MENU

Profil

Aleksandri i Madh: mbreti që u bë Perëndi

22.09.2019 - 17:57

Në krye të forcës më të frikshme luftarake të botës, Aleksandri i Madh krijoi një perandori madhështore nëpërmjet shpatës, dhe është quajtur hero, tiran dhe perëndi.

Pasardhësit e kanë veshur me një aureolë djaloshare dhe një entuziazëm tipik helen djalin e Filipit II të Maqedonisë. Është heroi më i madh aventurier i historisë dhe iu përket atyre figurave të privilegjuara, të pajisura me një rini të përjetshme. Një figurë e admirueshme ushtarake përgjatë historisë, tek i cili inteligjenca dhe forca e vullnetit harmonizoheshin në mënyrë perfekte.

Aleksandri ndërtoi një perandori me një sipërfaqe prej 5.4 milionë km katror, dhe këtë e bëri brënda një periudhe kohore jashtëzakonisht të shkurtër.

Ndikimi i krijimit të perandorisë së tij do të shumë herë më i madhe se vetë krijimi i saj. Sepse Aleksandri ngriti bazat e qytetërimit grek deri në Azinë Qëndrore dhe Indi. Pushtimet e tij krijuan “botën helene” një përzierje e mrekullueshme e kulturës greke me aziatike.

Prindërit e tij ishin Filipi II i Maqedonisë dhe nëna quhej Olimpia, një princeshë e Epirirt me të njëjtin gjak të shqiptarëve të sotëm. Traditat si dhe ritet e saj e lodhën shumë së fundi bashkëshortin mbretëror. I cili më vonë u bind nga një femër maqedonase që ta linte Olimpian.

Por nga kjo rezultoi një grindje e fortë midis babait dhe të birit, por nga ana tjetër karriera ushtarake e Aleksandrit begatoi gjatë mbretërimit të babait të tij. Aleksandri ishte vetëm 18 vjeç kur ai mbante gradën gjeneral gjatë betejës së Keronës të zhvilluar në 338 pr.K. Në këtë betejë ,që bëntë pjesë në fushatën e Filipit për të nënshtuar qytet-shtetet e Athinës dhe Tebës, Filipi ia besoi djalit krahun sulmues.

Aleksandri e përballi sulmin vendimtar duke i shkatërruar linjat athinase. Pa këtë karakter pasionant, të trashëguar nga e ëma, Aleksandri nuk do të ishte gjeniu që njihet dhe arritjet e shkëlqyera në tearin e historisë do të kishin qënë të pashpjegueshme. Arsimimi i Aleksandrit është një tjetër pikë e fortë e figurës së tij historike.

Filipi i dha trashigimtarit edukimin më të mirë të kohës. Për ta futur Aleksandrin e ri në rrugën e kulturës helenike, Filipi zgjodhi Aristotelin. Filozofi e frymëzoi nxënësin më një dashuri të tillë ndaj poezisë greke, veçanërisht ndaj Homerit.

Si pasojë e arsimimit të tij ai e donte shumë “Iliadën” dhe gjithnjë mbante një kopje të saj më vete. E ëma i kujtonte vazhdimisht se ishte pasardhës i Akilit dhe Herakliut, dhe se synimi i tij në jetë duhet të ishte: të jetonte sipas famës së herojve të Luftës së Trojës. Këto ide Aleksandri i ruajti për gjithë jetën.

Përpara se të bëhej mbret historianët mbajnë mend një ngjarje të hidhur në raportin babë-bir midis Aleksandrit dhe Filipit. Njëri nga të afërmit e njërkës së Aleksandrit u shpreh gjatë një festë se martesa e re mund t’i jepte një trashigimtar legjitim fronit të Maqedonisë.

Aleksandri brofi: “Ti më quan mua bastard!”. Filipit i kërcyen nervat; nxori kordhën dhe u hodh mbi djalin e vetëm. Por pas disa hapash u shemb i mposhtur nga pija, gjë që i shpëtoi jetën edhe Aleksandrit.Skena mbaroi me disa fjalë të hidhura të princit të ri: “Ja njeriu që përgatitet të kalojë nga Europa në Azi, por s’mund të ecë nga njëra tryezë tek tjetra pa u rrëzuar!”

Disa kohë më vonë Filipi u vra (është menduar se Aleksandri mund të kishte gisht), Aleksandri bëri një punë të mirë duke ekzekutuar çdo kënd që pretendonte fronin dhe gjithashtu vazhdoi ekspeditën e planifikuar të të atit për të ndëshkuar persët në dëmin që u kishin shkaktuar grekëve në konfliktin greko-pers.

Në 334 pr.K Aleksandri kaloi Helespotin duke filluar kështu marshimin drej një udhëtimi vetëm vajtjeje sepse ai nuk do të kthehej i gjallë në Maqedoninë e tij të dashur. Ballafaqimi i parë midis ushtrisë maqedonase dhe perse do të zhvilllohej në lumin Granik.

Pas fitores së bindshme Aleksandri rifilloi marshin drejt brigjeve perëndimore të Anadollit për të çliruar qytet-shtetet greke, ai e devijoi rrugën dhe u drejtua për nga veriu dhe hyri në qytetin e Gordiumit, ishte viti 333 pr.K në një vitai kishte çlirurar plot 30 qytete grek. Pasi hyri në Gordium ai kreu një nga aktet më të famshme të tij.

Në Gordium gjendej një litar nyje i quajtur nyja e Gordiumit shumë kishin provuar për ta zgjidhur por të gjithë kishin dështuar. Aleksandri vetëm me shpatën e tij e ndau në dysh duke e zgjidhur nyjen, legjenda thoshte se ai që do ta zgjidhe atë do të bëhej Zot i Azisë.

