MENU

Apeli i Mogherinit në largim

“Do të pendohemi nëse Ballkani nuk bëhet pjesë e BE-së”

03.09.2019 - 18:38

“Do të pendohemi nëse Ballkani nuk bëhet pjesë e BE-së”, shefja në largim e diplomacisë europiane, Federica Mogherini e bëri dhe një tjetër apel për afrimin e rajonit me bllokun europian, ashtu sic ka këmbëngulur përgjatë pothuajse gjatë gjithë kohës që e ka mbajtur këtë post.

Kryediplomatja argumentoi se është në interesin e qartë të unionit që Ballkani të bëhet pjesë e tij.

“Të gjithë e dimë se ky është një proces i gjatë, një proces i ndërlikuar, gjithmonë interesant dhe i gjallë, që do të marrë kohë. Do të duhet shumë zgjidhje problemesh, shumë angazhim politik nga të gjitha anët me vendosmëri.

U deshën 25 vjet për ta zgjidhur çështjen e emrit midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Tani kjo është arritur, falë guximit, udhëheqjes, këmbënguljes dhe falë mbështetjes dhe inkurajimit të vazhdueshëm të Bashkimit Europian”, u shpreh ajo duke lënë të kuptohet përmes një shembulli të qartë se përpos kurajos, lidershipit e këmbënguljes, do të nevojitet prania e fuqishme dhe e përhershme e bllokut në rajon.

Mogherini u shpreh se pajtimi duhet të jetë në krye të axhendës; të krijohet paqe atje ku ka pasur luftë, ishte komenti i saj.

Për Mogherinin, është koha të hidhet një hap përpara drejt bashkimit të familjes europiane me mençuri dhe qëndrueshmëri.