MENU
klinika

Deri në 14 tetor

Britani/ Nis zyrtarisht pezullimi pesë-javor i parlamentit

10.09.2019 - 09:39

Parlamenti britanik është pezulluar zyrtarisht për pesë javë, dhe deputetët nuk duhet të kthehen deri në 14 tetor.

Kjo jen pasi përpjekja e kryeministrit Boris Johnson për të thirrur zgjedhje të parakohshme në tetor u rrëzua për herë të dytë. Deputetët e opozitës nuk pranuan ta mbështesin atë, duke insistuar se një ligj që bllokon Brexit pa marrëveshje duhet të zbatohet së pari.

Në përgjithësi, 293 deputetë votuan pro mocionit të kryeministrit për zgjedhje të parakohshme, shumë më pak se dy të tretat e nevojshme.

Kryeministri pësoi gjithashtu një humbje tjetër, pasi deputetët mbështetën thirrjet për publikimin e komunikimeve qeveritare në lidhje me pezullimin e Parlamentit dhe planet e tij për Brexit pa marrëveshje. Deputetët miratuan, pa votim, një kërkesë të liderit të Laburistëve, Jeremy Corbyn duke kërkuar qeverinë të zbatojë ligjin.

Aktualisht, ligji në Mbretërinë e Bashkuar thotë se vendi do të largohet nga BE më 31 tetor, pavarësisht nëse një marrëveshje është rënë dakord me Brukselin apo jo.

Por legjislacioni i ri e ndryshon atë, dhe do ta detyrojë kryeministrin të kërkojë vonesë deri më 31 janar 2020, përveçse nëse një marrëveshje, ose Brexit pa marrëveshje, miratohet nga deputetët deri në 19 tetor.

Johnson tha që qeveria do të përdorë kohën kur Parlamenti të jetë i pezulluar që të vazhdojë me negociatat për një marrëveshje me BE-në, ndërsa “përgatitet të largohet pa një të tillë”. “Kjo qeveri nuk do të vonojë Brexit më tej”, tha Johnson.

Pezullimi i parlamentit do të thotë që deputetët nuk do të marrin një shans tjetër për të votuar për zgjedhje të parakohshme derisa të kthehen, që do të thotë se zhvillimi i zgjedhjeve nuk do të ishte i mundur deri në fillim të nëntorit.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Mbretëresha aprovon kërkesën

Britani/ Pezullohet Parlamenti