MENU
klinika

Pyetja e Enverit që mobilizoi policinë dhe ushtrinë

Ç’do ngjasë në Jugosllavi pas Titos?!

08.09.2019 - 21:46

Flet eksperti i trupave speciale, Hil Lushaku: “Si u ndërtuan mbi 36.000 qendra zjarri të fortifikuara dhe 3.264 pozicione zjarri të artilerisë së rëndë.” “Qyteza e nëndheshme e Linzës” ishte një kryevepër fortifikuese…

“Ç’do ngjasë në Jugosllavi pas Titos?!”. Një pyetje e tillë që hodh publikisht nga ish-diktatori Enver Hoxha e fushën e ngjarjeve politike të viteve ’70, duket se zgjoi një angazhim të ethshëm për të forcuar mbrojtjen e vendit. Madje, sikur të mos mjaftonte kjo, u fuqizuan edhe shërbimet e Policisë Popullore, e konsideruar si një forcë me vete, që do mbronte atdheun në rast sulmi.

Kështu e shpjegon ç’po ndodhte në ato vite me ushtrinë shqiptare, eksperti i trupave speciale, Hil Lushaku, gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”. Shoqëruar edhe me detaje rreth forcave reale që ajo kishte, apo edhe incidentin e ambasadës jugosllave, pas vdekjes së Titos që do të minonte njëherë e mirë marrëdhëniet mes dy vendeve tona.

“Sipas përfundimeve të grupit hetimor, u konkludua se ngjarja ishte politike, e realizuar nga personeli i ambasadës jugosllave në Tiranë, me mjete e municione xheniere të prodhimit jugosllav”, shpjegon ai…

Lushaku, sa qendra zjarri u ndërtuan në të gjithë Shqipërinë gjatë kohës së komunizmit?

U ndërtuan mbi 36.000 qendra zjarri të fortifikuara dhe mbi 3.264 pozicione zjarri të artilerisë së rëndë. Pa përmendur këtu mijëra kilometra transhe dhe hendeklidhje të fortifikuara, ku u shpenzua hekur dhe beton sa për të ndërtuar qytete të tëra moderne. Në qershor 1978, pas tre vjetësh punë “skllevërit ushtarë” dhe “inxhinierët pa gjuhë” përfunduan ndërtimin e objektit “qyteza e nëndheshme”, në afërsi të Linzës, Tiranë, një kryevepër fortifikuese kjo që do e kishin zili edhe komandat e pakteve më të fuqishme ushtarake.

Ajo do të zëvendësonte vendkomandën e Shtabit të Përgjithshëm që funksiononte për kohë lufte në Bërzhitë, Tiranë.

Çfarë trupash kishte të mobilizuar ushtria në fund të viteve 1980?

Në vitin 1990, ushtria shqiptare kishte mbi 20 divizione këmbësorie, ku përfshiheshin mbi 70 brigada këmbësorie, rreth 10 brigada tankesh, 13 brigada artilerie tokësore, disa regjimente të artilerisë bregdetare, disa njësi të mbrojtjes kundër tanke, rreth 19 brigada sulmuese, disa brigada të rinisë shkollore të armatosur e studentore; divizioni i xhenios me tre brigada xheniere; Komanda e Mbrojtjes Kundërajrore me disa njësi të instaluar në pika kyçe strategjike të mbrojtjes së hapësirës ajrore, përfshirë edhe një regjiment të raketave kundërajrore tokë- ajër; Komanda e Aviacionit dhe aerodromet në vartësi të saj ku ishin avionë modernë; Komanda e Flotës Ushtarake Detare me disa baza të fuqishme të mbrojtjes detare dhe një brigadë nëndetësesh; brigada ndërlidhjeje, regjimenti i mbrojtjes kundër kimike, regjimenti i zbulimit teknik të artilerisë, regjimenti i radio-zbulimit si dhe disa baza furnizimi e institucione të ndryshme ushtarake.

Po Policia Popullore, si u ngrit?

Policia u vlerësua se duhej të kishte forcën e saj të aftë, të organizuar e të gatshme në shërbim të rendit shoqëror e juridik socialist, sikurse u krijua edhe “batalioni i gatishmërisë i Policisë Popullore”.

Kjo kohë përket me dënimin e Kadri Hazbiut?

Referuar pohimeve të dëshmitarëve e të pandehurve në gjyqin ndaj Kadri Hazbiut dhe Feçor Shehut, evidentohet se nga viti 1973 deri në vitin 1981, në luftën kundër elementit kriminal, vëmendja e organeve të Punëve të Brendshme ishte e përqendruar kryesisht te agjitacioni e propaganda, ku 52% e të dënuarve i përfshinte kjo kategori. Në analizë edhe të kësaj gjendjeje të kriminalitetit u konkludua se kishte qenë i drejtë vendimi për fuqizimin e shërbimeve të Policisë, jo vetëm numerikisht, por edhe me struktura të kompletuara dhe të afta për veprime të shpejta efikase.

Në këtë kohë Enver Hoxha, shtroi pyetjen: Ç’do të ngjasë në Jugosllavi pas Titos?!…

Vetë Enver Hoxha, i frikësuar nga zhvillimet, shtroi i alarmuar pyetjen, duke dhënë po vetë edhe përgjigjen: “Ç’do të ngjasë në Jugosllavi pas Titos?!…Popujt e Jugosllavisë do të luftojnë me heroizëm kundër të gjithë atyre që do të tentojnë t’u cenojnë lirinë dhe pavarësinë”. Ka pasur komente të shumta në vitin 1980 se gjendja shëndetësore e Josif Broz Titos ishte përkeqësuar, ndaj Jugosllavia ishte në epiqendër të analistëve diplomatikë e politikë, ku nuk mungonte edhe vëmendja e shtuar e udhëheqjes politike shqiptare, si shtet fqinj, por dhe ku kishte popullsi e territore shqiptare.

Po pas vdekjes së Titos, çfarë ndodhi?

Më 4 maj 1980 vdiq Tito, ndërsa udhëheqja shqiptare përforcoi masat e brendshme të sigurisë e të vigjilencës, nga kufiri e në çdo qelizë të veprimtarisë së brendshme. Shtypi shqiptar ndër të tjera citoi shënimin e Enver Hoxhës: “Popujve të Jugosllavisë, vdekja e tij do t’u lërë pas mjerimin ekonomik dhe politik, përçarjen dhe grindjet në mes të mozaikut të popujve që formojnë atë që quhet Federata Jugosllave”.

Kjo periudhë është karakterizuar nga një tension i brendshëm në udhëheqjen shqiptare për frikën e shpërthimit të ndonjë lëvizjeje në Shqipëri. Duket se më herët ka pasur shumë dezinformacione alarmuese nga agjenturat e huaja, ku nuk bënin përjashtim edhe ata për kryeministrin Mehmet Shehu. Nuk mund të fshihet fakti se tërthorazi ndjehej një frikë e mosbesim nga udhëheqja e lartë, prandaj trysnia ndaj kuadrove për shkundje, për luftë ndaj shfaqjeve të huaja, për luftë kundër liberalizmit, konservatorizmit, dogmatizmit e shabllonizmit, ishte sirenë alarmi për të mbajtur “në këmbë e në gatishmëri të lartë” ushtrinë e policinë.

Se “ku flinte lepuri” këtë e dinin vetëm ata që ishin në krye, por që ndjehej një farë pasigurie, dyshimi e frike, kjo kuptohet nga “silurimet” që Enver Hoxha bënte ndaj drejtuesve në të gjitha fushat. Duket se në këtë periudhë, ndonëse nuk ka pasur asnjë sinjal në forumet e brendshme të PPSH, është ndjerë një plasaritje në marrëdhëniet e Enver Hoxhës me kryeministrin Shehu.

Por situata brenda Shqipërisë po ndryshonte. Mehmeti i lë postin Kadri Hazbiut?

Është fakt se Mehmet Shehu, në dhjetor 1979, “i dorëzoi” postin e ministrit të Mbrojtjes, Kadri Hazbiut, me justifikimin se atij do t’i besohej posti që kishte mbajtur Hysni Kapo, në Sekretariatin e Komitetit Qendror të PPSH-së, por që nuk e mori kurrë. Enver Hoxha kishte grumbulluar informacione nga Kadri Hazbiu, ministër i Mbrojtjes në atë kohë, për shfaqje ekstreme liberalizmi në radhët e Forcave të Armatosura dhe ndër të tjera, në një mbledhje me drejtues të lartë të Partisë e të Strukturave të Sigurisë, u është drejtuar të gjithë ushtarakëve: “Shokë oficerë, ku po e çoni ushtrinë me liberalizmin tuaj”?! Ky fjalim, në vijim, u kthye në program pune e material bazë për format e edukimit në strukturat e Forcave të Armatosura.

