MENU
klinika

Detaje

Anija në Greqi kaplohet nga zjarri, alarmohen 538 pasagjerë

28.09.2019 - 17:58

Anija “Olympic Champion” me 538 pasagjerë në bord, e cila përshkon rrugën detare Igoumenitsa-Venecia menjëherë pas largimit nga porti u përball me një situatë të frikshme.

Tymi i dendur filloi të dalë nga garazhi i anijes, ndërsa një frigorifer ishte përfshirë nga flakët. Sistemi automatik i shuarjes së zjarrit u aktivizua menjëherë dhe anija u urdhërua të kthehej përsëri në portin e Igoumenitsa.

Mobilizimi ishte mjaft i madh për 538 pasagjerët dhe 74 personat e ekuipazhit, të cilët zbarkuan pa probleme në portin e Igoumenitsa. Dy persona patën probleme të frymëmarrjes. Një qytetar grek 80-vjecar dhe një gjerman u dërguan në qendrën shëndetësore të zonës, ku dhe po marrin mjekim të specializuar.

Zjarrfikësit shuan zjarrin ndërkohë që një zjarrfikës hipi në anije për të hetuar shkaqet. Në të njëjtën kohë, u bë edhe zbritja në tokë e 293 automjeteve që ishin në bordin e anijes.

“Të gjithë pasagjerët janë të sigurt. Përpjekjet e koordinuara të ekuipazhit dhe Autoriteti Portual kanë dhënë rezultatet më të mira “, ka shkruar Ministri i Detarisë Yiannis Plakiotakis në Facebook. Anija “ Olimpik Champion” është ndërtuar në vitin 2000 dhe ka një gjatësi 204 metra dhe gjerësi 26.13 metra.

Sipas informacioneve nga porti i Igoumenitsa, disa prej kamionëve janë djegur plotësisht ndërsa të tjerët kanë pësuar dëme serioze në mallrat që transportonin.

Sipas të gjitha gjasave, dyshohet se zjarri shpërtheu në një hapësirë afër harkut të anijes.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN