MENU
klinika

Fotoja e fundit

Havzi Nela, si qëndroi i varur në litar “armiku i popullit

06.09.2019 - 14:14

*Nga Rexhep Shahu

Natën e 10 gushtit 1988, pa zbardhë drita për datën 10 gusht, të varën Havzi me litar në dalje të Kukësit, pranë sheshit të axhensisë së udhëtarëve, në vendin më të populluar atë kohë me njerëz.

Të kishin cuar me ziz të Degës së Punëve të Brendëshme, të kishin varë dhe zizi kishte ikë në punë të vet duke të lënë ty duke u lëkundë.
> Akoma Havzi Nela lëkundesh sa andej këndej, sa në një anë politike në tjetrën, sa në një kohë në një tjetër, ende lëkundesh si një lavjerrës i pakohë, lëkundesh si fati ynë, si jeta e ngaterresat tona politike, si valet a dallgët e urrjetjes tonë.
> Varësit qëndruan aty “sikur po i bënin roje nderi Enver Hoxhës”, ishte shprehur një pëshpëritës që e quante burrnor Havzi Nelën dhe qëndrimin e tij

Të nesërmen në mëngjes të 10 gushtit 1988 si kishte dalë drita, shokët e partisë e të pushtetit të Kukësit si triumfatorë dhe shembull frymëzimi për gjithë vendin, duke ëndërruar dekorata në supe, gradime në funksione të larta, shkojnë të të shohin ty armik të varur. Nuk pipëtinte asgjë rrotull. Qetësi. Pëshpëritje nuk dëgjohen. Ndoshta dy Drinat, i Bardhi e i Ziu, fëshfërijnë, qajnë, vajtojnë.

Ndoshta edhe lumi Luma që vinte nga fshati yt ngashëren me gulshe. Ndoshta Gjalica e Pikëllima anojnë krejnat nga njëri-tjetri për këtë gjamë. “Bidat në kohë të re me varë njerin si berr”, ishte një pëshpërimë. “Vraje e bani çfarë të duash po pse po çudit miletin, për çfarë…”, vazhdonte pëshpërima…
> E shihni, edhe i vdekur ky armik i mban sytë nga Jugosllavia, kishte thënë njëri nga shokët e partisë, si për ta bindë veten e tij dhe të tjerët se është bërë mirë që partia e vari këtë armik të popullit. Këtë fjalë e mori era dhe ma ruajti mua gjithmonë. E dëgjoi ndonjë zog i trishtuar këtë fjalë dhe edhe zogu iku larg, sa më larg armikut dhe shokut të partisë.

> Ti Havzi Nela i varur në litar, me këmishë të zbërthyer e me bark jashtë, nuk e dëgjoje dot shokun e udhëheqjes së lartë të partisë. Ty Havzi që lëkundeshe në litar era të kishte sjellë nga kishte dashtë ajo. Era, ajo e liga erë që frynte fllad, fllad gushti, fllad natë gushti, ta kishte kthye fytyrën nga Kosova, të cilën shoku i udhëheqjes së partisë e quante Jugosllavi. Se shoku i udhëheqjes së partisë nuk e dinte as donte ta dinte as ta pranonte as ta ndjente Kosovën, e cila ishte e huaj për shokët e udhëheqjes së partisë, ishte Jugosllavi për shokët e partisë. Ti Havzi nuk i përgjigjeshe dot e t’i thoshte se era më ka lëkundë dhe më ka kthye nga Kosova dhe ndoshta kjo është piktura a skulptura më e bukur e Havzi Nelës që era e zoti kishte bërë atë mëngjes, duke e kthye të varurin me fytyrë nga Kosova.

Aq afër teje, armikut të varur, sa iu afruan shokët e partisë e të pushtetit nuk i të ishte afruar askush Havzi pos policëve që të kishin varë. I njejti polic që u gjend prane teje kur të varën, u gjend edhe çastin kur u shplove prej gropes se shtylles elektrike ku të kishin varrose Havzi në kembë, pingul, anuar pak në stomin e gropës së shtyllës, në varrin tënd vërtikal…

> Nuk guxonte askush të afrohej. As të fliste ndonjë fjalë. Jo t’i fliste Havziut, por as zogjve nuk u drejtoi askush asnjë fjalë atë ditë që u gjete i varur ti Havzi Nela prej shtetit te sheshi pranë axhensisë së udhëtarëve në Kukës. Askush nuk ia la vetit të thoshte ndonjë fjalë, siç ia la vetit ai shoku i partisë që tha se “edhe i vdekur ky armik i mban sytë nga Jugosllavia”. Pëshpëritje a pëshpërima pati, por pëshpërima periferike, siç raportonin njerzit e sigurimit të shtetit te Sekretari i parë i partisë së rrethit. Aty pranë të varurit asnjë pëshpëritje, asnjë lutje, asnjë fjalë veç mallkimit në formë konstatimi të shokut të udhëheqjes që tha se edhe i vdekur armiku Havzi Nela i mbante sytë nga Jugosllavia.

> Hetimi për ty Havzi Nela që plagose policin me pistoletë artizanale ndoshta është hetimi më i shpejtë e më i rrufeshmi që ka ndodhë ndonjëherë në historinë e hetimeve në dekadën e fundit të diktaturës komuniste.
> Gojë më gojë e vesh më vesh ia përcillnin njëri – tjetrit punonjësit e Degës së Punëve të Brendëshme, të hetuesisë e prokurorisë, herë si përkrahje për mirë e herë si frikë apo si kundërshtim, thëniet e njërit nga hetuesit të Havziut, i cili i ndodhur para presionit që ta hetonin urgjent çeshtjen, ishte shprehur “pa kujdes” duke thënë, “çfarë ka bërë mor vëlla ky Havzi ziu, çfarë ka bërë mer jahu ky njeri që duan ta gjykojnë kaq shpejt. Ku e ka rrezikshmërinë aman Havziu në hekura… Është skandaloze që po na nxitojnë kështu. Ka plagosë një polic mer vëlla. E çfarë ka që nxitohet kaq shumë, ai nuk po na shpërthen burgun, nuk po na ikën askund…”…
>
> (Kjo është fotoja e fundit që të është bërë në hetuesinë e Kukësit Havzi sa ishe gjallë, pak ditë para se te te varnin në litar, me 10 gusht 1998, në një shesh– udhë në periferi të Kukësit)