Në këtë kohë rritet edhe roli i Ramiz Alisë?

Analizë më e hollësishme për gjendjen në Poloni është bërë në shkurt të vitit 1981, në një publikim të shkruar nga Ramiz Alia, mbi bazën e tezave të dhëna nga Enver Hoxha.

Në fillim të marsit 1981 Hoxha, ndodhej me pushime në Vlorë dhe prej andej ndiqte me shqetësim zhvillimet në Jugosllavi, ku evidentohej ndjeshmëria e lartë e tij kundër politikës shkombëtarizuese të jugosllavëve ndaj kosovarëve, duke i regjistruar ata si popullsi myslimane, me synim të fshihnin numrin e shqiptarëve, ndaj porositi Ramiz Alinë të shpallë publikisht qëndrimin e politikës shqiptare, madje edhe e orientoi si e çfarë të shkruajë. Referuar shënimeve të tij, evidentohet se më 1 prill 1981 ai ka analizuar zhvillimin e demonstratave të fuqishme në Kosovë (zanafilla në universitetin e Prishtinës), ku pati të vrarë e të plagosur dhe dhjetëra studentë .

Po më 2 prill, çfarë ndodhi?

Më 2 prill është shpallur gjendja e shtetrrethimit atje dhe më 3 prill Enver Hoxha detyrohet të ndërpresë pushimet e të kthehet në Tiranë, ngaqë situata e krijuar në Prishtinë e Podujevë, ku demonstruan studentë e punëtorë, në mbështetje të tyre, ishte tensionuar dhe qe shpallur gjendja e shtetrrethimit, duke shpërthyer një valë e madhe akuzash ndaj shqiptarëve, duke i etiketuar “nacionalistë”, “irredentistë”, “agjentë të imperializmit”, “ballistë”, “imformbyroistë” etj.

Më 4 prill ai ka shkruar në ditar: “Ngjarjet në Kosovë më kanë preokupuar e më kanë shqetësuar shumë, pse titistët e poshtër jugosllavë, sipas lajmeve të agjencive, kanë sulmuar me mjetet më të egra popullin dhe studentët që në mënyrë paqësore kërkonin përmirësimin e konditave të tyre të jetesës dhe statusin e republikës për Kosovën në kuadrin e Federatës Jugosllave”.

Ndërsa më 5 prill 1981 ai ka shënuar “…mblidhet Byroja Politike ku “diskutuam për ngjarjet e ditëve të fundit në Kosovë dhe masat që duhet të marrim ne”. Ka gjasa që aty të jetë ngjizur ideja e krijimi të batalionit të Policisë Popullore, si rezervë e Ministrisë së Punëve të Brendshme “për të zgjidhur detyra urgjente” që mund të krijoheshin nga zhvillimet e pritshme. Më 7 prill, Hoxha hodhi në “Ditar” shënimin analitik dhe polemizues, me titull “Çfarë pohon e çfarë mohon zoti Dragosavac”, si përgjigje ndaj fjalimit të Dushan Dragosavacit, mbajtur më 3 prill.

Në shënimin e Hoxhës refuzohet pikëpamja e liderit jugosllav se ish-federata jugosllave kishte gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme për çështjen e kombeve dhe kombësive; argumentohet pse shqiptarët në Kosovë meritojnë statusin e republikës brenda federatës; theksohet se shqiptarëve atje nuk u është dhënë asnjëherë e drejta e vetëvendosjes; demaskohet fabrikimi i së quajturës “kombësi myslimane”, për të konkluduar se as “Traktati i Londrës” dhe as “Traktati i Versajës” nuk janë të përjetshëm dhe nuk mund të dënojnë pa fund fatin e shqiptarëve.

Në përgjigje të asaj situate kaotike dhune, më 8 prill 1981, u shkrua edhe një artikull në gazetën “Zëri i Popullit”, titulluar “Pse u përdor dhuna policore dhe tanket kundër shqiptarëve në Kosovë”.

