MENU

Detaje

DPSHTRR së shpejti i dixhitalizuar, si do të investohet fondi?

07.09.2019 - 12:25

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor do të kalojë arkivat e veta fizike në një sistem të dixhitalizuar.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka shpallur tenderin në Agjencinë e Prokurimit Publik, me 72.3 milionë lekë fond limit, në dispozicion të projektit.

Edhe pse pjesa më e madhe e shërbimeve të DPSHTRR janë informatizuar, për lejedrejtime apo mjete të vjetra që nuk janë pjesë e Regjistrit Elektronik, kërkohet konfirmim nga sektori i arkivës kombëtare pranë DPSHTRR, për të vazhduar më pas me ofrimin e shërbimit.

Nga ky projekt, pritet që këto arkiva fizike ‘të munguara’ në sistemin aktual, të integrohen.

“Rezultatet që duhet të arrihen janë: ndërtimi i një sistemi për dixhitalizimin, përpunimi, organizimi dhe indeksimi i librave dhe regjistrave të arkivës dokumentare të DPSHTRR, furnizimi, instalimi dhe konfigurimi i pajisjeve fizike pjesë e projektit, skanimi, indeksimi i dokumenteve për arkivën DPSHTRR dhe DRSHTRR Tiranë, trajnimi i përdoruesve të sistemit sipas roleve, procesi i mirëmbajtjes” shkruhet në detajet e projektit.

Ky investim përfshin krijimin e një ndërfaqeje web, ku çdo përdorues do të ketë akses në fushën që i përket postit të tij.

Në zërat e sistemit projektohet të përkasë ndër të tjera Regjistri i Mjeteve Rrugore, Regjistri Certifikatës për Transport Mallrash të Rrezikshme Brenda Vendit, Regjistri i Lejeve të Qarkullimit Ndërkombëtare, Regjistri i heqjes se përhershme nga qarkullimi DRM 14, etj, shkruan scan.

Tenderi do të qëndrojë i hapur në Agjencinë e Prokurimit Publik deri në 30 shtator, ora 13:00 dhe që nga nënshkrimi i kontratës me subjektin fitues, ky projekt pritet të ekzekutohet në një hark kohor prej thuajse 2 muajsh.