Dari III ndërkohë, perandori i Persisë, kishte filluar të mobilizonte vetë ushtrinë dhe u ndesh me Aleksandrin në Isus në vitin 333 pr.K. Aleksandri e fitoi betejën duke përqëndruar forcat maqedonase në momentin më kulminant të betejës.

Dari ia mbathi duke lënë ushtrinë e tij të vdekur në brigjet e lumit Isus, gruan, vajzat dhe nënën si dhe disa xhevahire persiane që Aleksandri i ekspozoi për athinasit. Ai nuk i keqtrajtoi familjen e Darit dhe e trajtoi çdo individ të saj më respektin më të lartë.

Fushata tjetër e Aleksandrit të madh do të ishte Egjipti. Egjiptasit e pritën krahë hapur çlirimtarin e tyre.

Çdo qytet e mirëpriti Aleksandrin. Ai rindëroi tempuj dhe qytetarët e thjeshtë do ta dokumentonin bujarinë e tij. Mund të thuhet se i gjithë karakteri shkëlqimtar i Aleksandrit i ishte trashëguar nga e ëma, Olimpia.

Në Egjipt, Aleksandri vizitoi tempullin e perëndisë Amon, në Oazwn Sivah. Aleksandri u bë kult për egjiptianët dhe e shikonin Iskandarin (i njohur nga njerëzit e lindjes) si një perëndi, bir i Zeusit.

Atje në Sivah Aleksandri i Madh pyeti kryepriftin: “Si ta qeveris botën?” dhe kryeprifti iu përgjigj: “Duhet ta qeverisësh me drejtësi, me përkujdesje dhe respekt për të gjithë ata që i nënshtrohen pushtetit tënd dhe duhet të mbash mend ti nuk je një i vdekshëm i zakontë ti je një Zot. I mbanë mend faraonët tanë? Ti je një Zot në tokë. Mos e harro këtë.”

Pushtimi maqedonas në Egjipt u pa nga egjiptasit si çlirim nga sundimi pers

Aleksandri solli ndërmend faktet ai kishte shkatërruar një ushtri shumë më të madhe se e tija dhe kishte pushtuar hapësira të gjëra tokësore në një kohë me të vërtetë të shkurtër. Në vend që të priste Darin Aleksandri u hodh në sulm. Ai u largua nga Egjipti në pranverën e vitit 331 pr.K dhe mbërriti në Gaugamelë në tetor të atij viti.

Beteja më epike e Aleksandrit dhe Darit në këtë copë tokë të Irakut të sotëm. Beteja shpalosi të gjitha cilësitë ushtarake të Aleksandrit. Ai e fitoi betejën dhe Dari ia mbathi sërish, ai u vra disa vjet më vonë në një nga strehimet e tij në Kaukaz, nga një shërbëtor i Aleksandrit, ky i fundit do të ekzekutohej vetë nga Aleksandri. Trupi u trajtua me respekt nga Aleksandri dhe u nderua me nderimet e fundit.

Pas fitores së Gaugamelës Aleksandri marshoi drejt Persepolisit dhe qyteteve të tjera të rëndësishme perse ku mori veshje dhe plaçka dhe filloi t’i përshtaste me kulturën greke që po përhapte.

Për të forcuar lidhjet më shumë mes kulturës helene dhe asaj perse në vitin 327 pr.K Aleksandri martohet me një vajzë 16 vjeçare perse, princeshën baktriane, Roksanën. Gjithashtu ai martoi të gjithë gjeneralët e tij me gra perse.

Në 326 pr.K Aleksandri filloi pushtimin e Indisë duke kaluar kështu nga historia në legjendë. Ai fitoi një triumf mbresëlënës në betejën e Hydapasit kundër mbretit Porus. Ashtu siç kishte treguar dhembshuri me çdo qytet që i kishte hapur derën edhe këtu ai tregon një dhembshuri të veçantë. Aleksandri i kapi dorën mbretit Porus dhe i tha: “A do të bëhesh miku im?”

Aleksandri donte të mbushte një kupë që nuk kishte fund, por burrat dhe gjeneralët e tij ishin të lodhur dhe kërkonin të ktheheshin. Aleksandri e ndali avancimin e tij në lumejtë Punxhab dhe Beas. Asnjëra nga fitoret vendimtare të betejave të luftuara kundër persve nuk ia kishin shuar oreksin e pangopur për pushtet dhe dominim.

Ai kishte ndërmend të bënte një ekspeditë tjetër, kësaj here kundër Kartagjenës, por gjatë rrugës së kthimit atë e zunë ethet dhe vdiq me 10 qershor 323 pr.K në moshën 32 vjeçare.

Trashigimia që la pas Aleksandri i Madh ishte e madhe, më gjigande se vetë titulli i tij hyjnor. Hapi kulturën greke, krijoi një perandori ku njerzit gjykoheshin përmes zemrës dhe jo ngjyrës apo etnicitetit. Me përjashtim të Jezu Krishtit pothuajse nuk ka figurë më të njohur të Antikitetit në historinë perëndimore se sa Aleksandri i Madh.

Veprimet e tij i përkasin një legjende. Frymëzoi shumë vepra letrare, piktura, skulptura si dhe filma. Dhe pavarësisht se kanë kaluar më shumë se dy mijëvjeçarë nga vdekja e këtij sundimtari legjendar, fitoret e tij mbi persët si ajo e vitit 331 pr.K qëndrojnë edhe sot si një shembull suprem i lidershipit ushtarak.

Jul Çezari i krahasoi fitoret e tij me arritjet e sundimtari maqedonas kurse Napoleoni u përpoq të ishte një Aleksandër i ri, ai shkoi aq larg me këtë fiksim saqë pushtoi edhe Egjiptin si një hije e paraardhësit të tij.