Në “Ditar”, më 11 prill, Hoxha ka shënuar se: “…shqiptari nuk e ka duruar kurrë robërinë”, në të cilin polemizohet ashpër me pohimin e Stane Dolanc-it se: “Kosova nuk do të bëhet kurrë republikë” (cituar prej shtypit perëndimor). Referuar shënimeve të ditarit të Enver Hoxhës për çështje ndërkombëtare, janë regjistruar 150-200 të vrarë në Prishtinë, 13 në Ferizaj, 3 në Prizren, shumë të vrarë në Lipjan, Obiliq (madje këtu janë vrarë nxënës të shkollës së mesme), Podujevë, ndërsa me të plagosur janë mbushur spitalet, burgjet janë mbushur e aty po torturohen shqiptarët nga policia e ushtria serbe dhe për herë të parë përmenden dëshmorët e lirisë të demonstratave të para.

Veprimi serb në Kosovë cilësohet masakër dhe Hoxha shënoi deklarativisht se: “…ne do t’i mbrojmë vëllezërit tanë kosovarë deri në fund”. Lufta politike është ashpërsuar dhe kulmon si kurrë më herët që nga viti 1948.

enver hoxha
enver hoxha

Më të frikshme për Shqipërinë e bënë këtë gjendje edhe reagimet antishqiptare të politikanëve serbë. Udhëheqës jugosllavë si Millosh Miniç, Vidiç, Petër Stamboliç etj. shpërthyen në fjalime akuzuese të karakterizuara nga një egërsi e shfrenuar, nga një dell shovinist serbomadh i paparë ndonjëherë kundër popullit shqiptar që jeton në Jugosllavi dhe kundër Shqipërisë.

Kurse ministri i Brendshëm i RSF të Jugosllavisë, Franjo Hërljeviç, në ditët e para të majit 1981 lëshoi akuza se përfaqësitë diplomatike shqiptare në botë kanë organizuar e nxitur ngjarjet në Kosovë. Më 13 maj 1981 mblidhet përsëri Byroja Politike për të analizuar ngjarjet në Kosovë dhe masat që duhet të merren, ndër të tjera aty u miratua botimi në shtyp i artikullit “Kërkesa për t’i njohur Kosovës statusin e republikës është e drejtë”41.

Po incidenti në ambasadën jugosllave, ç’mund të na thoni rreth tij?

Pa kaluar dhjetë ditë nga kjo, më 23 maj 1981, ora 21.17, ambasada jugosllave provokoi me dy plasje eksplozivi në tarracën e kuzhinës. Lidhur me këtë, të nesërmen, më 24 maj, ambasadori jugosllav paraqiti protestë në MPJ të Shqipërisë.

Kush ishte drejtor i Policisë Popullore në atë kohë?

Ish-kryehetuesi i asaj kohe në Tiranë, e më vonë drejtor i Policisë Popullore, Dilaver Bengasi, është shprehur se akti u quajt nga agjencitë e huaja si “autogol në ambasadën jugosllave”.

Pas kësaj marrëdhëniet me Jugosllavinë u acaruan në të gjitha fushat, tregtare, shkencore, kulturore, diplomatike etj. Sipas përfundimeve të grupit hetimor të këtij akti, cilësuar atentat terrorist nga pala jugosllave, që u arrit pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, ekspertimeve shkencore të shumta e analizave të të dhënave të siguruara nga shumë burime, u konkludua se ngjarja ishte politike, e realizuar nga personeli i ambasadës jugosllave në Tiranë, me mjete e municione xheniere të prodhimit jugosllav. Më 3 qershor 1981, gazeta “Zëri i Popullit” botoi artikullin “Mbi ngjarjet e ambasadës jugosllave në Tiranë”, si kundërpërgjigje gazetës “Politika” të Beogradit.

Ndërkohë, makineria shpifëse e policisë së fshehtë jugosllave, ajo e UDB-së, filloi intrigat për “zjarrvënie” të Ballkanit, me shpifje të padëgjuara kurrë më parë kundër Shqipërisë, madje deri në Uashington. Edhe kjo gjendje e krijuar kërkonte domosdoshmërisht fuqizimin e shërbimeve të policisë në kontrollin e mbajtjen e normalitetit të rendit shoqëror brenda vendit.