MENU
klinika

Nga Deutsche Welle

Debati për klimën: Pas 30 vitesh gjumë Gjermania zgjohet

20.09.2019 - 14:15

Qeveria gjermane kërkon t’i japë udhë një pakete ligjore për mbrojtjen e klimës. Por a mjafton ajo për arritjen e objektivave të vitit 2030? Për skeptikët kjo paketë është pak, e duhej të ishte ofruar shumë më parë.

Drita e llambave të argjendta rrezaton me një energji të jashtëzakonshme, deri në 10.000 herë më shumë se sa drita e diellit mbi Tokë, temperaturat deri në 3000 grad celcius i bëjnë të shkrihen në sekondë pllakat e çelikut, rrezatimi diellor i një viti mund të simulohet këtu në më pak se 11 ditë.

Në qendrën studimore në Jülich, Gjermani gjendet dielli artificial më i madh i botës. Prej dy vitesh ky qytet afër Holandës është kthyer në parajsë për shkencëtarët e sidomos për studiuesit e klimës. Me imitimin e diellit mund të përftohet “lënda djegëse” ekologjike e së ardhmes: hidrogjeni.

I përftuar pa asnjë emetim të CO2-it, hidrogjeni konsiderohet si një pjesë e rëndësishme e mozaikut të objektivave të klimës, sepse ai është i përdorshëm si për automjetet ashtu edhe për avionët. “Vizioni ynë është që një ditë ta bëjmë të panevojshëm kerozinën dhe benzinën përmes hidrogjenit”, thotë Kai Wieghardt nga Instituti për Studimet Solare.

Wieghardt është optimist. Sipas tij duhen ndoshta edhe 10 vjet që shkenca të japë rezultatet e duhura. Por tani kur e gjithë Gjermania debaton për klimën, kur të premten në Gjermani e në botë si kurrë më parë dalin në rrugë mijëra vetë për mbrojtjen e klimës, dhe kabineti gjerman duhet të përmbyllë objektivat e klimës 2030, shtrohet pyetja: A po lëvizin gjërat aq shpejt sa duhet? A nuk duhet që politika të investojë më shumë fonde në mbrojtjen e klimës për të arritur qëllimet e klimës?

Kai Wieghardt kërkon që politika e industria të ndryshojnë fokusin e tyre: “Ne duhet ta spostojmë përzierjen e përftimit të energjive në drejtim të energjive të rigjenerueshme, sipërmarrjet duhet të angazhohen më shumë për t’ vënë në jetë më shpejt rezultatet e shkencës.”

Ministria Federale kërkon më shumë fonde

Anja Karliczek i dëgjon me dëshirë fjali të tilla. Ajo flet me entuziazëm për çuarjen përpara të projektit fanar ndriçues të studiuesve gjermanë – diellin artificial më të madh të botës, nëse do të arrinte të mblidhte më shumë fonde. “Vetëm përmes risive teknologjike ne do ta fitojmë luftën kundër ndryshimit të klimës. E çdo euro e investuar tek mbrojtja e klimës është euro e investuar mirë.” Ajo ëndërron për “Made in Germany”, jo më për automjetet, por për inovacionet në drejtim të klimës.

Por studimet e klimës janë shumë të shtrenjta. 1,4 miliardë eurot e premtuara deri në vitin 2024 nuk mjaftojnë për të dalë në krye të studimeve botërore në këtë drejtim. Karliczek kërkon dyfishin e shumës.

Kritika – 30 vite gjumë në drejtim të mbrojtjes së klimës

Gregor Hagedorn, studiues më Muzeun e Shkencave Natyrore, Berlin, ka themeluar shoqatën e “Scientists for future” ku marrin pjesë 60 shkencëtarë, si roje intelektuale të lëvizjes “Fridays for future”. Ata i mbështesin protestuesit e rinj, duke i dhënë faktet shkencore për kërkesat e tyre. Sipas studiuesit, Hagedorn “politika e ka injoruar shkencën 30 vite rresht. Edhe nëse kabineti qeveritar paraqet masa efektive në drejtim të mbrojtjes së klimës, kjo nuk do të mjaftojë. Kjo është më tragjikja e dekadave të humbura.”

Por a nuk kanë qenë shumë pasiv edhe vetë shkencëtarët? A nuk duhej të kërkonte shkenca një politikë afatgjatë për klimën? Gregor Hagedorn përgjigjet me një raport të ndërmjetëm të Komisionit Enquete të Bundestagut. Raport i vitit 1988. Nëntë deputetë gjermanë dhe nëntë ekspertë të jashtëm kanë përpiluar aty kërkesat, se ç’duhet të bëjë Gjermania konkretisht për “mbrojtjen e njeriut dhe mjedisit.” “Që atëherë e gjeje aty gjithçka që dimë sot, këtë raport mund ta ribotosh edhe tani gati ashtu si është.”

Mrekulli e re gjermane për klimën?

Por në vitin 1989 ra Muri i Berlinit, Gjermania u bashkua – politika për klimën e kthye në çështje dytësore. Në vitin 1998 ngjiten në pushtet Të Gjelbrit në Gjermani, por nga politika botërore prapë diktohen prioritete të tjera: pjesëmarrja gjermane në luftën e Kosovës, futja e euros, axhenda 2010.

E kështu prioritetet ndoqën njëri-tjetrin, por vetëm klima nuk gjendej aty – 30 vite me radhë ajo nuk i zuri kurrë vendet e para në axhendën politike. “Këtu janë bërë hapa të caktuar në drejtim të mbrojtjes së klimës, por asnjëherë nuk është kontrolluar, nëse këto japa janë të mjaftueshëm e nëse kanë dhënë efekt”, thotë Hagedorn.

Do të vijë tani mrekullia gjermane për klimën? Studiuesit gjermane si Gregor Hagedorn janë të vendosur të vazhdojnë presionin ndaj politikës.