MENU
klinika

"Do fundosim marrëveshjen e 2008"

Hajdari në Kuvend: Tre persona nuk e lëshojnë pushtetin!

30.09.2019 - 18:05

Deputetja Rudina Hajdari ka deklaruar sot në seancë plenare se opozita parlamentare do të zhbëjë marrëveshjen politike të vitit 2008, pasi sipas saj, kjo marrëveshje bëri që dy-tre persona të mos lëshojnë pushtetin.

“Marrëveshja e 2008 është marrëveshja që opozita parlamentare do të zhbëjë dhe do të fundosë, pasi kemi dy-tre persona që nuk e lëshojnë pushtetin, por duan vetëm të bëjnë riciklim të tij”, tha Hajdari.

Më tej, deputetja Hajdari tregoi çfarë do bëjë opozita parlamentare në vijim, teksa tha në Kuvend se duhen ndarë të inkriminuarit nga pushteti, duhen ndëshkuar kryetarët e partive që futën në listat e tyre njerëz të inkriminuar dhe që sipas saj, e kanë çuar cilësinë e deputeti në një nivel që nuk është parë në këto 30 vite.

“Ne duam të ndajmë të inkriminuarit nga pushteti, të ndëshkojmë ata kryetarë që kanë futur në listat e tyre njerëz të inkriminuar, ata kryetarë partie që e kanë çuar cilësinë e deputetit në një nivel që s’e kemi parë në këto 30 vite. Ne duam të bëjmë një Reformë Zgjedhore, presim që ndryshimi i sistemit zgjedhor të ndodhë sot, presim që edhe kolegët e ndershëm të PS t’i bashkohen kësaj nisme.

Ne duam që ky Kuvend të ketë një sistem që të jetë më përfaqësues dhe qytetarët të zgjedhin vetë se kush do t’i përfaqësojë. Është një nismë shumë e madhe, do dojë shumë ngulmë nga deputetët, por kjo është beteja jonë”, u shpreh ajo.

Gjithashtu, deputetja komentoi edhe fjalën e kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e OKB, duke thënë se ai bëri fasadë për dy çështje, atë të barazisë gjinore në Kuvend dhe strategjinë për ndryshimet klimatike.

“Fundjavën e kaluar dëgjova Ramën, në Asamblenë e OKB, që foli për dy arritje shumë të mëdha të kësaj qeverie, që nuk ishin arritje. Përmendi faktin që kishte një numër të lartë të grave në qeverinë e tij dhe fakti që e përdori Shqipërinë si shembull në rajon për ndryshimet klimatike.

Këto të dyja janë fasada, pasi edhe pse Parlamenti përbëhet nga shumica gra, më vjen keq të them se ato vendosen aty për të mbushur ca hapësira boshe, që pushteti të përqendrohet vetëm te një njeri. Në fakt, gratë edhe sot përdoren e dhunohen, ndaj dua që ta ngrenë zërin.

Çështja e klimës, e vërteta është që ne përbëjmë ndotjen më të madhe. Janë dy fabrika në Laprakë, ajo e aluminit dhe e tullave, që helmojnë çdo ditë qytetarët. Këto fabrika operojnë pa leje mjedisore”, theksoi deputetja.