MENU
klinika

Vendimi

Negociatat/ Gjermania “Po” Shqipërisë, por me kushte!

24.09.2019 - 19:00

Bundestagu gjerman ka votuar “pro” hapjes së negociatave për Shqipërinë në BE.

Është ky vendimi i grupeve Parlamentare të Koalicionit Qeverisës CDU-CSU dhe SPD në Bundestagun Gjerman të cilat votuan sot për Shqipërinë.

Megjithëse Gjermania ka votuar “Pro”, ajo ka vendosur kushte për hapjen e bisedimeve drejt rrugës evropiane.

Krahas 9 kushteve kryesore, vendit tonë në rezolutën e votuar sot në parlamentin gjerman i vendosen edhe disa nënkushte të tjera. Në krye të shqetësimit të Bundestagut gjerman është kriza politike në Shqipëri, e cila në rezolutë, konsiderohet e rëndë, ndaj edhe apelohen palët të nisin sa më shpejt dialogun për ta kapërcyer atë.

“Shqipëria është në një krizë të rëndë politike. Bundestagu gjerman u bën thirrje me ngulm të gjitha forcave demokratike në Shqipëri që të ndërmarrin menjëherë të gjitha hapat për të kapërcyer këtë krizë sa më shpejt përmes dialogut politik, përndryshe rruga për negociatat e anëtarësimit do të vështirësohet në mënyrë të konsiderueshme”,– thuhet në rezolutën e përbashkët të partive qeverisëse të Gjermanisë, CDU/CSU dhe të SPD.

Në këtë dokument grupet parlamentare të koalicionit qeverisës në Gjermani nuk kanë një datë për çeljen e negociatave për Shqipërinë, shifra e vetme për të cilën flitet janë kushtet të cilat nga 7 kanë shkuar në 9.

E reja e dy kushteve të Gjermanisë këtë vit është se ato lidhen drejtpërsëdrejti me problemet me zgjedhjet, përfshirë edhe ato të 30 Qershorit.

1. Procedime penale të shpejta për ata që janë përfshirë në blerje votash.
2. Një vendim urgjent i Gjykatës Kushtetuese mbi ligjshmërine e votimeve të 30 Qershorit dhe nëse urdhërohet përsëritja e këtyre zgjedhjeve ato të bëhen mbi bazën e ligjit të ri zgjedhor.

Kushtet e tjera kanë të bëjnë me ngritjen dhe funksionimin e institucioneve të drejtësisë si SPAK, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, reforma zgjedhore gjithëpërfshirëse, dënimi i zyrtarëve dhe politikanëve të lartë, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Bundestagu gjerman mbështet perspektivën e Shqipërisë në BE dhe vlerëson përpjekjet për reforma në vend, ndonëse nënvizon edhe mangësitë. Pavarësisht se vlerëson se sasia e kanabisit të konfiskuar në Itali ra me 81% brenda një viti, viti (6,59 ton në vitin 2018 krahasuar me 34,72 ton në vitin 2017) për grupet parlamentare në Gjermani, Shqipëria mbetet sidoqoftë, bazë e trafikut të drogës për tregun evropian. Trafiku i drogës është rritur ndjeshëm.

Sakaq vendimi i grupeve parlamentare të koalicionit qeverisës në Gjermani është ndryshe për Maqedoninë, për të cilën rekomandohet të nisë negociatat e anëtarësimit.