke qënë se flota e re ruse nuk kishte se ku të ankorohej asaj iu desh të mbërrinte në portin e Vladivostokut duke kaluar fillimisht në Tsushimë, kanalin detar midis Koresë dhe Japonisë.

Togo u hodh në sulm. Ai qëndronte në urën e anijes kryesore të flotës japoneze, Mikasa (anije më moderne e kohs), dhe dha urdhër që flota japoneze të përdorte formacionin T për përleshjen e fundit me rusët. Beteja e Tsushimës, zgjati deri në orët e para të mëngjesit të 28 majit 1905.Në Tsushimë rusët pësuan disfatën më të plotë në historinë ushtarake detare. Pas kësaj Togo u shpall hero kombëtar dhe fama e tij i kaloi kufijtë e Japonisë dhe të Azisë. Shërbeu si Shef i Shtabit të Përgjithshëm Detar ndërmejt viteve 1905-1909.

Në vitin 1913 u shpall Admiral Flote dhe në vitet që vijuan e deri sa vdiq në 1934 mori tituj të ndryshëm nderi.