MENU
klinika

Rëfimi i Padër Palit

Drita Kosturi, e fejuara e Qemal Stafës duhet konsideruar si…

05.09.2019 - 21:38

Figura e Drita Kosturit është parë në këndvështrime të ndryshme.

Herë si komuniste, herë si idealiste, deri vonë ka qenë e pranishme në intervista mbi politikën e sistemit të kaluar dhe jetën e vdekjen e paqartë të të fejuarit të saj, Qemal Stafës.

Është e çuditshme se si e fejuara e eksponentit të rëndësishëm të komunizmit, Qemal Stafës u arrestua në 1946, bëri 13 vjet burg e pjesën tejtër të komunizmit e kaloi në internim në kampet më të frikëshëm e famkeq të Shqipërisë.

Një rrëfim interesant, i cili na jep edhe detaje biografike, vjen dëshmuar nga Atë Zef Pllumi i cili, në vitet e burgut mëson për të nëpërmjet të burgosurve të tjerë. Një ndër to ishte edhe Padër Pali, një meshtar françeskan të cilin jeta dhe vuajtjet e mëdha nën komunizmin e kishin lodhur shumë.

Atë Zefi (i cili akoma nuk qe shuguruar meshtar) si një ndër më të rinjt në burg, merrej herë pas here me pastrimin e ambienteve aty.

Një ditë shkon të pastrojë dhomën e Padër Palit e nga aty del një vajzë e re. Në fshehtësi, Atë Zefi e pyet për emrin dhe ajo i thotë se quhej Drita Kosturi.

Interesohet ndër të burgosur të tjerë dhe merr vesh se Drita Kosturi ishte e fejuara e Qemal Stafës, në nder të të clit, në datën e vdekjes së tij misterioze, kujtohen edhe sot dëshmorët e rënë për liri.

Kjo gjë ngjall dyshime mos ndoshta ajo ishte e infiltruar për të spiunuar Padër Palin, por çdo dyshim shuhet kur pas disa kohësh e vendosin Atë Zefin në qeli pranë padër Palit. Nëpërmjet vrimave që qenë hapur nga të burgosurit për të komunikuar, ai e pyet Padrin për të dhe Padri i rrëfen një histori të cilën Atë Zefi e kujton kështu:

Gjatë turturave të hetuesisë, ai nuk kishte mujtë me durue ma. Nuk ishte puna vetëm për te, kërkojshin ma tepër që ai të merrte në qafë të tjerët. Në nji çast dishprimi, kishte humbë gjykimin, kishte kalue në krizë çmendunie dhe u hodh prej dritare e poshtë. Kishte humbë ndjenjat dhe, mbasi kishte ardhë në vete, nuk mundej me lëvizë: dishka kishte thye. Atëherë ia kishin pru ate vajzë, që kishte studiue në Itali për mjekësi. I kishte shërbye jo sikur Pater Pali t’ishte baba i saj, por sikur t’ishte nji fëmijë i saj.

Me të mbaruar rrëfimin, Padër Pali thotë tekstualisht:

Sakrificat e saj për mue, kurrë nuk do t’i harroj dhe po të porosis që, në kjoftë se vjen ndonjiherë dita e lirisë, ajo duhet konsiderue si mike e urdhnit françeskan.